Sot ditëlindja e Poetes Laureate Rita Petro, zë i guximshëm i letrave shqipe (2025-2027)
Sot feston ditëlindjen poetja, shkrimtarja dhe botuesja Rita Petro, një nga zërat më të rëndësishëm të letërsisë bashkëkohore shqiptare. Këtë vit ajo e shënon këtë ditë edhe si Poete Laureate 2025-2027, duke kurorëzuar një karrierë të pasur krijuese dhe një kontribut të vyer në botën e librit.
Sot feston ditëlindjen poetja, prozatorja, publicistja dhe botuesja Rita Petro, një nga zërat më të spikatur të letërsisë bashkëkohore shqiptare, e cila këtë vit e shënon këtë ditë të veçantë edhe si Poete Laureate për periudhën 2025-2027. Me krijimtarinë e saj të veçantë dhe me kontributin e gjerë në botën e librit, ajo mbetet një nga figurat më të rëndësishme të kulturës shqiptare në dekadat e fundit.
E cilësuar shpesh si “gruaja e guximshme e letrave shqipe”, ajo ka sjellë risi me poezinë dhe prozën e saj të veçantë, të përkthyer ndërkombëtarisht, dhe është vlerësuar me çmime prestigjioze letrare. Ajo është gjithashtu autore e dhjetëra teksteve shkollore.
Ajo hyri në letërsi në periudhën e pasndryshimeve politike, duke u dalluar që herët për një poezi provokuese, të drejtpërdrejtë dhe të çliruar nga shabllonet moralizuese, ku në qendër vendoset njeriu, trupi, ndjeshmëria dhe liria individuale, veçanërisht ajo e gruas.
Pas diplomimit në Gjuhë Shqipe dhe Letërsi në Universiteti i Tiranës (1980-1984), Rita Petro vazhdoi specializimet në Filozofi dhe Kulturë Greke në Universiteti i Athinës (1993-1994). Përgjatë viteve 1985-2000, ajo punoi si redaktore në Shtëpinë Botuese të Librit Shkollor, duke luajtur një rol kyç në zhvillimin e programeve, teksteve dhe trajnimeve për gjuhën dhe letërsinë shqipe në shkolla. Në vitin 2000, së bashku me Latif Ajrullain, themeloi Shtëpinë Botuese Albas, e cila është bërë një emër i njohur në botimet shkollore në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Preshevë dhe diasporë.
Botimet e saj poetike kanë sjellë një frymë të re në poezinë shqipe. Ajo ka nisur me vëllimin “Vargje të përfolura” (1994), pasuar nga “Shija e instinktit” (1998), ndërsa më pas krijimtaria e saj u pasurua me vëllime të tjera si “Këtu poshtë këndohet live”, “Vrima” dhe “Kënga e turmës”, që e konsoliduan zërin e saj origjinal në poezinë bashkëkohore shqipe. Poezitë e saj janë përkthyer në disa gjuhë, si frëngjisht, gjermanisht, anglisht dhe rumanisht, dhe janë botuar në revista letrare dhe antologji ndërkombëtare.
Në vitin 2022, Rita Petro debutoi në prozë me romanin autobiografik “Lindur së prapthi”, një rrëfim i sinqertë që pasqyron jetën e saj që nga fëmijëria. Romani u nominua për çmim kombëtar në vitin 2022 dhe përfaqësoi Shqipërinë në kandidimin për Çmimin Europian të Letërsisë (EUPL) 2024. Romani është përkthyer i plotë në greqisht me titullin “Αναποδογεννημένη” nga një shtëpi botuese greke, duke e sjellë veprën për lexuesin grek, ndërkohë në gjuhën angleze janë bërë përkthime pjesësh për prezantim ndërkombëtar të “Lindur së prapthi”.
Në vitin 2025, ajo u paraqit para lexuesit me poemën “Poema e mungesës”, një projekt poetik i veçantë që dëshmon edhe një herë fuqinë dhe origjinalitetin e zërit të saj krijues; një tekst i gjerë poetik që eksploron temat e mungesës, kujtesës dhe identitetit, duke dëshmuar edhe një herë aftësinë e autores për të eksperimentuar me formën dhe për të zgjeruar kufijtë e poezisë bashkëkohore.
Për krijimtarinë e saj është vlerësuar me disa çmime prestigjioze, ndër të cilat Çmimi Kombëtar i Bibliofilisë “Lumo Skëndo” në vitin 2014, Çmimi i Karrierës për poezi në vitin 2015 dhe Çmimi “Beratinus” në vitin 2025.
Paralelisht me veprimtarinë letrare, Rita Petro drejton Shtëpinë Botuese Albas (e cila operon në të gjitha trevat shqiptare dhe Diasporë) dhe ka dhënë një kontribut të vazhdueshëm në botimin, promovimin dhe përhapjen e librit dhe letërsisë shqipe bashkëkohore.
Rita Petro njihet gjithashtu për zërin e saj kritik dhe mendimin e lirë në trajtimin e tematikave sociale. Ajo angazhohet në media dhe rrjete sociale me reflektime të thella mbi çështje që prekin shoqërinë shqiptare, duke dhënë kontribut të çmuar në debatin publik dhe duke frymëzuar me guximin e saj intelektual.
Ajo që e dallon Ritën është zgjuarësia, modestia dhe sinqeriteti, dashuria dhe guximi për të bërë realitet ëndrrat, pasioni i artistes dhe përballja me problematikat e vështirësitë e jetës.
Në këtë ditë të veçantë, e urojmë Rita Petron për ditëlindjen e saj, i urojmë të arrijë atje ku ajo dëshiron dhe i shprehim mirënjohjen për kontributin e saj të çmuar në kulturën dhe letërsinë shqiptare.
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë
Albas në Panairin e Librit në Shkup: Tituj të rinj dhe zbritje speciale nga data 8 deri 14 maj
Klubi i Leximit Albas bashkëbisedoi mbi romanin "Manual Rrëzimi" në prani të autores Jonila Godole, të ftuar edhe gjimnazistë
Poetja Laureate Rita Petro solli "Dashurinë në vargje" në aktivitetin e saj të parë për publikun