Më 26 shkurt promovohet në Prishtinë libri “Pavarësia e Kosovës – ‘Vatra’ dhe ‘Dielli’ (1981-2008)” nga Prof. Dr. Roland Gjini

Do të promovohet të enjten në Prishtinë libri i Prof. Dr. Roland Gjini “Pavarësia e Kosovës - Federata Panshqiptare ‘Vatra’ dhe gazeta ‘Dielli’ (1981–2008)”. Botimi nga ALBAS trajton rolin e diasporës shqiptare në mbështetje të çështjes së Kosovës, nga demonstratat e 1981 deri pas shpalljes së pavarësisë.

26 shkurt (e enjte), në orën 18:00, në Librarinë Dukagjini në Sheshin “Nënë Tereza”, do të mbahet promovimi i librit “Pavarësia e Kosovës - Federata Panshqiptare ‘Vatra’ dhe gazeta ‘Dielli’ e SHBA-së (1981–2008)”, nga autori Prof. Dr. Roland Gjini, botim i Shtëpisë Botuese Albas.


Ky botim sjell një studim të thelluar mbi kontributin e Federatës Panshqiptare “Vatra” dhe gazetës së saj “Dielli” në mbështetje të çështjes së Kosovës, që nga demonstratat e vitit 1981, deri në shpalljen e pavarësisë dhe vitet pas saj. Sipas akademikut Beqir Meta, vepra përbën një kontribut të rëndësishëm shkencor, duke mbushur një boshllëk në studimet për diasporën shqiptare dhe angazhimin e saj në momentet kyçe të historisë kombëtare.


Libri analizon qëndrimet dhe reagimet e “Vatrës” dhe “Diellit” ndaj zhvillimeve dramatike në Kosovë, duke përfshirë:

  • demonstratat e vitit 1981,
  • heqjen e autonomisë më 1989,
  • rezistencën paqësore dhe luftën çlirimtare,
  • procesin e pavarësisë.

Përmes dokumenteve, rezolutave, editorialeve dhe analizave, lexuesi mund të kuptojë ndikimin e diasporës shqiptare në opinionin amerikan dhe diplomacinë ndërkombëtare.


Autori, Prof. Dr. Roland Gjini, është historian dhe pedagog me një karrierë të gjatë akademike, me një sërë botimesh shkencore dhe tekste universitare. Ky botim pritet të zgjojë interes të veçantë tek studiuesit, studentët dhe publiku i gjerë që ndjek historinë bashkëkohore të Kosovës dhe rolin e diasporës shqiptare.



Të gjithë të interesuarit, studiues, studentë dhe dashamirës të librit, janë të ftuar të marrin pjesë në këtë aktivitet promovues.



©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë  

67 Lexime
13 orë më parë