Aktivitet promovues

Promovohet romani “Mariana Sirka” në Shkodër, i sjellë në shqip nga Klodeta Dibra dhe i botuar nga ALBAS

Një takim mes intelektualësh u realizua sot në sallën e Bibliotekës “Marin Barleti” në Shkodër, ku u prezantua romani “Mariana Sirka” i Nobelistes italiane Grazia Deledda i sjellë në shqip me mjeshtërinë e Prof.Klodeta Dibra dhe i botuar nga ALBAS.

Një takim mes intelektualësh u realizua sot në sallën e Bibliotekës “Marin Barleti” në Shkodër, ku u prezantua romani “Mariana Sirka” i Nobelistes italiane Grazia Deledda i sjellë në  shqip me mjeshtërinë e Prof.Klodeta Dibra dhe i botuar nga ALBAS.  


Moderatorja e programit dhe njëherazi poetja Arjola Zadrima krijoi një bashkëbisedim të larmishëm me përkthyesen e këtij romani Zj.Dibra duke çelur dritare të shumta diskutimesh mbi stilin gjuhësor të veprës dhe sfidat e hasura gjatë përkthimit. 

Theksi u vu më tepër në përdorimet e larmishme të gjuhës standarde dhe të gegërishtes. Ajo gjithashtu theksoi edhe faktin se në kohët e sotme roli i përkthyesit në të tilla raste duhet të jetë mbizotërues dhe në peshën e duhur duke patur parasysh se vetë autorët që sillen përbëjnë boshtin e klasikëve të njohur në arenën ndërkombëtare, prandaj paralelisht me ta duhet prezantuar edhe vetë puna e përkthyesve dhe qasjet që sillen në këtë drejtim. U sollën gjithashtu edhe eksperienca në bashkëpunimin e përkthyeses Zj.Dibra me redaktoren e librit Dr.Ermira Ymeraj duke hedhur dritë rreth pasurisë së pafundme që sjell përpara nesh vetë leksiku i pasur i shqipes. 


 

Po çfarë prezanton pikërisht romani në fjalë? 


Mariana Sirka rrëfen historinë e një gruaje rebele dhe antikonformiste, por edhe historinë e dashurisë së madhe e të vërtetë, port ë pamundshme midis Marianës së kamur dhe kaçakut Simone Sole. Shpirtrat e tyre puqen, por bota e tërë, shoqëria hipokrite dhe borgjeze, i kundërvihet lidhjes së tyre dashurore. Dashuria e dy protagonistëve është e paracaktuar të mbytet në një det ndjenjash të sinqerta dhe mizore, dhe martesa e lakmuar prej Marianës do të jetë një martesë vdekjeje e jo jete. 


Ndërkaq, vetë botuesja dhe poetja Zj.Rita Petro solli disa reflektime tejet tërheqëse nga romani duke vënë theksin në rolin e gruas në letërsinë e kohës si dhe forcën shpërthyese të saj. Ajo  përcolli edhe emocione mbresëlënëse nëpërmjet disa sekuencave të shkurtra nga vetë romani. 

Diskutimet vijuan edhe nga pjesëmarrësit në këtë takim, të cilët sollën këndvështrime domethënëse në lidhje me: 

  • Stilin gjuhësor të përdorur; 
  • Nuancat që sjell përdorimi i gegërishtes; 
  • Imazhi dhe pesha e portretizimit të personazhit;
  • Prezantimi i kopertinës së librit dhe domethënia që sjell;
  • Si mund të bëhen të tilla prezantime edhe për brezin e ri si një mundësi për t’u afruar dhe integruar me leximin? ….

 

Grazia Deledda (1871 – 1936) ndër shkrimtaret italiane më të spikatura të shekullit të kaluar, e para italiane dhe dhe deri më tani e vetmja fituese e Çmimit “Nobel” në letërsi. Shkrimtare me një aktivitet shumë të pasur letrar. Ka lëvruar prozën e gjatë dhe të shkurtër, poezinë, dramën. 


Me romanin “Mariana Sirka” Grazia Deledda ripohon dhuntitë e saj tregimtare duke rrëfyer një histori që digjet nga pasionet, që këput zinxhirët e paragjykimit, që flet për një vend të ashpër e me kontraste të forta. 


 


Nga Evans Drishti 

 ©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

623 Lexime
7 muaj më parë