Thirrje

Mësuesja Malvina Rista: Kolegë dhe prindër, të kuptohemi mes nesh, për të kuptuar më mirë fëmijën!

Peshën nuk mund ta mbajë vetëm mësuesi apo vetëm prindi. Duhet të jemi bashkë të fortë, përpara nevojave dhe mundësive të fëmijëve! Të dashur, ne jemi bashkë në betejën për të nxjerrë fëmijët në jetë! Formojmë karakteret, personalitetet e së ardhmes.

Jam prind dhe mësuese. 

Vajza ime është në kopsht me mësueset më të mrekullueshme që ekzistojnë. Po, po! Përsa kohë fëmija im shkon me dashuri në kopsht dhe përcjell kaq shumë pozitivitet për njerëzit që e rrethojnë aty, dhe jo vetëm për mësueset, por për të gjithë stafin; dhe përsa kohë unë e di shumë mirë se çfarë heqin mësuesit çdo ditë, edukatoret çdo minutë, hap pas hapi me, dhe, për fëmijët, nuk mundem në mënyrë absolute të gjykoj punën e tyre dhe për më tepër të gjithë peshën e edukimit të fëmijës tim, formimit, fitimit të njohurive tua lë atyre. 


Jam dakord, (Ne) kemi qenë një brez që prindi nuk na rrinte mbi kokë dhe as nuk na detyronte madje të mësonim (të tilla ishin kushtet), vlente shprehja : "Nuk është me të thënë, është me të dhënë"!. Dhe nëse nuk e kishe shume dëshirë librin dhe mësimet, ta gjenin vendin në gjëra të tjera, qoftë edhe punë të rëndomta! 


Sot, falë Zotit njerëzit (sidomos në Shqipëri), janë ndërgjegjësuar për vlerën e arsimit dhe duan të gjithë, pra, bëjnë të pamundurën që fëmijës t’i japin një arsim cilësor që do ta nxjerrë në dritë e ta bëjë të pavarur. Fitore kjo, sidomos për vajzat! 


Mirëpo ky brez i telefonave të zgjuar, po i bën fëmijët dembelë. Duke preferuar e pasur më të thjeshtë t’i gjejnë gjërat gati, bien pre e një arsimimi sa për të thënë, sa për të kaluar radhën. Pa u thelluar, pa studiuar, pa hulumtuar, pa kritikuar, etj. Andaj, prindi shpesh detyrohet t’i qëndrojë në kokë fëmijës për ta vënë në punë! Ka dhe nga ata që pa i gjykuar aspak, pasi e theksoj, jam prind vetë, nuk kanë mundësi reale ta bëjnë këtë.


 Por ama, kjo nuk e justifikon aspak faktin që shpesh dëgjoj apo dëshmoj situata krejt të pakëndshme, ku akuzohet apo rëndohet vetëm njëra palë me pa të drejtë! 


Të dashur, ne jemi bashkë në betejën për të nxjerrë fëmijët në jetë! Formojmë karakteret, personalitetet e së ardhmes. Profesionistët që nesër do të na shërbejnë të gjithëve dhe do na ofrojnë njohuritë e tyre në praktikë. Peshën nuk mund ta mbajë vetëm mësuesi apo dhe vetëm prindi. Duhet të jemi bashkë të fortë, përpara nevojave dhe mundësive të fëmijëve! 


Andaj do t'ju bëja thirrje, qoftë prindër, qoftë mësues, të forcojmë bashkëpunimin mes nesh, të kuptojmë njëri-tjetrin, duke mos bërë gjykime të pabaza, pasi janë gjithmonë dy anë të medaljes. Të vendosim fëmijën në qendër të vëmendjes, janë e ardhmja jonë. Populli ka një shprehje: “Një punë që se bën vetë, mos kërko t’i gjesh të metë!”.


Prandaj të kuptohemi mes nesh, për të kuptuar më mirë fëmijën! 

Nga MSc.Malvina Rista

Mësuese, Trajnuese, Koordinatore në fushën e Edukimit


©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,716 Lexime
2 vjet më parë