Rita Petro sjell librin e saj të ri “Poema e mungesës” në Prishtinë, diskutim mbi vdekjen, mungesën dhe vetminë

Promovohet në Prishtinë libri “Poema e mungesës” i Rita Petros, një vëllim poetik që trajton humbjen, dashurinë dhe përballjen me vdekjen. Përmes diskutimeve dhe leximeve, vepra vjen si një reflektim i thellë e universal që prek çdo lexues emocionalisht.

Mbrëmjen e së mërkurës u mbajt promovimi i librit të ri të Rita Petros me titullin “Poema e mungesës” në Prishtinë. Libri, siç lë të kuptohet edhe nga titulli është një libër me poezi ku flitet për vdekjen, dhe mungesën e dashurinë. 

Gjatë promovimit u zhvillua diskutimi i moderuar nga Elvin Blakaj, midis autores së librit dhe shkrimtarit Ag Apolloni, i cili është edhe recenzionist i librit.  

Apolloni tha që libri është një vepër unike në letërsinë shqiptare pasi që tematizon mirë “mungesën” dhe gërsheton tematikën e vdekjes dhe dashurisë. Sipas tij, “mungesa” është një prej temave kryesore por që vdekja është ajo që lë mungesë, e dashuria e mbushë atë mungesë, shkruan KultPlus.

Ndërsa autorja e librit u shpreh se ky libër flet mbi mënyrën e ballafaqimit me humbjen e personave të dashur, në këtë rast humbjen e partnerit të jetës. Ajo u shpreh që qëllimi nuk ishte të ndalej te personalja por të e kalonte atë. 


“Kur ti shkruan për jetën, për vdekjen dhe pyesim se çfarë ndodhë me trupin tonë, çfarë ndodhë me shpirtin tonë dhe çfarë ndodhë me një çift të dashurish, dhe papritur njëri mbetet vetëm? Kur je dyshe dhe kur duhesh shumë, dhe kur përballon çdo sfidë të jetës ka një moment të caktuar pastaj që ti do përballesh vetëm”- u shpreh ajo.

Sipas Petros, këto janë sfida që nuk ballafaqohet vetëm një njeri por që shkojnë përtej.


Si rezultat, sipas moderatorit të diskutimit, ky libër prek të gjithë lexuesit në një aspekt ose tjetrin, fakt të cilin e mbështeti edhe vetë autorja.


“Kushdo që e lexon thotë: “O sa mirë, edhe unë shumë gjëra mendoj kështu, edhe unë i kam këto sfida në jetë”, – tha Petro, kur fliste për reagimin që kishte marrë nga lexuesit e saj. 


Pavarësisht tematikës së librit, autorja i ka lënë vend edhe situatave aktuale në jetën e përditshme. Ajo kishte edhe dy poezi që lidhen me tematika si mëmëdheu e politika.


Numri i madh i të pranishmëve linte të kuptohej që interesimi për letërsinë dhe kulturën në përgjithësi në Kosovë nuk mungon. Kësisoj edhe autorja në fillim të ngjarjes u shpreh që për të është gjithnjë kënaqësi të kthehet në Prishtinë e sidomos kur bëhet fjala për libra.

Nuk mungoi as bashkëbisedimi me publikun dhe po ashtu gjatë diskutimit u bë edhe leximi i poezive nga autorja Petro, nga Apolloni dhe Blakaj. 


Vepra “Poema e mungesës” është publikuar nga botimet Albas në vitin 2025. Ndërsa libri i saj i mëparshëm “Lindur së prapthi” është përkthyer rishtazi edhe në gjuhën greke.


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

73 Lexime
1 orë më parë