Luan Stafasani: Përfshirja e prindërve në edukimin e nxënësve
Prindërit luajnë një rol kryesor në edukimin e fëmijëve dhe duhet të përfshihen në çdo drejtim të zhvillimit të tyre. Origjina e shtetit është familja- ka thënë një filozof i njohur. Ndërsa mësuesit kur ndeshin nxënës të edukuar kuptojnë se ata vijnë nga familje e prindër të shkëlqyer.
"Më jepni prindër më të mirë dhe do t'ju jap një botë më të mirë".
Edukimi është tërësia e cilësive shpirtërore, mendore e fizike, e shprehive kulturore, vetitë morale, tiparet e karakterit e të vullnetit, zakonet, shijet, që fiton njeriu nën ndikimin sistematik të shkollës, të familjes e të shoqërisë duke mësuar e punuar, formim i përgjithshëm e i veçantë i njeriut, është respekt për njeriun.
Ndërsa latinët me edukim (edukatio) kuptonin rritje, në shkollë është një nga veprimtaritë kryesore përmes së cilës synohet që individi (nxënës) të formohet në mënyrë të përgjithshme. Këtij parimi i mëshon fort edhe shkolla perëndimore e cila ka si synim kryesor të përgatisë nxënësin si qytetar në radhë të parë, si njeri të edukuar dhe ky është drejtimi kryesor ku ata punojnë në shkollimin bazë (9 apo10-vjeçar, sipas sistemit që kanë). Edhe në shkollat tona punohet në këtë drejtim dhe veprimtarinë në shkollë e quajmë Procesi Mësimor Edukativ (PME). Edukimin e nxënësve e synojmë kryesisht përmes orëve edukative, lëndës së Qytetarisë e Sociologjisë si dhe pjesëve letrare.
Realiteti që jetojmë na tregon një tablo të zymtë në lidhje me edukimin. Për shkak të mungesës së edukatës e edukimit të mirë ne përballemi me një mungesë të thellë të edukatës kudo: në parlament, ku paramendohet se do burojë edukata në komunikim, në respektimin e të drejtave të pakicës, në politikë ku nuk gjen vend njeriu i edukuar e qytetar por e kundërta e tij. Prej politikës (pas erës së re, viteve 90-të e këtej) ka gjeneruar vetëm frikë, ankth dhe retorikë bajate dhe jo edukatë e edukim me parime e norma qytetarie. Mungesën e edukatës e ndeshim në rrugë, në sheshe e institucione.
Përse kemi mbërritur këtu ku jemi? E thashë më lart se politika e shoqëria e kanë braktisur në këtë betejë jetike shkollën e familjen, të cilat kanë mbetur të vetme në këtë fushë betejë. Edukimi i nxënësve është detyrë parësore e shkollës dhe familjes. Roli i prindërve është i jashtëzakonshëm në rritjen dhe zhvillimin e fëmijëve të tyre të tyre dhe marrëdhënia shkollë-familje duhet të jetë më efektive, kërkohet një ndërveprim i mirëfilltë me qëllimin final, edukimin e individit. Shkolla ç'është e vërteta i ka shtuar përpjekjet e saj vit pas viti, politikat edukuese sa vijnë e shtohen prej dikasterit qendror tek mësuesit pavarësisht se ato do duheshin shoqëruar e motivuar edhe financiarisht tek mësuesit. Prindërit kanë një ndikim të fortë në edukimin e fëmijëve të tyre .
Po ç'mund të bëjnë prindërit më shumë në edukimin e fëmijëve të tyre?
- Prindërit nuk duhet ta konceptojnë shkollën si vend depozitimi apo ruajtje fëmijësh por duhet të jenë më bashkëpunues me mësues e drejtues të shkollës.
- Në darkë fëmija duhet intervistuar se si ka qenë dita në shkollë dhe duhet porositur për sjellje qytetare në raport me nxënës, mësues e drejtues dhe mjedisin. Edukata e zbukuron njeriun.
- Duhet t'i flasë për higjienën personale sepse prindi mund të bëjë biseda shteruese me fëmijën e tij në lidhje me higjienën dhe zhvillimin psiko-fizik.
- Të vëzhgojë paraqitjen e rregullt të fëmijës së tij ashtu siç e kërkon rregullorja e shkollës e të këmbëngulë në ushqimin e fëmijëve në shtëpi ose me ushqime shtëpie në shkollë e jo në fast-food.
- Të ndalojë mbajtjen e celularit nga ana e fëmijëve, të ushqejë tek ata idenë se sjellja e tyre është pasqyra e vërtetë e familjes që përfaqësojnë.
- Të paktën një herë në muaj prindi duhet të marrë kontakt me mësuesit e fëmijës së tij për t’u njohur me ecurinë e PME.
- Të qartësojë tek fëmija i tij faktin se duhet të rendë pas gjërave që kanë rëndësi e për stadin e jetës fëmija, shkolla është udhë një kalimshe e si rregull nuk mund t'i kthehesh përsëri.
- Të edukojë fëmijën me ndjenjën e punës e jo dembelizmit. Puna për fëmijët është të mësuarit. Motoja e tyre duhet të jetë "Lumturia shkon tek ata që punojnë shumë".
- T'i thotë fëmijës se çdo njeri i edukuar është në fund të fundit njeri i fituar dhe ta orientojë atë kah sporti e letërsia për të mbushur kohën e lirë. Sporti e rrit fëmijën e mëson me shpirtin e garës e frymën e grupit ndërsa letërsia i zbut shpirtin.
- T'i flasë fëmijës për historikun e familjes së tij e ta shoqërojë në vizitat e vendeve e muzeve historike, ta edukojë me ndjenjën e qëndrueshmërisë dhe atdhedashurisë e zgjidhjet t'i kërkojë këtu e jo në vende të huaja.
- Të ushqejë tek fëmija ambicien për të arritur pritshmëritë dhe objektivat që i takojnë dhe t'i bëjë me dije se çdo gjë ka kohën e vet e kohët nuk duhen ngatërruar. Ka një kohë për çdo gjë: për të dalë nga shtëpia për tu rikthyer për tu shkolluar.
- Thënia lapidare "Gjeje shokun më të mirë se veten” duhet të jetë lajtmotivi i përditshëm i prindit ndaj fëmijës së tij. Ta edukojë fëmijën me disiplinën, organizimin, vetëpërmbajtjen, durimin. Të konsiderojë tabu alkoolin, drogën, duhanin e të mos krijojë lidhje varësie me asgjë e këdo.
Kur i pyeta nxënësit e mi rreth kësaj teme më thanë se do të donin që prindërit e tyre të ishin të matur, të duruar, t'i ndihmonin në mësime, të mirëkuptonin edhe ndonjë gabim, të krijonin një klimë të ngrohtë bashkëbisedimi, t’u thonë atyre të paktën 100 fjalë edukuese sepse është e sigurt që 20 do të mbeten në mendjen e tyre.
Në përfundim ajo që dua të theksoj është se prindërit luajnë një rol kryesor në edukimin e fëmijëve e duhet të përfshihen në çdo drejtim të zhvillimit të tyre. Origjina e shtetit është familja-ka thënë një filozof i njohur. Ndërsa mësuesit kur ndeshin nxënës të edukuar kuptojnë se ato vijnë nga familje e prindër të shkëlqyer.
Shkruar nga mësuesi Luan Stafasani
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Dritan Staro: Çfarë është një projekt shkollor?
Si të përgjigjeni saktë në testimin me shkrim dhe me gojë (arsim)
Koordinatori i cilësisë në shkolla/ Edlira Angjeliu: Dilemat, vështirësitë, arritjet…