Opinion

Mësuesi Bledi Lipo: Festa, çfarë, si dhe pse?

Festat e të huajve, pra jo tonat kombëtare, ne mund t’i njohim për informacion, për të njohur të drejtën e tjetrit për të jetuar, por nuk mund të imitojmë çdo festë të çdo populli dhe aq më pak të asimilojmë vlerat tona kulturore, kombëtare apo vetjake.

Nuk e di ç’pjesë e kimisë së njeriut është e prirur për të festuar, pasi nëse pranojmë se biologjikisht njeriu është grumbull mikro dhe makroelementesh, këtu lind një pyetje: “Ç`pjesë  e tyre evoluoi për të festuar? M.q.s pranojmë se qelizat evoluon për të kryer disa funksione të ndryshme si një punë në grupe që bëjnë njerëzit, këto qeliza në "konferencën e tyre" duhet të kenë diskutuar edhe lidhur me atë se cilat qeliza do të kenë përgjegjësi për të festuar, sa herë që këto të tjerat të ndihen të stresuara...normalisht nuk po shtoj këtu, se nga e dinin që do stresoheshin, pasi ato sapo u formuan si pjesë e një shumëqelizori...


Dimë se qelizat e një njeriu në fazën e pas zigotës (morules) janë të afta gjenetikisht të japin çfarëdo forme qelizore që më pas do të diferencohen në inde, organe apo aparate, mirëpo nuk dimë ç`pjesë e tyre dha një strukturë për të festuar? Cili ind quhet indi i festës? Apo cili organ feston? Truri, mendja(ku ndodhet kjo) apo zemra? Apo ka ndonjë strukturë tjetër natyre e secilës nuk përbëhet aspak nga këto elemente të amalgamës njeri, që është shpirti? 


Këtu zënë fill dhe ndahen qytetërimet, romanet, librat, dijetarët dhe ideologët...

Këtu zënë fill dhe ndërtohen kurrikulat, shkollat, kolegjet, universitetet...

Këtu formësohen edukatoret, prindërit dhe mësuesit...

Këtu dalin dhe diferencohen nxënësit, fëmijët, njerëzit.   

Por këtu ndahen dhe diferencohen edhe festat, arsyet e festimit dhe mënyrat e manifestimit, morali i festimit dhe qëllimi nëse ka diçka të tillë. 


Normalisht nuk jam ndonjë ideolog i madh që të marr guximin të sqaroj këtu tërësinë e festave që kanë shoqëruar njeriun prej nga origjina e tij në tokë, e me pas t`i kategorizoj në festa që mund të jenë fare pagane(edhe pse nuk e di në ka festë të tillë që nuk kërkon pjesëmarrjen e shpirtit, pasi edhe sikur një pagan të festojë festë zjarri, apo ku di unë, festë toke dhe metalesh, ai përsëri feston duke manifestuar me anë të shpirtit, prej këtej e pyesim paganin modern, prej nga erdhi shpirti i stërgjysheve paganë?), festa pjesërisht pagane, politike, kombëtare, familjare, sportive apo fetare. Edhe pse për mënyrën se si jam edukuar unë pavarësisht se ja lë lexuesit t’i ndajë këto hesape, unë mendoj se të festuarit manifestohet me anë të shpirtit, sa do që ndonjë mësues biologjie apo kimie do më flasë për feromone, hormone apo formula kimike të sistemit hipotalamus hipofize, përsëri nuk do arrijnë të shpjegojnë dukshëm dhe qartë, se ç`pjesë e hipotalamusit e nxit mendimin për të festuar dhe ç`pjesë e hipofizës kënaq receptorët e kënaqësisë, dhe ku ndodhen këto të fundit që të ndërlidhen kaq bukur mes tyre dhe sistemit hormonal...


Pa u ndalur gjatë këtu ku njerëzimi është ndalur aq gjatë sa është munduar të hartojë edhe qyetërime ndër shekuj. Mund të themi se arti, meditimi, morali janë pjesë e shpirtit, ai që do mund t’i vërtetojë p.sh mësimi e çoi Njutonin tek ligji ndërsa Meditimi e çoi Moxartin tek simfonia. Shkencëtari ka kohën e vet ku zbulon, hulumton ndërsa artisti me veprën e vet gjendet në të gjitha kohët. Po ashtu në ç`pjesë të psikikëës kemi indin e moralit? Njeriu është artist dhe vepër arti, pasi në të gjenden kaq bukur të harmonizuara, ekuilibrat gjenetike, qelizore, hormonale që i përkasin materies dhe ekuilibrat e meditimit, sjelljes, artit, moralit që i përkasin shpirtit, qenie me trup, shpirt dhe intelekt...Prej këtej e kemi të qartë se edhe festat nuk mund të dalin jashtë kësaj formule perfekte. 


Njeriu përgjatë civilizimit mësoi të përdorë gurin si vegël pune, por e përdori edhe për adhurim në kohë të ndryshme e vijon deri në këto kohë moderne ku nuk janë të pakët ata që besojnë në idhuj, përsëri del dualiteti i tij si njeri. 


Normalisht që njeriut i del si nevojë që të kënaqë edhe shpirtin, ndryshe do ishte si një lavatriçe, lavatriçja nuk feston sepse nuk e di nëse po lan rroba firmato apo rroba gabi, ne festojmë nëse vishemi me firmato. Këtu ka meditim edhe për ateistin që nuk beson se ka shpirt, brenda tij ai ka shpirt që mediton, madje në raste tërmeti i zgjidhet gjuha të kërkojë ndihmë prej andej nga shpirti ka dhe origjinën. 


I kërkoj ndjesë lexuesit nëse e zgjata pak, por hyrja është e nevojshme për të përcaktuar edhe ushqimin e shpirtit, pra festa mund të hyjë tek ato ushqime që quhen ushqime shpirtërore sikur është shikimi i një pikture, meditimi tek një sinfoni, meditimi në natyrë, morali në një kohë që nuk të sheh askush, p.sh ti mund të vendosësh një maskë se të sheh polici, por mund të vendosësh edhe një maskë sepse mendon se bën mirë...


Kur je i moralshëm dhe kur je i dresuar? 


Festat që e shoqërojnë njeriun janë momente kënaqësie dhe në një lloj mënyre,  momente kur i japim përparësinë e duhur shpirtit të lënë pas dore, për shkak të detyrave, punëve apo studimeve etj., sikush sipas profilit qe ka.


Qytetërime të ndryshme kanë festa, kurrikula shkollore, histori  dhe politika të ndryshme, ndaj edhe në botë mënyrat e manifestimit janë të ndryshme. 


Ne si pjesë e kësaj shoqërie mbarëbotërore kemi festat tona që na identifikojnë si komb, si shoqëri por edhe historinë tonë përgjatë ekzistencës. 


Këto festa karakterizojnë identitetin tonë, por edhe qëllimet tona se për ku jemi duke edukuar brezat në vijim. Duke parë se çdo ditë globalizmi po e kthen botën në një fshat të vogël edhe përplasjet mes qytetërimeve janë edhe më evidente, këtu sikush gjen dhe vesh një identitet që i vjen përshtat.


Shteti ynë ka disa synime në arsimin parauniversitar dhe prej këtej jemi në një farë mënyre të dresuar apo të lirë varet si e quan veten sikush brenda vetes së tij, që të njohim së paku këto synime:

Qëllimet  E Arsimit parauniversitar lidhur me nxënësit:

• zhvillohen në aspektet intelektuale, etike, fizike, sociale dhe estetike;

• përvetësojnë vlera të përgjithshme kulturore dhe qytetare; 

• kultivojnë identitetin vetjak, kombëtar dhe përkatësinë kulturore; 

• Në arsimin parauniversitar nxënësit përdorin teknologjitë e reja;

• zhvillojnë shpirtin e sipërmarrjes;

• aftësohen për të nxënë gjatë gjithë jetës;

• aftësohen për jetë dhe për punë, në kontekste të ndryshme shoqërore e kulturore; 

• zhvillojnë përgjegjësi ndaj vetes, ndaj të tjerëve, ndaj shoqërisë dhe ndaj mjedisit; 


Me pak fjalë synime që i duhen çdo individi,  prej këtu ne mund të themi se duke festuar jemi duke zbatuar edhe këtë pikë të synimeve arsimore ose së paku duhet ta kemi marrë parasysh. 

kultivojnë identitetin vetjak, kombëtar dhe përkatësinë kulturore.

Pra nëpërmjet festimit ne kemi edhe identitetin kombëtar, kulturor dhe vetjak. 


Por kemi dhe këtë pikën tjetër ku na duhet të aftësohemi për të punuar në kontekste të ndryshme kulturore në botë. 

Ndaj ne kemi festat tona si më poshtë: Festa zyrtare

01 janar 2020 Festat e Vitit të Ri

02 janar 2020 Festat e Vitit të Ri

03 janar 2020 Pushim zyrtar***

14 mars 2020 Dita e Verës*

22 mars 2020 Dita e Nevruzit*

12 prill 2020 E diela e Pashkëve Katolike*

19 prill 2020 E diela e Pashkëve Ortodokse*

01 maj 2020 Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve

24 maj 2020 Dita e Bajramit të Madh**

31 korrik 2020 Dita e Kurban Bajramit**

05 shtator 2020 Dita e Shenjtërimit të Shenjt Terezës*

28 nëntor 2020 Dita Flamurit dhe e Pavarësisë*

29 nëntor 2020 Dita e Çlirimit*

08 dhjetor 2020 Dita Kombëtare e Rinisë

25 dhjetor 2020 Krishtlindjet

Por kemi edhe disa festa jozyrtare si p.sh 1 Qershori...7-8 Marsi etj. 


Festa nëpërmjet së cilave del identiteti kombëtar, ai kulturor dhe vetjak. 

Sa i përket festave të tjera ne mund t’i njohim për informacion për të njohur të drejtën e tjetrit për të jetuar, si informacion që na bën të mendojmë se çdo popull feston duke mbështetur edhe njëherë se shpirti do ushqyer, por nuk mund të imitojmë çdo festë të çdo populli dhe aq më pak të asimilojmë vlerat tona kulturore, kombëtare apo vetjake. 


Por në shoqëri të ndryshme edhe mënyrat e festimit janë ndryshe sikur janë festat e ndryshme, pra dikush feston duke ushqyer trupin, ha, pi dhe dëfrehet ndoshta edhe seksualisht, pa kënaqur shpirtin.

Dikush e kalon festën duke kombinuar ushqimet e shijshme, momentet e kalimit me familjen, udhëtimin për meditim, leximin, solidaritetin me të varfrin për t’i dhënë formë moralit, ndoshta shton edhe mirënjohjen ndaj Zotit si ai që i dha mundësi të festojë, punojë, frymojë dhe jetojë. 


Kështu dalin edhe festat pagane pjesërisht dhe fetare totalisht, por edhe festat kombëtare të cilat përkujtojnë kontributin e figurave të shquara që kanë dhënë kontribut për një vend apo për një tjetër. 

Normalisht ne si edukatorë dhe mësues na takon edhe një rol i rëndësishëm që të njohim synimet arsimore, të orientojmë nxënësit drejt veshjes me to dhe të kemi një vetëdijesim lidhur me faktin se çfarë jemi duke ofruar dhe shërbyer. 


Mënyra se si ne sot edukojmë dhe arsimojmë duhet të jetë e orkestruar mirë drejt asaj që është e moralshme, e vyeshme, e mirë dhe e drejtë. Në këtë kuadër nëse do të festojmë si duhet festat të cilat na karakterizojnë është e mjaftueshme mendoj, që shpirti ynë të gjejë atë ushqim apo boshllëk që krijohet rëndom gjatë ditëve.  


P.sh edhe ngrënia e ushqimit së bashku në familje jep kënaqësi dhe largon stresin. Me pak fjalë ushqen shpirtin. 

  • Leximi i librave dhe blerja e tyre së bashku me fëmijët.
  • Skicimi dhe vizatimi së bashku me fëmijët do kënaqë pa masë ata.
  • Luajtja me ta dhe argëtimi.
  • Të gatuarit së bashku me ta.
  • Të përfshirit e tyre në punë të thjeshta shtëpie. Dikur kishim edukatë shtëpiake, ose punë dore në klasat tona. 

Mjafton që të organizosh ditën në mënyrë të tillë që fëmija të ndihet i vlerësuar, njejtë si vëllai i madh që nuk duhet braktisur kur lind motra e vogël. 


Do ishte e tepërt të festohen party shtrigash, me alkool apo duhan dhe drogë me fëmijë që janë nën moshën e pjekurisë. Por dhe ata që janë mbi moshë pjekurie, nuk mendoj se janë dhe aq të pjekur për sa kohë që janë duke konsumuar diçka që u vret trurin dhe të menduarit, apo dhe trupin, lexuesi le ta ndajë vetë këtë se kur quhet i pjekur. 


Po ashtu me kujtohet një emision "mos e beso po deshe" në mos gaboj, ku njerëz të caktuar lëshuan mjekër si Heminguej dhe pinin alkool si ai, pa çuar në mendje nëse ndonjë nga këta ka lexuar “Plaku dhe deti”. Mendoj se ndonjëherë jepemi pas epsheve dhe harrojmë mesazhet e veprave apo autoreve, lëre pastaj ta mendojmë veten pjesë të veprës, sikur shprehet dhe Dostojevski në fillim të romanit Vëllezërit Karamazov. 

Pra është me vend të mendojmë dhe etimologjinë e festës dhe llojin e ushqimit që na servir, për të lënë më pas gjurmë në të. 


Por edhe shikimi i televizionit përveç se duhet reduktuar mendoj, duhet të shoqërohet me prezencë të prindërve për të gjetur pse jo edhe mendimin kritik, si diçka që fut në punë mendjen, në mënyrë që fëmija të kënaqet duke gjykuar dhe të gjykojë duke jetuar i lirë, të ndërtojë identitetin vetjak, atë që është edhe një nga synimet e kurrikulës sonë. 


Normalisht nuk marr përsipër këtu të bëj të zgjuarin apo të hap tema diskutimesh pasi çdokush e ka marrë një formim, në bazë të të cilit reflekton rreth fakteve dhe hulumton, në mos e pranon dhe shpirtin për meditim.


Ndjesë për zgjatjen!

Respekt për çdo koleg dhe kolege që jep më të mirën në dobi të edukimit dhe arsimimit të brezave!

Suksese!              

                                                                       

Mesues: Bledi Lipo 



Përgatiti për publikim N.Allkja Biçaku 

©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë

3,518 Lexime
3 vjet më parë