OPINION

Rrugëtim në udhën e dijes

Nuk jemi vetëm mësues por dhe nxënës pasi çdo ditë mësojmë nga shpirti e mendja e tyre! Janë nxënësit që na japin kënaqësinë e profesionit dhe shtytjen përpara duke na dhënë nderin të shndërrohemi në mësues mjeshtër!

U futëm në javën e katërt të procesit mësimor-edukativ. 


Është shumë kënaqësi kur marrim vlerësime nga nxënës e prindër për misionin e kryer në rrugëtimin e dijes në ditët e vështira që kaluam dhe vazhdojmë të kalojmë.


Është e lodhshme por e mrekullueshme të kesh privilegjin që të jesh mësues/e.


Të përpiqemi duke shfrytëzuar të gjitha mundësitë për t’a kryer me sukses këtë mision fisnik!

Të mos vihet në dyshim asnjëherë fakti që jemi të gatshëm të japim maksimumin tonë dhe kemi gjithmonë kohë për gjërat që bëhen me dashuri.


Në këto kohë të vështira nga situata mbarëbotërore e krijuar nga koronavirusi përpara nesh qëndron dhe problemi i mbajtjes lart të moralit të nxënësve nga ana psikologjike, e cila duhet të ndërthuret duke e kombinuar mjeshtërisht me mësimin, pa krijuar stres e situata të pakëndshme.


Në shekuj mësuesit janë arkitektët që ndërtojnë urat e dijes për të ecur brezat dhe punojnë për t’i inkurajuar që të ndërtojnë urat e tyre, më të forta e të palëkundura.


Punojmë me veten dhe inkurajojmë njëri-tjetrin që të zotërojmë intuitën e njohjes së psikologjisë së moshës për lartësimin e dinjitetit dhe formimin e personalitetit të brezit të ri.


Vazhdojmë të punojmë me përkushtim për të rritur nivelin e të nxënit, duke drejtuar sytë e mendjes për të kuptuar mendimet si dhe duke dëgjuar me kujdes idetë e tyre për të bërë gërshetimin e mësimit pedagogjik me atë social-edukativ. 

Sigurisht që nevojitet vullnet e këmbëngulje për të mundur padijen dhe arritur suksesin.

Dihet që për të mbijetuar në shkretëtirën e injorancës duhet të pimë me etje në burimin e pashtershëm të dijes!


E pranojmë me dashuri të vërtetën që duke ecur përkrah nxënësve na mbushet zemra me çiltërsi,  bukuri,  mirësi, guxim, ëndrra, shpresë, besim në të ardhmen.

Nuk jemi vetëm mësues por dhe nxënës pasi çdo ditë mësojmë nga shpirti e mendja e tyre! Janë nxënësit që na japin kënaqësinë e profesionit dhe shtytjen përpara duke na dhënë nderin të shndërrohemi në mësues mjeshtër!



Nga Manushaqe Hoxha Laçi, mësuese kimie, Gjimnazi “Skënderbeu” Krumë, Has.


Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

13,979 Lexime
3 vjet më parë