SONDAZHI

Nisma: Portali Shkollor Albas shpall marsin si Muajin e Mësimdhënësve dhe të Nënave

Portali Shkollor shpall muajin mars si Muajin e Mësimdhënësve dhe të Nënave, ku të gjithë ftohen të bëhen zë për figurën e nënave dhe të mësuesve, në respekt të tyre! Ju mund të na i dërgoni idetë, shkrimet ose projektet tuaja në adresat tona të kontaktit. Kjo do të jetë protesta dhe festa jonë këtë muaj!

7 dhe 8 Marsi, festë apo protestë?! 

Pse jo një muaj kushtuar nënave dhe mësimdhënësve? 

Pse jo një muaj kushtuar gjithë rëndësisë që këto dy figura kanë për mbarë kombin?!


Sigurisht kjo do të ishte një formë proteste për ata që dinë se për çfarë duhet të protestojnë dhe një mënyrë feste për “fitoret” që kanë arritur si mësues ose nëna, femra! Por pse jo edhe një forcë dhe optimizëm për t’ia dalë mbanë kësaj periudhe të vështirë pandemie e për t’i dhënë shpresë një brezi të ri që u përballë dhe po përballet me turbulenca nga më të ndryshmet!


Nisur nga këto dhe me iniciativën e mësuesit bashkëpunëtor Evans Drishti, Portali Shkollor Albas në shkurt lancoi sondazhin mbi nismën që muaji mars të shpallej si muaji i mësimdhëniesve dhe i nënave. 


Plot 1,175 vetë i janë përgjigjur këtij sondazhi, teksa ndjekësve u është drejtuar pyetja: “Si mendoni, a duhet të shpallet muaji Mars si muaji i mësimdhënësve dhe i nënave?”. 

Ndjekësit patën mundësi të merrnin pjesë në këtë sondazh përgjatë 10 ditëve teksa mund të votonin thjesht me “Po” ose “Jo” këtë nismë. 


Këtij sondazhi i janë përgjigjur mbi 1100 ndjekës teksa 95% e tyre (1081 persona) kanë votuar pro shpalljes së muajit Mars si muajin e mësimdhënësve dhe të nënave. Por vetëm 5% e tyre (57 persona) kanë qenë kundër kësaj nisme. 

Si mund t’i bashkoheni kësaj nisme?


Pa mendojeni pak, për çfarë do të protestonit ju si mësues? Po si nëna? Cilat janë gjerat më të bukura për të cilat ia vlen të festohet jo vetëm këtë 7-8  mars, jo vetëm këtë muaj Mars, por gjithmonë? Keni ndonjë pasion të cilin dëshironi ta ndani? 


Për të qenë pjesë e Muajit të Mësimdhënësve dhe të Nënave mjafton të na dërgoni idetë tuaja, shkrimet, krijimet, projektet etj., në adresën e emailit [email protected] ose të na shkruani mesazh në faqen tonë të Facebook https://www.facebook.com/portalishkollor/ 

Gjithashtu nëpërmjet këtyre kontakteve ne do të mundemi t’u përgjigjemi edhe pyetjeve ose  paqartësive që mund të keni për këtë nismë. 


7 dhe 8 Marsi këtë herë nuk do të jenë thjesht festa të cunguara, por për disa ditë me radhë. Ne, së bashku, do të kontribuojmë në forcimin e trinomit të pashtershëm “mësues – nxënës – prind”, duke zyrtarizuar pa firmë e vula muajin mars si Muajin e Mësimdhënësve dhe të Nënave. 




Nanila Allkja Biçaku, 

Kryeredaktore /Portali Shkollor Albas 


©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

3,502 Lexime
3 vjet më parë