Promovohet në Athinë përkthimi në greqisht i romanit "Lindur së prapthi" i autores Rita Petro

Në Athinë u promovua romani “Lindur së prapthi” i autores Rita Petro, i përkthyer në greqisht nga Nikos Kacalidhas. Aktiviteti u organizua nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Greqi, në bashkëpunim me shtëpitë botuese By The Book dhe Albas, duke bashkuar diplomatë, artistë dhe dashamirës të letërsisë.

Në një atmosferë të ngrohtë letrare dhe dialogu kulturor, në Athinë u promovua romani “Lindur së prapthi” (“Αναποδογεννημένη”) i autores Rita Petro. Aktiviteti u zhvillua në ambientet e Black Duck Garden dhe u organizua nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Greqi, në bashkëpunim me shtëpitë botuese By The Book dhe Albas.

Vepra, e përkthyer në greqisht nga poeti dhe përkthyesi Nikos Kacalidhas, sjell një qasje intime dhe reflektuese mbi identitetin, kujtesën dhe marrëdhëniet njerëzore. 


Promovimi mblodhi diplomatë, botues, artistë dhe dashamirës të letërsisë nga komuniteti shqiptar dhe ai grek, duke e kthyer mbrëmjen në një takim të rëndësishëm kulturor.

Të pranishëm në aktivitet ishin, ndër të tjerë, ambasadorja e Shqipërisë në Greqi Luela Hajdaraga Gila, Udhëheqësi i Zyrës së Interesave të Kosovës në Greqi Fitim Gllareva, si dhe drejtuesja e shtëpisë botuese “By the Book”, Meri Thermioti. Në sallë ndodheshin gjithashtu shkrimtarë, botues dhe përfaqësues të komunitetit kulturor të dy vendeve.


Në fjalën e saj përshëndetëse, ambasadorja Luela Hajdaraga Gila theksoi rëndësinë e promovimit të letërsisë shqipe jashtë vendit si një mjet i fuqishëm për forcimin e dialogut kulturor dhe afrimin mes popujve. 

“Për të gjithë guximin, për të gjithë ndjeshmërinë, dhe për të gjithë pozitivitetin që Rita përcjellë, në media por edhe në mënyrën se si ajo qaset ndaj lexuesit dhe njerëzve të thjeshtë, Rita, faleminderit shumë,” tha ndër të tjera Luela Hajdaraga Gila.


Një nga momentet më të veçanta të mbrëmjes ishte interpretimi artistik i fragmenteve nga romani nga aktorja Algiona Aga dhe gazetarja Ira Londo, të cilat i dhanë veprës një dimension të gjallë dhe emocional për publikun.

Gjatë bashkëbisedimit me të pranishmit, autorja Rita Petro ndau emocionet dhe frymëzimin që qëndron pas këtij romani, duke e konsideruar shkrimin një akt çlirimi dhe vetë-njohjeje.



“Një aktivitet i mrekullueshëm në zemër të Athinës për botimin në greqisht të romanit ‘Lindur së prapthi’, botuar nga By The Book. U ndjeva aq e emocionuar dhe e nderuar për praninë e ambasadores, zonjës Luela Hajdaraga Gila, të cilën e falënderova me mirënjohje për mbështetjen që i jep artit dhe kulturës sonë, të ambasadorit të Kosovës, zotit Fitim Gllareva, për fjalët dhe vlerësimet e botueses Mary Thermioti, të përkthyesit, mikut tim Nikos Katsalidas, të shkrimtares së mirënjohur greke Mary Kolovou, të shkrimtarit tonë të njohur Thanas Medi; mirënjohje për gazetaren Ira Londo, për përkthimin dhe leximin në greqisht, shumë falënderime për moderimin e bukur të Joneda Dodajt, për interpretimin e mrekullueshëm të Algiona Agës, si dhe për të gjitha mikeshat dhe miqtë e pranishëm, lexues grekë e shqiptarë, dashamirës të letërsisë së dy vendeve tona,” u shpreh autorja.


Ajo theksoi gjithashtu se gjatë aktivitetit u hapën diskutime të shumta rreth romanit dhe temave që ai trajton.

“Përtej vlerësimit kritik të romanit, u hapën dhe shumë tema që lidheshin jo vetëm me të, por edhe me kureshtjen dhe interesin e atyre që ishin të pranishëm. Bukurinë e aktivitetit ia shtoi akoma më shumë mjedisi te Black Duck Garden, brenda oborrit të Muzeut të Qytetit të Athinës, i mbushur me piktura e skulptura me vlerë historike. Gjuhët e ndryshme na ndajnë, por përjetimet që i kemi të njëjta na bashkojnë,” theksoi ajo.



Edhe përkthyesi Nikos Kacalidhas ndau reflektimet e tij për procesin e përkthimit dhe për veçantinë e prozës së autores.

“Faleminderit Rita, që më ftove të them disa fjalë për romanin ‘Lindur së prapthi’, përkthyer dhe botuar greqisht nga By the Book. Me Rita Petron na lidh një miqësi shekullore me pika takimi që nga kapërcelli i shekullit deri sot dhe, çuditërisht, jemi prapë kaq të rinj. Sepse na bashkon bukuria dhe vlera universale e fjalës. Pata një ndjesi të mirë kur më propozoi të përktheja greqisht poemën ‘Vrima’ dhe më pas romanin ‘Lindur së prapthi’, që do ta quaja autofiction,” u shpreh ai.


Ai shtoi se përkthimi i këtij romani ishte një përvojë e veçantë krijuese.


“Për një krijues, përkthimi i një romani është vuajtje, sepse koha e harxhuar mund të shfrytëzohej për një krijim të tij. Por për romanin e Rita Petros ndjeva ngazëllim, një prozë sui generis si poezia e saj. Rita Petro ka brumin origjinal dhe stilin e vet, dy elemente të rëndësishme në skrivaninë e një shkrimtari,” theksoi përkthyesi.


Sipas tij, romani prek tema të thella të përvojës njerëzore dhe të rolit të gruas në shoqëri.


“Rita Petro çorri perçen që ka mbuluar fytyrat ungjillore të grave shqiptare në terrin 550-vjeçar dhe preku tabutë, duke shpërthyer një furtunë mediokrësh për ‘fajet e letërsisë’. Ajo e zbërthen enigmën e femrës me një prozë metaforike dhe lirike, ku në nënshtresat e saj rrjedh përroi frojdist i ndërgjegjes dhe nëndërgjegjes, mes dashurisë, familjes, miqësisë, seksit, moralit dhe etikës. Romani ‘Lindur së prapthi’ është rrëfimi meditativ i një femre për trupin dhe shpirtin në një botë të mbyllur të diktaturës,” tha ai.

Gjatë promovimit, të pranishmit i drejtuan pyetje autores dhe u zhvillua një bashkëbisedim i ngrohtë dhe mjaft interesant, që preku edhe temat e përditshmërisë. 


Të pranishmit i drejtuan pyetje autores dhe u zhvillua një bashkëbisedim i ngrohtë dhe mjaft interesant, që preku edhe temat e përditshmërisë, sidomos kur u pyet Sofiana Filipi se si ndihej ajo me një mama si Rita.


 Sofiana tha me humor se ndodh që të ndërrohen rolet kur ajo të ndihet si mamaja e Ritës për shkak të lirisë dhe imagjinatës fëminore që gjen te Rita. Po përtej kësaj, ajo ndihej e lumtur që kishte qenë lexuesja e parë e dorëshkrimeve të nënës së saj.

Promovimi në Athinë u shndërrua kështu në një moment të rëndësishëm kulturor që bashkoi diplomatë, artistë dhe lexues në një atmosferë dialogu dhe mirëkuptimi, duke dëshmuar se letërsia mbetet një nga urat më të forta që lidh kulturat dhe popujt.



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

219 Lexime
1 ditë më parë