Rita Petro takon lexuesit në Shkup, "Poema e mungesës" në qendër të një mbrëmjeje letrare
Në Panairin e parë të Librit Shqip në Shkup, Poetja Laureate Rita Petro u takua me lexuesit në një mbrëmje letrare kushtuar veprës së saj "Poema e mungesës". Takimi mblodhi personalitete të kulturës, dashamirës të librit dhe lexues të të gjitha moshave.
Në mbrëmjen e parë të Panairit të Librit Shqip në Shkup, poetja laureate Rita Petro u takua me lexuesit për të promovuar librin e saj më të ri, "Poema e mungesës", botuar nga Albas. Një vepër që lëviz mes kujtesës dhe harresës, mes dashurisë dhe humbjes, duke e shndërruar mungesën në një prani të pandashme të jetës njerëzore.
Takimi mblodhi personalitete të botës së librit dhe kulturës shqiptare. Të pranishëm ishin kryetari i Komunës së Çairit, z. Izet Mexhiti, botuesi i njohur Fatmir Toçi, njëherazi ndër organizatorët e panairit, si dhe shkrimtarë, studiues, dashamirës të letërsisë dhe lexues të të gjitha moshave, të cilët mbushën sallën për të ndarë me autoren emocionet dhe reflektimet që sjell Poema e mungesës.
Aktiviteti u moderua nga Vjollcë Berisha dhe Xhemazije Rizvani, dy emra të njohur të botës së librit dhe bashkëpunëtore të kahershme të Albas-it, të cilat udhëhoqën publikun në universin poetik të autores.
Promovimin e hapi Xhemazije Rizvani, e cila bëri një prezantim të autores dhe të veprës së saj më të fundit, duke ndalur te rrugëtimi krijues i Rita Petros dhe vendi që zë kjo poemë në korpusin e saj letrar. Më pas, atmosfera u bë edhe më emocionale përmes interpretimit të disa poezive nga vepra, të sjella me ndjeshmëri nga aktorja e ftuar, Valdeta Ismaili, duke i dhënë zë dhe frymë vargjeve të poemës.
Ndërkohë moderatorja tjetër e këtij takimi, Vjollcë Berisha, në fjalën e saj u ndal te origjinaliteti i poezisë së Rita Petros dhe ndikimi që ajo ka pasur në formimin e një lexuesi të ri.
“Privilegj të flasim për Ritën dhe me Ritën. Poezia e saj jokonvencionale, sikurse personaliteti që ka, nuk ka krijuar vetëm një poetikë me frymë të re brenda poezisë sonë, por edhe një lexues të ri, me shije të re. Një lexues në luftë të rreptë me paragjykimet, me tabutë dhe konformizmin”, tha Berisha.
Ajo veçoi mënyrën se si autorja e ndërton figurën e gruas në krijimtarinë e saj, larg klisheve dhe rivaliteteve gjinore.
“Gruaja e Ritës nuk është një grua që kërkon t’i marrë diçka burrit, nuk kërkon të jetë burrë, por është një grua që dëshiron të shfrytëzojë çdo milimetër të asaj që i përket si grua. Dhe kjo e bën të veçantë poezinë e saj”, u shpreh moderatorja.
Duke u ndalur te libri i ri, Berisha solli një këndvështrim interesant mbi vetë titullin e veprës.
“Kjo poemë, në fakt, nuk është për mungesën, por për praninë. Raporti i mungesës dhe pranisë është tepër interesant në filozofi dhe Rita ka goditur pikërisht aty. Ajo i ka dhënë lexuesit një vepër që mund të lexohet edhe pas njëqind vitesh”, tha ajo.
Më pas, mes duartrokitjeve të publikut, Rita Petro falënderoi organizatorët, moderatoret, njerëzit e letrave dhe lexuesit e pranishëm, duke e cilësuar organizimin e Panairit të Librit Shqip në Shkup si një ngjarje me rëndësi të veçantë kulturore.
“Panairi i Librit Shqip është një ogur shumë i mirë që bëhet këtu në Shkup. Është një gjë e jashtëzakonshme që jemi këtu, sepse ne si botues prej shumë vitesh e kemi quajtur mision të bëjmë bashkë autorë, botues, njerëz të letrave dhe lexues, e sidomos kur ka të rinj është akoma më bukur”, tha ajo.
Duke folur edhe në cilësinë e Poetes Laureate, Petro kujtoi moton që e ka shoqëruar që në fillim të mandatit të saj:
“Poezinë mund ta marrësh gjithmonë me vete, edhe në një takim dashurie, edhe në protestë. Rasti i fundit ka treguar se sa e rëndësishme është poezia për lirinë e individit”, theksoi ajo.
Më tej, autorja ndau me publikun procesin e lindjes së "Poemës së mungesës", duke treguar se si dhimbja personale u shndërrua gradualisht në një reflektim filozofik mbi jetën, vdekjen dhe vazhdimësinë.
“Poema e mungesës duket si poema e jetës dhe e vdekjes, sa ngushtë janë të lidhura ato me njëra-tjetrën. Mua poema më iku nga ajo pjesa e dhimbjes dhe dhimbja u shndërrua në një meditim filozofik”, u shpreh Petro.
Ajo foli për konceptin e riciklimit të jetës, për trupin si pjesë e natyrës dhe për dëshirën e heroinës lirike për të mos u kthyer në hi, por për të mbetur pjesë e ciklit të pandërprerë të rilindjes.
“Shpresa për rilindje është shumë më e madhe. Kam shkruar edhe për mënyrën se si e keqtrajtojmë trupin, si e burgosim atë. Mungesa e lirisë, pamundësia për të qenë simbolikisht lakuriq, për të marrë frymë lirshëm dhe për të qenë sa më afër natyrës, janë tema që përshkojnë librin”, tha poetja.
Sipas saj, poema e ka kapërcyer kufirin e një historie personale për t’u kthyer në një rrëfim universal njerëzor. Në qendër të veprës qëndron historia e një çifti që përballon bashkë sfidat e jetës, madje edhe ato politike, derisa papritur heroina mbetet vetëm. Një nga pyetjet më të forta të poemës, sipas autores, është: çfarë bën njeriu kur e di se do të humbasë?
“Çfarë do të bësh ti, o njeri, kur të gjithë zotat do të jenë kundër dhe kur e di se do të humbësh? Personazhi përgjigjet: Unë prapë do të luftoj. Turpi u mbetet fitimtarëve, ndërsa lavdia u mbetet atyre që kanë humbur”, citoi Petro nga vepra e saj.
Takimi vijoi me pyetje dhe diskutime nga publiku, si edhe me lexime të tjera poetike nga Poema e mungesës, duke e kthyer promovimin në një dialog të ngrohtë mes autores dhe lexuesve.
Në fund të mbrëmjes, ajo që mbeti më fort se gjithçka ishte ideja se mungesa nuk është domosdoshmërisht zbrazëti. Në poezinë e Rita Petros, mungesa bëhet kujtesë, kujtesa bëhet prani dhe prania shndërrohet në një formë rezistence ndaj harresës.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Albas në Panairin e Librit në Shkup: Tituj të rinj dhe zbritje speciale nga data 8 deri 14 maj
Zhvillohet për herë të parë Panairi i Librit Shqip në Shkup, Albas pjesë e rëndësishme e këtij eventi historik
ALBAS prezanton katalogun e botimeve shkollore për Shqipërinë për vitin 2026-2027