Reshat Ameti: Objektiviteti në vlerësim, një sfidë etike dhe pedagogjike

Vlerësimi në arsim nuk është thjesht një numër, por një akt moral me ndikim të madh. Shkrimi trajton sfidat etike dhe pedagogjike që përballin mësuesit, duke theksuar rëndësinë e objektivitetit, transparencës dhe ndjeshmërisë në vlerësimin e nxënësve.

Nga Reshat Ameti,

mësimdhënës i mësimit fillor në Shkup, dhe magjistër në Menaxhim dhe Udhëheqje në Arsim


Në çdo cep të sistemit arsimor, vlerësimi i nxënësve konsiderohet një prej proceseve më të rëndësishme, por njëkohësisht më të ndjeshme dhe më problematike. Edhe pse ekzistojnë standarde, udhëzime dhe politika të miratuara, në praktikë shpesh hasim në situata ku drejtësia në notim lihet nën hije. Në mënyrë të vetëdijshme ose jo, shumë mësues ndodhen përballë dilemave profesionale, etike dhe teknike që shpesh përfundojnë në padrejtësi ndaj nxënësve të tyre.


Një mësues që është i përkushtuar dhe etik në profesionin e tij, mund të ndihet në siklet kur përballet me situata ku duhet të vendosë një notë për një nxënës që është përpjekur shumë, por nuk ka arritur rezultatet e pritshme. Nga ana tjetër, një nxënës që e ka zotëruar lëndën, por nuk ka qenë rregullisht i pranishëm ose nuk ka treguar sjellje të pëlqyeshme, mund të marrë një vlerësim më të ulët se çfarë meriton. Këto janë situata të vërteta që ndodhin shpesh në praktikën shkollore dhe nuk janë vetëm çështje teknike, porse edhe çështje të thella etike që prekin themelet e drejtësisë arsimore.


Problemi qëndron shpesh te mënyra se si e kuptojmë dhe e zbatojmë vlerësimin. Ka një tendencë për ta ngarkuar notën me shumë kuptime – ajo nuk përfaqëson më vetëm njohurinë, por shpesh edhe qëndrimin, përpjekjen, sjelljen, dhe ndonjëherë madje edhe marrëdhënien e nxënësit me mësuesin. Hulumtimet tregojnë se vlerësimet shpesh ndikohen nga sjellja e nxënësit dhe jo vetëm nga aftësitë akademike, duke çuar në vlerësime të shtrembëruara (Deeet al., 2019). Kështu, një nxënës i zhurmshëm, por i aftë, rrezikon të marrë një notë më të ulët për shkak të sjelljes së tij. Ndërkohë, një nxënës që është i qetë dhe i sjellshëm, por me njohuri mjaft të kufizuara, mund të përfitojë në mënyrë të padrejtë.


Kësisoj, nuk është e pazakontë që nxënësit të ruajnë kujtime të hidhura për nota të dhëna padrejtësisht. Shpesh këto përvoja mbeten si plagë të hapura që ndikojnë në vetëbesimin dhe motivimin e tyre për të mësuar. Një notë, që në sipërfaqe mund të duket si një numër i thjeshtë, shpesh përçon një mesazh shumë më të thellë – një vlerësim për vlerën dhe potencialin e tyre.


Andaj, siç theksojnë Thomas dhe Oldfather (1997), notat nuk janë thjesht përmbledhje të performancës: ato ndikojnë në mënyrën se si nxënësit e perceptojnë veten dhe motivimin për të mësuar. Ose siç theksonin Paul Black dhe Dylan Wiliam: “Vlerësimi për të nxënë është më efektiv kur përdoret për të nxitur mësimin, jo vetëm për ta matur atë.”


Hulumtimet në këtë fushë kanë treguar se mësuesit shpesh ndihen të papërgatitur për të vlerësuar në mënyrë të drejtë. Mungesa e trajnimeve të mjaftueshme mbi vlerësimin, ndikimi i përvojave personale dhe mungesa e një kornize të qartë dhe të përbashkët vlerësimi, bëjnë që notimi të jetë një proces i mbushur me pasiguri dhe subjektivitet. Parimet etike të barazisë, nevojës dhe meritës nuk zbatohen gjithmonë në mënyrë të balancuar – në shumë raste ato ndodhen në konkurrencë me njëra-tjetrën, kështu duke krijuar tensione që mësuesit nuk dinë t’i zgjidhin.


Më pas, problemet e komunikimit janë një tjetër hallkë e dobët në zinxhirin e vlerësimit.


Nxënësit shpesh nuk marrin shpjegime të qarta për arsyet pse kanë marrë një notë të caktuar. Paqartësia në kriteret e vlerësimit, mospërputhja me ato që është thënë në fillim të vitit dhe mungesa e një reflektimi të ndershëm mbi performancën e tyre, i bën nxënësit të ndihen të lënë pas dore dhe të pakuptuar.


Në një realitet të tillë, vlerësimi nuk duhet parë si një akt i izoluar numerik, por si një proces i ndërlidhur thellësisht me marrëdhënien edukative. Një vlerësim i drejtë është ai që bazohet në kritere të qarta, që komunikohet hapur, që është i ndjeshëm ndaj kontekstit të nxënësit, por pa sakrifikuar objektivitetin. Ky është një ekuilibër i vështirë, por jo i pamundur.


Në fund, ajo që kërkohet nuk është përsosmëria, por vetëdija. Vetëdija që çdo notë që vendosim bart me vete një ndikim mbi jetën e dikujt. Nëse fillojmë ta shohim vlerësimin jo si një procedurë rutinore, por si një akt moral dhe profesional me peshë të madhe, atëherë do të fillojmë të ndërtojmë një sistem më të drejtë dhe më të ndershëm për të gjithë. Vetëm kështu, nxënësit do të mund të kujtojnë mësuesit që i vlerësuan me drejtësi, ndershmëri dhe respekt, gjë që do të shpie në zhvillimin e një marrëdhënieje më të fortë me mësimin dhe zhvillimin e tyre personal.



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

710 Lexime
1 javë më parë