OPINION

Thumbat e Koronavirusit nuk mund ta prekin zemrën e mësuesit!

Ky 7 mars le të jetë një ditë shprese, besimi e lutje se e nesërmja do të jetë e çliruar nga armiku i padukshëm Covid-19, për ne, për nxënësit, familjet tona dhe për mbarë globin.

7 Marsi le të jetë një ditë homazhi për mësuesit që nuk jetojnë më, dhe ditë lutje për të gjithë ne. 


Vetëm pak ditë pasi mësuesit kremtuan ditën e tyre në marsin e vitit 2020, u shfaqën rastet e para të personave të infektuar me Covid-19 në vendin tonë dhe vendi u fut në karantinë.

 

Prej 1 viti mësuesit janë përballur me sfida të reja, duke luajtur një rol kyç, jo vetëm në aspektin arsimor-edukativ por edhe në atë psikologjiko-social. 


Paralelisht me mësimdhënien gjatë këtij viti, mësuesve u është dashur që të trajnohen edhe për platforma të ndryshme për mësimdhënien online, për t’i përvetësuar dhe zbatuar ato. Kjo ka qenë një tjetër sfidë e madhe. Ashtu si bluzat e bardha, po aq i shenjtë dhe i rëndësishëm ka qenë dhe është misioni i mësuesit në këtë periudhë kur pandemia po shkakton jo vetëm plagë të mëdha në familjet shqiptare, për shak të vdekjeve si pasojë e prekjes nga virusi, por edhe në aspektin psikologjik të personave. Mësuesit i është dashur të sfidojë dhe të përballojë betejat me Covidin, duke rrezikuar ndoshta edhe jetën e tij dhe familjarëve të tij.


Të zgjohesh në mëngjes me shpresën dhe lutjen, që virusi të mos ketë prekur familjen tënde, nxënësit, kolegët dhe miqtë, duke harruar madje edhe veten. Të nisesh për në punë duke u dhënë puthjen e mëngjesit fëmijëve, me shpresën që të mos i injektosh virusin, apo për të mos qenë puthja e lamtumirës, siç ka ndodhur me sa e sa mësues. 


Me të arritur në shkollë, shikon duke bërë një apel me mendje të nxënësve dhe kolegëve të tu, dhe dita nis pozitivisht kur konstaton se asnjë prej tyre nuk mungon. Në ato raste kur syrit tënd i mungon ndonjë prej tyre bën një lutje në heshtje që ta kalojë sa më lehtë dhe pa pasoja flamën e mallkuar të Covid-19. 


Rrëmben bluzën e bardhë nga varësja dhe gjen forcë për të buzëqeshur në çdo rast me kolegët dhe nxënësit duke uruar një ditë të mbarë mësimi. Nuk ka sesi t’i shmangemi diskutimeve qoftë me nxënësit dhe kolegët për situatën, ku krahas mësimit zënë vend edhe këshillimet me nxënësit si mësuese dhe si prind për të respektuar masat anti-Covid. E ti trishtohesh kur mëson se virusi mund të ketë prekur ndonjë koleg/e apo nxënës/e, por edhe familjarë të tij/saj, si një familje e madhe që jemi. 


Zilja e përfundimit të mësimit bie me shpresën që nesër ta dëgjojmë sërish të gjithë si një ogur shprese. Rikthehemi në shtëpi duke qenë ende në ankth se si mund të jenë familjarët e tu, dhe lumturohesh kur shikon që ata janë mirë dhe gjen forcë për t’i mbështetur, dhënë kurajo apo shërbyer kur ndonjë prej tyre nuk ndjehet mirë. Sa e sa kolegë në vendin tonë nuk ia dolën dot të fitonin betejën. Ky 7 mars le të jetë një ditë homazhi dhe lutje për shpirtrat e tyre. Sa familjarë të mësuesve na dhanë lamtumirën dhe prehen në amshim. Sërish ky 7 mars le të jetë një ditë homazhi për ta. Sa e sa prindër e familjarë të nxënësve tanë janë sot në parajsë po për shkak të Covidit. Ky 7 mars le të jetë një ditë homazhi edhe për ta. 


Ky 7 mars vazhdon të jetë ndryshe, pa ceremoni e organizime, por në altarin e kësaj feste të bekuar le të bashkohemi në lutje me shpresë dhe besim për të gjithë mësuesit, nxënësit dhe familjet e tyre, të cilët janë të prekur nga ky virus, që ta kalojnë sa më lehtë dhe për një rikuperim të shpejtë të tyre. 


Ky 7 mars le të jetë një ditë shprese, besimi e lutje se e nesërmja do të jetë e çliruar nga armiku i padukshëm Covdit-19, për ne, për nxënësit dhe familjet tona dhe për mbarë globin. “Thumbat” e Koronavirusit mund ta lëndojnë mësuesin por jo t’i prekin zemrën, pasi ai është një hero, dhe misioni i tij është i shenjtë.




(Shënim: Fotot nga nxënëset lezhiane)

Nga Lindita Kokaj

Mësuese e gjuhës gjermane



 

©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.



2,333 Lexime
3 vjet më parë