Analizë

“Kriza e profesionit të mësuesit” nga sociologia Marsida Simo

Për të gjithë ju mësues të palodhur e që meritoni më tepër vëmendje dhe respekt, ky është një shkrim me shumë të vërteta brenda. Sociologia, Marsida Simo ka bërë një analizë të të gjithë sfidave tuaja të përditshme profesionale. Ju ftojmë ta lexoni.

Një çantë në dorë, e mbushur me libra, me hapa të vegjël dhe të shpejtë përfytyrohej dikur një mësues. Dekada më përpara ky profesion ishte shumë i preferuar. Së pari i jepte prestigj në shoqëri pasi mësuesit konsideroheshin dhënës të dijës, edukuesit kryesor si dhe ata që do përgatisnin të ardhmen.


Në klasë mësuesi kishte pushtet, ku nxënësi e shihte atë me adhurim, dëshirë, por edhe frikë. Nuk ishte e pakët për vendin tonë që pas shkallës së lartë të analfabetizmit të merrte rrugë dija. Megjithatë, problemet më të mëdha ishtin krijimi i disiplinës më forcë, dënime jo të duhura në rast gabimi si dhe mangësia e lirisë tek nxënësit. Deri vonë në shoqërinë shqiptare edukimi dhe disiplina zgjidhej me rrugën më të shkurtër, atë të dhunës. Në vijim të ndryshimeve politike, sociale patëm mundësi të zhvilloheshim, por jo gradualisht. Në këtë mënyrë nga kalimi i njërit sistem në tjetrën, pësuam shok. Modele të tëra edukimi u hodhën poshtë duke e transformuar mendësinë kolektive në atë individuale.


Ndër shumë profesione edhe mësuesi kaloi në një tjetër fazë…


Ai u kthye në një profesion i zakonshëm që paguhej pak. E në vijim të dëshirës për zhvillim të vendit, mësuesit u ndeshën me termin reformë aq shpesh sa nuk patën kohë ta përthithnin siç duhej. Çdo qeveri jepte modelin që mendonte më të mirin. Dëshira për t’i përngjarë vendeve fqinje bëri të zbatoheshin kurrikula të ngjashme me ta, por shumicën e rasteve vetëm në letër. Faktikisht për të hartuar një kurrikul të dobishme duhet së paku të kesh provuar arsimin, të jesh përballur me nxënësin, të dish mangësitë dhe të përshtatësh kërkesat.


Jo vetem kaq…


Nga ana tjetër, lëvizjet migratore shtoi numrin e popullsinë në qytetet kryesore. Numri i nxënësve në klasë (sigurisht para pandemisë), sjell imazhin e një kinemaje dhe jo të vendit ku zhvillohet  mësimi. Ky fenomen bëri që mësuesi të  përballet me shumëllojshmëri subkulturash. Ai nuk duhet të zotërojë vetëm lëndën e tij si dikur, por të ketë njohuri më të gjera. Me një numër të lartë nxënësish i cili mund të shkojë deri në 45, mësuesi transformohet në një “polic trafiku” ku duhet të vendosë në rresht nxënësit, të mbajë qetësi, të shuajë konfliktet me njëri tjetrin, të ndalojë përdorimin e celularëve, të merren me pastërtinë e klasës, etj.


Nxënësit janë fëmijë dhe duke qëndruar për orë të tëra ngjitur me njëri-tjetrin shanset për zënka të vazhdueshme janë të shumta. Madje diversiteti kulturor shton rastet e konfliktit.


Po ashtu, vështirësitë ekonomike kanë sjellë probleme të tjera. Ka prindër të cilët të gjendur përballë mangësive bazike emigrojnë ose punojnë me orare të zgjatura dhe neglizhojnë edukimin e fëmijës. Jo pak herë fëmijë me mungesë të disiplinës familjare sjellin probleme në klasë. Prindërit duhet të kuptojnë që fëmija vijon edukimin në shkollë, por nuk e nis aty!


Problemet me ekonominë  sjellin edhe punësimin e fëmijëve, mos blerjen e teksteve mësimore, apo dhe neglizhencë në marrëdhënie me mësimin.Ndaj rrjedhimisht disa prej këtyre nxënësve do shfaqin sjellje devijante në klasë.


Çfarë duhet të bëjë një mësues?


Mësuesit përveç profesionit që ushtron i kërkohet të jetë edhe psikolog, por në një numër të lartë nxënësish nuk mund të kuptojë gjithmonë çfarë fshihet pas sjelljes agresive. Jo vetëm kaq por ndër shumë kërkesa, mësuesit i duhet  të kujdeset edhe për frekuentimin e nxënësve. Braktisja e shkollës është fenomen që ende ekziston. Mësuesit i duhet të kthehet edhe në investigator duke kerkuar shkaqet dhe duke mos lejuar ikjen e nxënësit. Jo pak herë i duhet të përballet me prindër të papërgjeshëm dhe neglizhentë.


Pas realizimit të këtyre roleve, mësuesi duhet të plotësojë edhe dokumente të shumta si letra, formularë, anketa, regjistra, dhe ditarin. Puna e mësuesit nuk mbaron asnjëherë në shkollë. Ai duhet të ushtrojë profesionin e tij edhe jashtë institucionit, jashtë orarit të punës dhe në ditët e pushimit zyrtar.


Mësuesi në ditët e sotme nuk duhet të përvetsojë vetëm librin e printuar, por edhe teknologjinë, pavarësisht moshës së tij, mundësisë apo gjendjes ekonomike. Imazhi i përçuesit të dijes është zëvendësuar me një robot me shumë funksione. Pavarësisht gjithë këtyre detyrave, prestigji i mësuesit është venitur. Madje brezat e rinj nuk e preferojnë më si dikur ta ushtrojnë ketë profesion. Pushtetin që gëzonte dikur, mësuesi sot po e vendos me shumë vështirësi. 


 Promovimi i të drejtave të nxënësve ka qenë një ndër zhvillimet kryesore që është bërë vitet e fundit, por janë neglizhuar detyrimet dhe përgjegjësitë e tij. Ndaj shumë nxënës duke keqkuptuar lirinë personale, abuzojnë me shokun, më mjedisin si dhe me mësuesin. Nuk mund të ketë edukim pa disiplinë dhe rregulla dhe kjo duhet mësuar që në vogëli.


Në këtë mënyrë mësuesi i lodhur me katërfishimin e detyrave të tij nuk  gjen kohën të lexojë për kënaqësi vetjake. Me minutat e numëruara nuk mund të shkojë në një event kulturor. Me kohën e kufizuar nuk ndjek dot një kurs për tu zhvilluar profesionalisht. Shumë mësues akoma ndjekin  trajnime për efekt detyrimi dhe jo dëshire.


A ka ndopak shpresë?


Vitet kalojnë dhe zhvillime sigurisht që ka, por dija ka nevojë për ritme më të shpejta. Arsimi jonë ka nevojë për gjëra praktike dhe të prekshme dhe që mund të bëhen të realizueshme.


Nuk mund të ecim me hapa galopant vetëm për qytete të caktuara duke anashkaluar dukuri si varfëria, emigrimi, problemet familjare dhe ato personale në zonat e tjera të vendit tonë. Mësuesit i duhet t’i kthehet respekti që më pas ai të punojë me pasion.


Ky profesion ka nevojë për vëmendje dhe mbështetje jo kërcënime dhe presione. Mësuesi ka nevojë për më shumë të drejta jo vetëm detyrime. Mësuesi sot nuk po mbrohet dot as nga vetë sindikata. Ai nuk flet por hesht se ka frikë se i rrezikohet vendi i punës. Mësuesi duhet të ketë mundësi të ushtrojnë profesionin i qetë ku të japi dhe të marrë kënaqësi. Faktikisht nuk po flasim që të rikthehet mësuesi i dikurshëm që dhunonte me vizore në dorë, por të mbeten mësues me intelekt dhe profesionalist.


Sigurisht duhen të largohen të gjithë mësuesit e korruptuar, të dhunës dhe të pazotët. Të rikthejmë imazhin e  mësuesit që përçon dije dhe që shfaq rreze mirësie.



 ©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.  

10,805 Lexime
2 vjet më parë