Projekti kurrikular

Projektet Kurrikulare në procesin e kualifikimit të Mësuesve 2024

Projekti kurrikular vlerësohet si strategji e të nxënit ku në qendër vendoset nxënësi i cili në mënyrë të pavarur si pjesë e një grupi hulumton mbi një situatë, problem të caktuar të lidhur me jetën reale. Më poshtë paraqesim një guidë për shkrimin e planit të një projekti kurrikular.

Nga Fiqiri Çifliku 


Jo vetëm pjesë e portofoli profesional, por strategji për zhvillimin e të menduarit kritik dhe nxënie inovative.

Stërviteni mendjen tuaj për të parë të mirën në çdo situatë!


Procesi i kualifikimit të mësuesve në sistemin arsimor parauniversitar mbështetet në Udhëzimin Nr. 2, datë 8.2.2023, “Për kriteret dhe procedurat e kualifikimit të mësuesve”. Për kandidatët e kategorisë III (mësues i kualifikuar) dhe të kategorisë II (mësues specialist) kryhet nëpërmjet portofolit të zhvillimit profesional të mësuesve dhe provimeve me test sipas lëndëve/profileve dhe cikleve përkatëse dhe për kandidatët e kategorisë I (mësues mjeshtër), kryhet nëpërmjet portofolit të zhvillimit profesional të mësuesve dhe zhvillimit të një ore mësimore të hapur.


Procedurave të kualifikimit u nënshtrohen detyrimisht të gjithë mësuesit të cilët, deri më 31 dhjetor të vitit paraardhës, plotësojnë të paktën 5, 10 apo 20 vjet punë në arsim për të përfituar titullin “mësues i kualifikuar”, “mësues specialist”, “mësues mjeshtër” dhe kanë diplomë në fushën e mësuesisë ose zotërojnë diplomë të arsimit të lartë të ciklit të parë dhe të dytë ose të barasvlershme me to, të ngjashme ose të përafërt me fushën përkatëse të mësimdhënies në arsimin parauniversitar, si dhe kandidatët që japin lëndët e muzikës, të arteve pamore, kërcimit dhe edukimi fizik. 


Mësuesit që aplikojnë për të fituar kategorinë e kualifikimit, duhet të kenë kryer të paktën 3 ditë trajnimi në vit kalendarik, të cilat janë të barasvlershme me 18 orë trajnimi e barazvlefshme me 1 (një) kredit.


Kandidati ka të drejtë të hyjë në procesin e kualifikimit për çdo kategori dhe, në rast se nuk e kalon me sukses provimin, apo ka dëshirë të përmirësojë rezultatin, mund ta përsërisë provimin në procesin e sesionit pasardhës.


Për të marrë pjesë në testimin apo për të zhvilluar orën mësimore të hapur kandidati përveç portofolit personal, dhe dokumentacionit që provon nivelin arsimor duhet të përgatisë edhe portofolin profesional që përmban këto dokumente autentike dhe origjinale:


a) Plani i një aktiviteti të një klase të caktuar ose grup klasash, organizuar nga kandidati përkatës, të realizuar gjatë vitit të kualifikimit, të shoqëruar me realizimin e aktivitetit me foto etj.;

b) Planifikimi i një ore mësimi model (ditar) duke u bazuar në mësimdhënien me në qendër nxënësin sipas kurrikulës me kompetenca;

c) Testi/detyra përmbledhëse për një periudhë të caktuar, sipas profilit përkatës, të realizuar gjatë vitit të kualifikimit, të shoqëruar me një analizë të thjeshtë të rezultateve të arritura në një klasë të caktuar.

ç) Plani i një projekti kurrikular të zhvilluar nga nxënësit e një klase të caktuar, të shoqëruar me realizimin e tij me foto.


Po ndalemi sot tek plani i një projekti kurrikular të zhvilluar nga nxënësit e një klase të caktuar, i cili vlerësohet për përputhshmërinë e rezultateve të të nxënit me temën e projektit, veprimtaritë kryesore të përfshira dhe realizimi i tij i shoqëruar me foto.


Projekti kurrikular vlerësohet si strategji e të nxënit ku në qendër vendoset nxënësi i cili në mënyrë të pavarur si pjesë e një grupi hulumton mbi një situatë, problem të caktuar të lidhur me jetën reale. 


Kjo veprimtari ka karakter kërkimor dhe nxit zhvillimin e aftësive krijuese nëpërmjet të menduarit, zhvillimit të aftësive komunikuese, të bashkëpunimit, të veprimative praktike etj. 


Për realizimin e një projekti kurrikular është e domosdoshme të përcaktohet çështja ose problemi për të cilin do të hulumtohet, detyrat që duhet të realizohen, afatet kohore dhe veprimtaritë konkrete të secilit nxënës për të administruar sa më mirë kohën e planifikuar. Më poshtë paraqesim një guidë për shkrimin e planit të një projekti kurrikular që më së shumti përmban:


Tema e projektit 

Mësuesi në bashkëpunim me nxënësit apo dhe grupet e tjera të interesit (prindër, stafi pedagogjik, drejtues) përcakton temën e projektit, e cila mund të lidhet me:


a) Zgjidhjen e një çështjeje që konsiderohet e rëndësishme për nxënësit;

b) Ilustrimi artistik i ngjarjeve historike kombëtare ose ndërkombëtare duke u përkthyer në një imazhe, video apo botime në shtypin lokal apo në portalet online; 

c) Analiza e një libri apo përshtatja e tij në skenar për një dramatizim apo film të shkurtër;

d) Ndikimi i lajmit në shoqëri, hartohen modele të lajmeve reale/të vërteta dhe analizohet roli dhe ndikimi i tyre në grupe të caktuar shoqërore; 

e) Historitë e individuale, tregimi i tyre dhe nxjerrja e konkluzioneve të caktuara;

f) Në kuadër të projektit Arte, Zeje dhe Sport mund të ketë tema specifike të cilat lidhen me fushën e artit, dizajnit, mbjellja e luleve, kujdesi për kopshtin, mbrojtja e mjedisit, monumenteve, etj.; 

g) Programe dhe projekte për sjellje të shëndetshme në shkollë dhe jashtë saj e lidhur kjo dhe me pandeminë e fundit Covid-19; 

h) Individi dhe rrjetet sociale për adoleshentët e ndërthurur me inteligjencën artificiale dhe projektin e Kodimit në shkolla.


Koha e zbatimit të projektit

Në varësi të projekti të zgjedhur nëse është parashikuar edhe përfshirja e lëndëve të tjera do të përcaktohet kontributi i çdo mësuesi dhe orët mësimore për secilën lëndë.


Pjesëmarrësi:

 Në këtë rubrikë do të përcaktohen pjesëmarrësit në projekt nëse janë të së njëjtës klasë ose do të ketë edhe nxënës të klasave të tjera, në rast se është parashikuar pjesëmarrja e disa klasave.


Rezultatet e të nxënit 

Është rubrika ku do të përfshihen njohuritë, aftësitë dhe qëndrimet që do të zhvillohen përmes zhvillimit të veprimtarive të parashikuara të projektit.


Konceptet kryesore

Përmban një listë me konceptet kryesore që duhet të zotërojë e të përdoren nga nxënësi gjatë realizimit të projektit. 


Partnerët

Në varësi të temës së zgjedhur përcaktohen dhe partnerët e mundshëm të cilët do të lehtësojnë aksesin, grumbullimin e të dhënave apo sigurimin e mjeteve të caktuar, p.sh., nëse projekti është në lëndën e historisë e ka si qëllim që nxënësit të hulumtojnë një periudhë të caktuar historike, kërkohet ndihma e, një specialisti arkivi apo historiani si një partner pjesëmarrës në projekt.


Veprimtaritë kryesore apo tematika e orëve të planifikuara: 

Përcaktohet lista e veprimtarive që do të realizohen gjatë zbatimit të projektit, afatet kohore dhe personat përgjegjës. Nëse projekti është parashikuar në disa orë dhe lëndë të ndryshme duhet të vendoset tematika për çdo orë mësimore të projektit. Psh., nëse projekti planifikohet në 12 orë atëherë duhet vendosur tematika për të gjitha orët/lëndët.


Burimet e nevojshme 

Për të qenë të sigurt se projekti do të jetë i suksesshëm duhet të parashikohen edhe burimet e nevojshme për zbatimin e tij. Burimet mund të përfshijnë fondet, materialet apo burimet e informacionit. Roli i mësuesit është të orientojë nxënësit për përdorimin e burimeve të larmishme dhe të duhura. Në vijim, për të ilustruar projektin e lëndës së historisë ka nevojë jo vetëm për burime informacioni, që mund të sigurohen nga interneti, tekste të ndryshme si enciklopeditë, revistat, etj., por mund të shoqërohet edhe me kosto shtesë për botimin , realizimin e një simpoziumi etj. çka sjell në vëmendje nevojën për sigurimin e fondeve të nevojshme.


Rezultati/produkti i projektit

Duhet të përfshijë shkurtimisht rezultatet e pritshme apo produktit që pritet të realizohen si dhe mënyra e prezantimit të rezultatit apo produktit.


Vlerësimi i nxënësve dhe reflektimi 

Kritere për vlerësimin e projektit përcaktohen paraprakisht dhe u komunikohen nxënësve që në fillim. Kriteret mund të kenë të bëjnë me trajtimin e përmbajtjes, përmbushjen e tematikës, përdorimin e burimeve, produktin, prezantimin e tij etj., në varësi të rezultateve të pritshme të të nxënit. Nxënësit gjithashtu reflektojnë mbi pikat që kanë nevojë për përmirësim, kanë penguar ecurinë e projektit si dhe pikat e forta, që kanë ndihmuar e shërbejnë si pika reference në vijim. 


Hartimi i një projekti kurrikular nga mësuesi nuk duhet të mbetet thjesht një detyrë portofoli, i vlefshëm sa për të kaluar radhën për të marrë shkallën e kualifikimit por duhet të jetë një instrument i rëndësishëm në punën e përditshme, në mjediset shkollore. Zhvillimi i tyre lidhet ngushtësisht me zhvillimin e aftësive kërkimore të individit dhe sigurisht ndikon në zhvillimin e Mendimit Kritik.


Analiza dhe përpunimi i të dhënave, zgjidhja e problemeve, përhapja e produktit të projektit, nxit imagjinatën dhe krijimtarinë, logjikën dhe arsyetimin, të menduarit konceptual, duke reflektuar dhe reaguar në situate konkrete.


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

3,500 Lexime
5 muaj më parë