Reflektim

Të rinjtë sot vs mësuesit

A jemi ne mësuesit e sotëm, të duhurit për nxënësit tanë? Po nxënësit a lexojnë përtej librave shkollorë, çfarë bëjnë ata konkretisht për të ardhmen e tyre? Ky është një shkrim reflektues bazuar nga një eksperiencë e mësueses Migena Kapllani.

A jemi ne mësuesit e sotëm, të duhurit për nxënësit tanë? 


Shpesh ua them nxënësve të mi, që klasa ku unë zhvilloj mësim si mësuese nuk ndryshon shumë nga ajo klasë ku unë dikur në vitet 80 kam qenë nxënëse. 


Në bisedë me nxënësit e mi, herë e shoh veten përpara e herë pas tyre. Ky krahasim nuk më kënaq aspak, pasi përparimet e mia janë në avantazh me moshën time e jo me kohën. E ndiej veten një dje për nxënësit e mi. Ajo që po përpiqem të them është se sot ne me të djeshmen tonë si mësimdhënës, në këtë kohë kaq të vrullshme, do jemi të gjykuar nga të tërë për këtë që po u ofrojmë si shkollim. Më vjen keq kur i shoh nxënësit e mi 6 orë mësimore të rrinë në bankë si të ngujuar, thjesht duke dëgjuar një shpjegim me shkumës e dërrasë të zezë dhe kaq. Nuk e thonë, por sytë e tyre tregojnë lodhje, mundim për të mbajtur mendjen dhe interesin në mësim për gjërat që thuhen. 


Dikush mund të thotë “si të duan..., kjo është shkolla...”. Por jo, se globalizimi i shoqërisë, i bën me dije se këto kushte janë kështu veç ndër ne, se ka shkolla që të konkurrojnë me teknologji e kompjuterë që e dërgojnë informacionin më shpejt te nxënësi, me laboratorë e salla të bollshme, me palestra e ambiente leximi... Shkolla jonë është akoma në nivele të informacionit kur sot çdo gjë është google. Ne duhet të punojmë me nivele të të menduarit e jo të informacioneve pa fund. 


Në fillim të vitit shkollor, i shpërndava nxënësve një detyrë me shkrim. Ishte një punim që u ishte kërkuar ta zhvillinin si ese nga viti i kaluar. Ishin vlerësuar për atë punë. Edhe tema ishte e qëllimshme që më ndihmonte në këtë shpërndarje. Kërkohej:

  1. A ju janë lexuar libra në fëmijëri? Cilat janë avantazhet/disavantazhet. 
  2. A keni krijuar një ide për të ardhmen tuaj? Çfarë po bëni për këtë?


Të dyja temat ishin të lidhura me shkollimin e tyre. Pasi ua shpërndava, kërkova të rishihnin veten në lidhje me shkrimin e esesë, sintaksën e përdorur, por edhe idetë e hedhura. 

Kisha si qëllim t’u tregoja se për disa muaj largësi, mund të shohësh ndryshimin te vetja, nëse e gjen atë shkrim me të meta dhe mbi të gjitha a kanë qenë të bindur për gjërat që kanë shkuar. 


Diskutuan për detyrën, duke menduar (të fillosh të mendosh, është shumë e rëndësishme për një mësues) se: 

  • kishte probleme si ese; 
  • mund ta kishin shprehur më mirë idenë; 
  • mund ta kishin përmbledhur disi “hallakatjen” e të shprehurit; 
  • mund të kishin thënë edhe të tjera gjëra, por u pëlqente e vërteta që kishin thënë. 


Ndienin se mund të ishin shprehur më mirë dhe e shihnin ne sy kritik punimin. 

Unë u kërkova gjithashtu të më tregonin se lidhur me ato tema, çfarë kishin bërë ndërkohë, për të përmirësuar gjendjen. 


A kishin lexuar gjatë kësaj kohe për të vijuar atë që prindërit nisën në fëmijëri apo për të rifilluar atë që nuk u bë në fëmijëri e të plotësojmë për veten boshllëqet?

Apo bënin diçka konkrete për të ardhmen e tyre? 


Kishte nga ata që po vijonin seriozisht me gjërat që u interesojnë të bëjnë; po mësonin një gjuhë të huaj për vijimin e studimeve, po punonim me disa programime, po merreshin me projekte muzikore, kishin bërë punë verore për të siguruar disa të ardhura, kishin qenë në një organizatë vullnetare për të ndihmuar fëmijët si animatorë etj. Por këto ishin shumë pak. Të tjerët me lehtësi u justifikuan me pandeminë, me pamundësitë për të kapur kohën në mësime etj. 

Unë e mora si pengesë nga ana e arsimit tonë. Shumë informacion dhe teori, utopi e fjalë pa fund…

Ëndrrat i kanë se çdo ditë shohin shembuj njerëzish të suksesshëm që bëhen dikushi, por nuk u tregohet shtegu.  

Një nxënës më tha: “Unë do bëhem inxhinier mekanik..” , ndërkohë që ai nuk mëson dhe nuk bën përpjekje të dukshme. Nuk lexon librin shkollor e jo më përtej, nuk studion fort lëndët shkencore, ka thjesht dëshirën dhe kaq. Kur e pyeta se si beson që do të bëhej, më solli një shprehje të Ermal Mamaqit që kish thënë se mësuesit nuk besonin që ai do bëhej dikushi , por ai u bë. 


Nuk di se si e ku e ka thënë këtë Ermali, por njerëz të tillë që shpesh janë shembuj për të rinjtë, nuk duhet të mjaftohen vetëm me ushqimin e iluzioneve për t’u bërë ai që do të jesh, por t’u tregohet sakrifica e mundi i përditshëm. Gjërat nuk bëhen sot për nesër. Duhet të punosh fort që të arrish atë që do. 


Në Shqipërinë tonë, ku gjithkush është “i gjithëdijshëm”, shkatërrojmë të ardhmen nga gjysmë të diturit që thotë Konica.


Nga Migena Kapllani, mësuese e Gjuhës dhe Letërsisë 


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

1,641 Lexime
2 vjet më parë