Dedikim

Natasha Pepivani mbush 75-vjeç, Rita Petro: Një grua e rrallë, një profesioniste e shkëlqyer e gjuhës shqipe

Kryeredaktorja e Shtëpisë Botuese Albas por edhe autorja e shumë teksteve shkollore, Natasha Pepivani, mbush sot 75-vjeç. Rita Petro, presidentja e kompanisë ALBAS, por edhe mikja e saj prej vitesh, veçon në këtë ditë të shënuar urimet më të bukura e domethënëse për të...


“Natasha e dashur, e vështirë të gjesh fjalët e duhura në përvjetorin tënd të 75-të për atë çka ke dhënë për mua personalisht dhe për Albasin, por edhe më tej. 


Një shkollë e madhe profesionale, dashurie, bujarie, tolerance, emancipimi, e mbi të gjitha, ke treguar se si mund të buzëqeshësh edhe në momentet më të vështira që të ka sjellë jeta. 


Ti je shembulli më i përkryer i njeriut që nuk plaket kur nuk ndalet së punuari duke qenë mendjehapur pa u trembur nga asnjë sfidë teknologjike e kohëve të sotme moderne. Ti pa dyshim ke një kontribut të jashtëzakonshëm si një nga redaktoret më të mira të gjuhës shqipe, veçanërisht në fushën e teksteve shkollore. Ti je ajo gruaje modeste me mëngët e përveshura ashtu siç ke dalë dhe në foto. 


Nuk e di se çfarë fati kam patur që ditën e parë kur punuam në të njëjtën zyrë (1985) në Shtëpinë Botuese të Librit Shkollor dhe vazhdojmë së bashku ëndrrën tonë, që e nisëm me Laton, duke qenë sot të pranishëm me tekstet tona kudo ku mësojnë nxënësit shqiptarë. Fati më takoi me ty, por dashuria dhe respekti për njëra-tjetrën na mbajtën kaq vite e do të na mbajnë deri në fund. Shumë përqafime në ditën tënde të lindjes  dhe shumë urime që t'i mbushesh e t'i kalosh të 100-tat”.


Nga Rita Petro


©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,114 Lexime
1 vit më parë