GRAMATIKË

“Kush?” dhe “cili?”, pak ndihmë për maturantët, që janë në kohë provimesh

Me anë të përemrave pyetës “kush?” dhe “cili?” ne pyesim për frymorë e sende, për sasinë, rreshtin, përkatësinë a tiparet e tyre. Por shumë herë na ndodh t’i hasim apo t’i shkruajmë gabim, duke përdorur njërin në vend të tjetrit. Edhe për këtë çështje gramatika e gjuhës shqipe e ka një përgjigje.

“Kush?” dhe “cili?”

Si t’i përdorim saktë këta dy përemra pyetës?

Kur duhet të përdorim përemrin pyetës “Kush” dhe kur “Cili”?

Me anë të përemrave pyetës “kush?” dhe “cili?” ne pyesim për frymorë e sende, për sasinë, rreshtin, përkatësinë a tiparet e tyre. Por shumë herë na ndodh t’i hasim apo edhe t’i shkruajmë e përdorim vetë gabim, duke përdorur njërin në vend të tjetrit. Edhe për këtë çështje gramatika e gjuhës shqipe e ka një përgjigje.  


I) Përemri pyetës “kush?” ka një kuptim shumë të pacaktuar se  përemri “Cili?” dhe përdoret vetëm për njerëz, pra kur pyesim për frymorë.  

-Kush të shoqëroi në shkollë? Kush është? Kush të tha? Kush e bëri?

-Kush do të emërohet në vend të tij? Kush e pa? E pe kush erdhi? Kush ishte?  

KUJDES! Ky përemër pyetës nuk përdoret: 

a) kur shoqërohet drejtpërdrejt nga emri: P.sh.: Kush nxënës mungon sot?  Në këtë rast përdoret përemri “cili”: Cili nxënës mungon sot?

b) Kur pyesim për dy ose më shumë frymorë: Kush erdhën? Edhe në këtë rast përdoret përemri “cili”: Cilët erdhën?


II) Përemrin pyetës “cili?” zakonisht përdoret për të pyetur për sende. /Cili libër të pëlqen më shumë? Cilin fustan zgjodhe në dyqan?/ -  Por, siç thamë më lart, ka raste që ky përemër zëvendëson përemrin pyetës “kush?” dhe përdoret për të pyetur edhe për frymorë kur:

a) pyesim për dy ose shumë frymorë, pra për shumë frymorë, njerëz:  Cilët erdhën? 

b) kur përemri pyetës “kush?” ndiqet drejtpërdrejt nga emri:  Cila vajzë e tha këtë? 

c) kur duam të përcaktojmë, konkretizojmë, saktësojmë ose veçojmë një frymor nga grupi ku ai bën pjesë: Cili prej tyre ta tha këtë gjë? 



PRA, KUJDES! Kur pyesni për një send, për dy ose më shumë frymorë ose kur përemri pyetës “kush?” ndiqet drejtpërdrejt nga emri, mos përdorni kurrë përemrin pyetës “kush?", por “cili/cila, cilët?”!


Përgatiti: Sevi (Lami) Agolli


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,987 Lexime
3 vjet më parë