Komuna e Preshevës nderon Rita Petron me mirënjohjen "Për shkrirjen e kufijve shqiptarë përmes librit"
Rita Petro u vlerësua nga Komuna e Preshevës me titull mirënjohjeje për kontributin në "shkrirjen e kufijve shqiptarë përmes librit". Një vlerësim që i kushtohet një rrugëtimi shumëvjeçar në shërbim të gjuhës shqipe, kulturës dhe identitetit kombëtar.
Nga Kaltra Tafani
Ka vlerësime që shkojnë përtej një ceremonie protokollare. Ato bëhen dëshmi e një rrugëtimi të gjatë dhe e ndikimit që një njeri lë në kulturën e një kombi. Një i tillë ishte edhe vlerësimi që Komuna e Preshevës i akordoi shkrimtares, poetes laureate dhe bashkëthemelueses së shtëpisë botuese ALBAS, Rita Petros.
Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, e priti veçmas Rita Petron, duke i dorëzuar një mirënjohje për kontributin shumëvjeçar në përhapjen e librit shqip dhe forcimin e lidhjeve kulturore mes shqiptarëve.
Motivacioni i këtij vlerësimi është një mesazh që tejkalon kufijtë e Preshevës:
"Me mirënjohje të thellë për kontributin e çmuar në shkrirjen e kufijve shqiptarë përmes librit. Përkushtimi juaj ka bërë që fjala shqipe të udhëtojë përtej ndarjeve gjeografike, duke afruar zemra, mendje dhe breza shqiptarësh kudo që jetojnë. Ky është një shërbim i vyer për kulturën, arsimin, gjuhën dhe identitetin tonë kombëtar."
Një formulim që nuk vlerëson vetëm një botuese apo një autore, por një mision të ndërtuar ndër vite: ta bëjë librin shqip të pranishëm në çdo hapësirë ku jetojnë shqiptarët.
Në takimin e zhvilluar në Preshevë, kryetarja Ardita Sinani vlerësoi rolin e shtëpisë botuese ALBAS në jetën kulturore të qytetit dhe bashkëpunimin e saj me institucionet vendore.
"Vlerësojmë lart kontributin e ALBAS-it si bashkorganizator, së bashku me Bibliotekën e Qytetit, në realizimin e këtij aktiviteti me rëndësi të veçantë kulturore dhe arsimore për Preshevën. Panairi i Librit 'Presheva 2026' synon të afrojë lexuesin me librin, autorët me publikun dhe institucionet me përgjegjësinë e përbashkët për të mbështetur kulturën, dijen dhe gjuhën shqipe. Falë bashkëpunimeve të tilla, Presheva po ndërton një hapësirë më të gjallë kulturore, ku libri dhe arsimi zënë vendin që meritojnë", u shpreh Sinani.
Nga ana e saj, Rita Petro e lidhi këtë vlerësim me një rrugëtim që nisi 15 vite më parë.
"ALBAS në Preshevë e ka nisur zyrtarisht rrugëtimin në vitin 2011, ndonëse përgatitjet kishin filluar që në vitin 2010 falë dy njerëzve patriotë dhe largpamës, Latif Ajrullait, me të cilin themeluam ALBAS-in, dhe profesor Qenan Hetemit. I kujtojmë sot me nderim, sepse edhe pse nuk janë më mes nesh, ajo çka ata ndërtuan është e dukshme sot", tha ajo.
Sipas Petros, që në fillesë synimi ishte ta sillnin librin shqip në Preshevë në mënyrë të organizuar, dinjitoze dhe institucionale, duke krijuar një urë të qëndrueshme mes lexuesve dhe botimeve në gjuhën shqipe.
Ajo theksoi se organizimi i edicionit të dytë të Panairit të Librit "Presheva 2026", ku ALBAS është bashkëorganizator me Komunën e Preshevës dhe Bibliotekën e Qytetit "Mehmet Isufi", është dëshmi se ky vizion ka marrë jetë.
"Ky bashkëpunim dëshmon se kur një vizion i drejtë takohet me mbështetjen e sinqertë të institucioneve, rezultatet nuk mungojnë. Fitojnë libri, kultura dhe, mbi të gjitha, lexuesi shqiptar", u shpreh Petro.
Panairi i Librit "Presheva 2026", që po zhvillon edicionin e tij të dytë, shërben si një nga aktivitetet më të rëndësishme kulturore të qytetit. Por përtej programit të panairit, mirënjohja që Komuna e Preshevës i akordoi Rita Petros mbetet një vlerësim simbolik për një punë të gjatë në shërbim të librit shqip.
Në një kohë kur kufijtë shtetërorë vazhdojnë të ndajnë shqiptarët në disa hapësira, motivacioni i kësaj mirënjohjeje rikujton se libri mbetet një nga urat më të fuqishme që lidh gjuhën, kulturën dhe identitetin kombëtar.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Albas në Panairin e Librit në Shkup: Tituj të rinj dhe zbritje speciale nga data 8 deri 14 maj
Natasha Pepivani: Librat që fëmijët mund të lexojnë gjatë pushimeve të verës
“Presheva 2026”, Panairi i Librit dhe traditës shqiptare me pjesëmarrjen e ALBAS