Klubi i Leximit Albas bashkëbisedoi mbi romanin "Manual Rrëzimi" në prani të autores Jonila Godole, të ftuar edhe gjimnazistë

Takimi i radhës i Klubit të Leximit Albas u zhvillua rreth romanit “Manuali i Rrëzimit”, në prani të autores Jonila Godole. Në bashkëbisedim morën pjesë edhe nxënës të gjimnazit “Luan Hajdaraga”, të cilët diskutuan mbi librin dhe ndanë përshtypjet e tyre.

Takimi i radhës i Klubit të Leximit të Shtëpia Botuese Albas u zhvillua këtë herë rreth romanit Manuali i Rrëzimit, duke sjellë një diskutim të drejtëpërdrejtë mes lexuesve dhe autores së veprës, Jonila Godole. Në takim ishte e pranishme edhe redaktorja e librit, Ervisa Paloka.


Aktiviteti u zhvillua në ambientet e Librarisë Albas dhe mblodhi jo vetëm anëtarët e përhershëm të klubit, por edhe një grup nxënësish nga Gjimnazi “Luan Hajdaraga”, të cilët morën pjesë nën kujdesin e mësueses koordinatore të bibliotekës, Zyra Kojeli.

Gjimnazistët patën mundësinë të përfshihen në një bisedë të hapur me autoren, të diskutojnë rreth librit, të bëjnë pyetje dhe të ndajnë mendimet e tyre mbi temat dhe reflektimet që sjell vepra. Bashkëbisedimi u karakterizua nga një atmosferë e ngrohtë dhe dialoguese, ku të rinjtë treguan interes të veçantë për historinë, personazhet dhe kontekstin historik që trajton romani.


Në përfundim të aktivitetit, falë angazhimit dhe pjesëmarrjes së tyre aktive, nxënësit morën edhe dhurata simbolike. Pjesë e këtyre dhuratave u bënë gjithashtu edhe dy nga anëtaret e përhershme të Klubit të Leximit Albas, Sibora dhe Gerjana. 


Sakaq, një nga gjimnazistet pjesëmarrëse në këtë takim ka ndarë edhe përshtypjet e saj për këtë përvojë letrare:





Nga Anisa Kosova

Nxënëse e gjimnazit Luan Hajdaraga


Takimi me shkrimtaren Jonida Godole në bibliotekën e Albasit ishte një përvojë shumë interesante dhe frymëzuese për mua dhe për grupin tonë prej 10 nxënësish nga gjimnazi “Luan Hajdaraga”. Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të një bashkëbisedimi rreth librit Manuali i Rrëzimit, një vepër që na bëri të njohim më shumë rreth kohës së komunizmit në vendin tonë, por jo vetëm; ajo na ndihmoi të ndiejmë më pranë edhe rrëfime personale.


Gjatë takimit pata mundësinë të dëgjoja nga afër shkrimtaren, e cila ndau me ne fazat e shkrimit të librit, pjesë nga ai dhe u dha përgjigje me shumë dëshirë secilës pyetje që kishim. Atmosfera ishte shumë e ngrohtë dhe bashkëbiseduese, gjë që na bëri të ndihemi të lirë të shprehnim mendimet dhe përshtypjet tona mbi librin.


Për mua, ky takim ishte shumë i vlefshëm sepse më ndihmoi ta kuptoj më thellë jo vetëm librin, por edhe periudhën historike së cilës ai i përket. Ishte gjithashtu shumë interesante të dëgjoja këndvështrimin e autores për temën që trajton vepra dhe të kuptoja motivet që e kishin shtyrë drejt krijimit të saj.


Në përfundim, mund të them se kjo ishte një eksperiencë shumë e bukur dhe motivuese, e cila më afroi edhe më shumë me letërsinë dhe më bëri të vlerësoj fuqinë që ka një libër për të na bërë të mendojmë dhe të reflektojmë.



Në këtë mënyrë, Klubi i Leximit Albas vazhdon të mbetet një hapësirë e rëndësishme për dialogun mes autorëve dhe lexuesve, duke nxitur të rinjtë të afrohen më shumë me librin dhe diskutimin letrar.




©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë  

117 Lexime
8 orë më parë