Selime Barolli: Mësuesi, nxënës i përhershëm
Mësuesia sot është një profesion i rregulluar, por të jesh mësues duhet të ndjekësh ritmin e ndryshimeve në zhvillimin e shoqërisë, duke qenë nxënës i përhershëm.
Mësuesi është ai që projekton rrugën drejt të ardhmes së brezave përmes gjithë veprimtarisë mësimore-edukative në institucionet tona arsimore në këtë kohë zhvillimi të vrullshëm të teknologjisë dhe komunikimit. Mësuesi është ai i cili përballet me këto ndryshime paralel me përcjelljen e njohurive dhe misionin e tij për formimin e individëve të shoqërisë së sotme. Shoqëria sot, brezat që ne formojmë për këtë shoqëri e vënë mësuesin përballë sfidash në misionin e tij pasi mësuesi nuk është vetëm njohës dhe përcjellës i njohurive mësimore por është busulla që orienton nxënësit të zhvillohen duke fituar njohuri, shkathtësi, të manifestojë qëndrime dhe të përcjellë vlera për të qenë i denjë në shoqërinë në zhvillim.
Çdo mësues që ushtron profesionin e mësuesit formimin fillestar e ka formuar në fakultetet e edukimit ku ka marrë bazën e njohurive të profesionit me njohuri shkencore dhe pedagogjike. Por nuk mjafton sepse pasi një mësues kalon të gjitha hallkat e formimit si mësues ai përballet me terrenin (klasën) ku ai praktikisht duhet të performojë aftësitë e tij. Praktikisht ai formohet si një profesionist pasi vjen nga universiteti me një kapacitet njohurish të cilat duhet t’i garantojnë atij përmbushjen e misionit të mësuesit duke formuar nxënës kompetentë me njohuri, shkathtësi qëndrime dhe vlera në për përvetësimit e kurrikulës me të gjitha kompetencat e saj sipas programit mësimor.
Edhe një mësues me përvojë në arsim është një nxënës gjatë gjithë kohës që ushtron profesionin pasi në prizmin institucional ne hasim ndryshime në kurrikulat që zbatojmë për të cilat duhet të jemi ndjekës të trajnimeve për zhvillim profesional.
Në klasat tona ne hasim fenomene të ndryshme me nxënësit tanë për shkak të zhvillimeve të shoqërisë, diversitetit, problemeve sociale, situata bullizuese, nxënës me aftësi ndryshe me specifikat e tyre etj. Kështu që mësuesi duhet të marrë njohuri për këto sfida për të përmbushur misionin e edukimit në shërbim sa më cilësor për secilin nxënës duke zhvilluar potencialin e tij intelektual, fizik dhe mendor.
Mësuesi është nxënës i përhershëm sepse duhet të përmbushë detyrimin e tij në të gjitha dimensionet që i dikton kurrikula në raport me:
- institucionet drejtuese arsimore përmes plotësimit të dokumentacionit sipas kërkesave, monitorimit dhe marrjes së informacionit të detyrueshëm për përgatitjen dhe kalimin e shkallëve të detyrueshme në rrugën e tij të profesionit (licencime, kualifikime etj).
- në raport me nxënësit pasi duhet të ketë informacion për veçoritë moshore psikologjike të nxënësve që iu shërben duke qasur situatat reale me njohuritë për to që të përcaktojë ndërveprimin pozitiv në interesin më të lartë NXËNËSIN.
- në raport me prindërit të cilët i kemi shtyllë të fortë në suksesin e nxënësve pasi edukimi përfshin mësuesin, nxënësin ,prindin. Mësuesi ndërton ura të forta bashkëpunimi me prindërit vetëm nëse ka informacion për rolin, detyrat , përgjegjësitë dhe mënyrat e ndërsjellta të bashkëpunimit në dobi të nxënësve.
Mësuesi është nxënës i përhershëm dhe duhet të shtojë njohuritë për metoda, teknika, mjete, materiale, teknologjinë dhe ndërveprimin pozitiv me të për të përzgjedhur format dhe mënyrat më të mira në shërbim të nxënësve.
Duke qenë se shoqëria e sotme shkon drejt globalizimit mësuesi është nxënës i përhershëm sepse ai duhet të jetë i informuar për format dhe zhvillimet arsimore të vendeve drejt të cilave orientohet lëvizja e njerëzve për të aftësuar nxënësit tanë të përshtaten me institucionet arsimore të vendeve të tjera ku shkojnë.
Mësuesia sot është një profesion i rregulluar, por të jesh mësues duhet të ndjekësh ritmin e ndryshimeve në zhvillimin e shoqërisë duke qenë nxënës i përhershëm.
Punoi: Selime Barolli
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Bukurie A Hajdarmataj: Letërsia dhe ndikimi i saj në formimin e karakterit të nxënësit
Si të përgjigjeni saktë në testimin me shkrim dhe me gojë (arsim)
Mësuesi dhe roli i tij i rëndësishëm në edukimin e fëmijëve