"Kur gruaja merr penën": trupi, kujtesa dhe zëri i saj në “Tirana Gate 2026”
“Tirana Gate 2026” nisi me një bisedë mbi trupin e gruas si gjuhë, kujtesë dhe rrëfim, duke vendosur përballë publikut katër zëra të letërsisë bashkëkohore: Rita Petron, Flutura Açkën, Majlinda Ramën dhe shkrimtaren rumune Raluca Nagy.
Përgatiti: Nanila Allkja Biçaku
Takime me autorë, diskutime, lexime, promovime dhe përkthime janë pjesë e edicionit të këtij viti të Festivalit Letrar Ndërkombëtar për të Rinj “Tirana Gate”, i cili u çel në “Vila 31 Art Explora” dhe do të vijojë deri më 9 tetor. Autorë nga Shqipëria, Gjermania, Italia, Turqia, Greqia, Rumania, Spanja, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi janë pjesë e festivalit, ndërsa shumëgjuhësia dhe prania e përkthyesve krijojnë ura komunikimi mes letërsive dhe kulturave të ndryshme.
“Një festival letrar mund të ishte më shumë se një varg takimesh me shkrimtarë dhe libra. Mund të ishte një portë. Një portë përmes së cilës Tirana të mund të takonte botën dhe bota të mund të dëgjonte zërat që vinin nga Tirana”, tha drejtoresha e festivalit, Irena Toçi, në çeljen e tij.
Në qendër të këtij edicioni janë zërat e lënë në heshtje dhe historitë që kërkojnë të dëgjohen, ndërsa të rinjtë shihen jo vetëm si lexues të së ardhmes, por edhe si zëra që formësojnë të tashmen. Për Arta Markun, drejtore e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, letërsia nuk është krijuar për të dhënë përgjigje të gatshme, por për të shtruar pyetje dhe për të krijuar hapësira reflektimi mes autorëve dhe lexuesve.
E pikërisht me pyetje nisi edhe një prej bisedave të para të festivalit, ajo që vendosi në qendër trupin e gruas dhe mënyrën se si ai është përshkruar, përjetuar dhe rrëfyer në letërsi.
Paneli “Trupi flet, fjala rrëfen”, i moderuar nga Maniela Sota, bashkoi shkrimtaret shqiptare Rita Petro, Flutura Açka dhe Majlinda Rama, si dhe shkrimtaren rumune Raluca Nagy, në një diskutim që shkoi përtej trupit si figurë letrare, për të prekur përvojën, kujtesën, identitetin dhe zërin e gruas.
“Kush e ka shkruar deri tani historinë e trupit të gruas? Dhe çfarë ndodh kur ajo merr penën në dorë?”, pyeti Sota në nisje të diskutimit, duke e vendosur temën në një hapësirë më të gjerë: atë të së drejtës së gruas për të rrëfyer veten me gjuhën dhe përvojën e saj. Të shkruajë për dëshirën, mëmësinë, seksualitetin, dhunën, plakjen, bukurinë, sëmundjen apo traumën, jo si një figurë e parë dhe e përshkruar nga të tjerët, por si autore e përvojës së vet. Sepse, siç theksoi moderatorja, ndonjëherë të shkruash për veten do të thotë të tregosh një histori që askush tjetër nuk mund ta tregojë në vendin tënd.
Dhe nga kjo pikë u shtrua edhe pyetja që iu drejtua katër shkrimtareve: Çfarë ndryshon kur gruaja nuk është më personazhi për të cilin shkruhet, por personi që merr penën dhe shkruan për trupin e vet?
Për Flutura Açkën, përgjigjja lidhet me thyerjen e barrierave që për një kohë të gjatë kanë ndarë temat letrare në të rëndësishme dhe më pak të rëndësishme.
“Në fund të fundit, ne kemi ardhur që të thyejmë tabutë, barrierat në letërsinë tonë, që lexuesi të kuptojë se kur ne shkruajmë për dashurinë, është një lloj letërsie; në të njëjtin nivel është edhe erotika, kur shkruajmë për anën sociale, psikologjinë, subkoshiencën, politikën etj.”
Për Açkën, trupi apo erotika nuk duhet të shndërrohen në mjete për të prodhuar lajm apo për të tërhequr lexues të rinj. Letërsia, në këtë këndvështrim, nuk ka nevojë të justifikojë temat që zgjedh; ato janë pjesë e jetës dhe, për këtë arsye, edhe pjesë e letërsisë.
Rita Petro e çoi përgjigjen edhe më thellë, te ajo që e quan instinkt të trupit dhe të shkrimit. “Letërsia e vërtetë fillon nga gjuha e trupit.”
Për të, nuk ka tema të mëdha dhe të vogla, të rëndësishme apo të parëndësishme. Ajo që e bën një shkrim të vërtetë është pikërisht aftësia për të shkruar me instinkt, me atë që dhemb, me atë që dëshirojmë. “Mendoj se shkrimi me instinkt, me gjuhën e trupit, me atë që na dhemb, me atë që është dëshira jonë, e bën letërsinë të vërtetë dhe të bën të ndjesh edhe trupin e tjetrit”, tha Petro, duke e zgjeruar përtej ndarjes gjinore idenë e trupit në letërsi. “Këtu po flas pavarësisht trupit të gruas apo trupit të burrit. Në letërsinë time, puna është që të gjesh atë pikë që të mos kthehet në diçka personale, por ta kapërcesh personalen.”
Majlinda Rama e pa shkrimin si një prej hapësirave ku gruaja mund të marrë mbi vete jo vetëm zërin, por edhe lirinë për ta përcaktuar veten. “Ku ka më mirë sesa gruaja të ketë pushtetin dhe lirinë që i jep letërsia?”, u shpreh ajo.
Gruaja, sipas Ramës, kalon një proces të njohjes dhe përcaktimit të vetvetes, ndërsa momenti kur merr penën është edhe momenti kur nis të mbrojë mendimet e saj, të përballet me veten, madje edhe ta kundërshtojë atë. Në këtë proces, trupi nuk është objekt për t’u vëzhguar apo reduktuar në seksualitet. “E ka trupin vërtet si një vend ku i banon qenia”, tha ajo, duke e vendosur trupin si hapësirën ku bashkëjetojnë përvoja, ndjenja, mendime dhe identitet.
Nga Rumania, Raluca Nagy, e cila është edhe antropologe, solli në diskutim një këndvështrim që lidhi letërsinë me mënyrën se si ndërtohet njohja. Në punën e saj si antropologe, ajo thotë se kërkimi kërkon rigorozitet dhe marrjen në konsideratë të çdo të dhëne. Por çfarë ndodh kur në një pjesë të madhe të rrëfimeve mungon perspektiva e gjysmës së popullsisë?
“Për një kohë të gjatë nuk është marrë parasysh këndvështrimi i 50% të popullsisë, pra i grave. Kështu edhe në letërsi, nga veprat klasike, flitej për burrat dhe jo për gratë; personazhet më së shumti ishin burra.”
Për këtë arsye, Nagy thotë se ka zgjedhur t’i japë kontributin e saj kësaj fushe dhe, në katër librat që ka botuar, është fokusuar te personazhet femra, karakteri dhe mendimet e tyre. Por ajo nuk e sheh këtë si një arsye për ta ndarë letërsinë në kampe.
“Nuk dua të them që tani letërsia duhet të ndahet në dy kampe, për letërsinë për vajza dhe djem, për gra dhe burra. Përkundrazi, ne duhet ta lexojmë njëri-tjetrin dhe ta kuptojmë njëri-tjetrin.”
Biseda nuk mbeti vetëm te pyetja se çfarë ndryshon kur gruaja merr penën. Një tjetër pyetje i çoi autoret te momentet konkrete të krijimtarisë së tyre: Kur e kuptuat se trupi nuk ishte thjesht një pjesë e subjektit, por një mënyrë për të kuptuar personazhin?
Për Rita Petron, përgjigjja lidhet fort me romanin “Lindur së prapthi”, ku përvoja e trupit shoqëron rritjen e personazhit dhe përplasjen e tij me historinë. Ajo tregoi se gjatë shkrimit ka përjetuar një lloj bashkëbisedimi me veten, duke e parë personazhin në mosha të ndryshme dhe duke rikthyer ndjesitë e trupit të saj që nga fëmijëria, adoleshenca e deri te vitet e gjimnazit. Por trupi në roman nuk mbetet vetëm një përvojë intime. Ai lidhet me historinë kolektive, me diktaturën dhe me mënyrën se si një sistem politik mund të ngulitet jo vetëm në mendje, por edhe në trup. Petro solli një prej imazheve më të forta të veprës, atë të rrëzimit të monumentit të diktatorit, kur personazhet e saj ndiejnë edhe gurët që godasin trupat e tyre. “Kur skulptura e trupit të diktatorit ra, kur shkëputi ‘trupin e tij’ nga trupat tanë dhe ne thamë: tani jemi të lirë! Por a jemi vërtet të lirë?”.
Për Petron, tranzicioni i Shqipërisë nuk mund të kuptohet pa këtë trashëgimi të përjetuar dhe të ngulitur në trup e në mendje.
Majlinda Rama e përmblodhi lidhjen mes trupit dhe shkrimit me një formulim që e zhvendos trupin nga anatomia te përvoja: “Ne nuk jemi një antropologji fizike, por një kozmos ndjenjash.” Dhe në momentin kur njeriu ndien dhe ndien edhe detyrimin për ta thënë atë që përjeton, aty, sipas saj, nis të jetë njëkohësisht autor dhe protagonist.
Për Flutura Açkën, raporti mes personales dhe asaj që kërkon t’i përcjellë lexuesit është më kompleks. Ajo veçon veprën “Biri”, të cilën e përshkruan si një vepër me karakter autobiografik, ku marrëdhënia me trupin, shpirtin, mendjen, atdheun dhe gjeografinë ndërthuren në të njëjtin rrëfim. Por për të, një hapësirë të veçantë zë edhe “Ferri i fjetur”, ku raporti mes trupit dhe shpirtit shfaqet në forma të tjera. “Aty ka spirale në raport me trupin dhe shpirtin”, tha Açka, duke e veçuar këtë përvojë nga mënyra se si trupi shfaqet në pjesë të tjera të krijimtarisë së saj.
Raluca Nagy e lidhi pyetjen me romanin “Teo nga 16 në 18”, ku trajton edhe injorimin e sëmundjeve të grave dhe, bashkë me të, injorimin e trupit, ndjenjave dhe përvojave që lidhen me sëmundjen. Përtej letërsisë, ajo solli edhe përvojën e saj personale si burim shkrimi. Situatat me të cilat është përballur, thotë ajo, i ka analizuar, i ka përjetuar dhe më pas i ka hedhur në letër. Jo gjithmonë dhe jo në çdo libër, por duke lejuar që një pjesë e këtyre përvojave të bëhet material letrar.
Në fund të këtij takimi, ndoshta ajo që mbeti nuk ishte një përgjigje e vetme për pyetjen se çfarë ndodh kur gruaja merr penën në dorë. Mbetën shumë përgjigje, shumë përvoja dhe shumë mënyra për ta parë trupin: si kujtesë, si vend ku jetojnë ndjenjat, si pjesë të historisë, si identitet, si plagë, si dëshirë, por mbi të gjitha si një hapësirë nga e cila mund të nisë fjala.
Takimi u mbyll me një tjetër formë rrëfimi. Secila prej katër autoreve lexoi për të pranishmit një pjesë nga një prej veprave të saj, duke i dhënë zë, përmes vetë fjalëve të shkruara, asaj përvoje për të cilën sapo kishte folur. Nga diskutimi te teksti, nga rrëfimi personal te letërsia, autorët dhe lexuesit u takuan kështu edhe një herë brenda faqeve të librave.
Për ata që ishin të pranishëm, përgjigjet e katër shkrimtareve ishin një tjetër mënyrë për t’iu afruar veprave të tyre. Përgjigje sa personale aq edhe letrare, që nuk gjenden gjithmonë në faqet e një libri, por që një festival si “Tirana Gate” i sjell përballë lexuesit, në një takim të drejtpërdrejtë me autorin dhe me botën e tij.
Dhe ndoshta pikërisht këtu qëndron një nga vlerat e një festivali letrar: jo vetëm të flasë për librat, por t’i bëjë lexuesit të dëshirojnë t’i hapin ata.
© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Albas në Panairin e Librit në Shkup: Tituj të rinj dhe zbritje speciale nga data 8 deri 14 maj
ALBAS prezanton katalogun e botimeve shkollore për Shqipërinë për vitin 2026-2027
“25 vjet në shërbim të dijes”, ALBAS-i organizon seminar tematik për mësuesit në Prishtinë