Intervistë

Verë 2020, Sevi Lami Agolli: Librat që duhet të shoqërojnë pushimet tuaja

Gjatë një interviste për emisionin “Parfume”, të TV “Scan”, redaktoja Sevi Lami Agolli tregoi cilët libra kryesojnë toplistën e librave më të pëlqyer nga fëmijët dhe me çfarë botimesh ekskluzive vjen shtëpia botuese "Albas" për sezonin “Verë 2020” për fëmijë e të rritur.

Cili është sekreti që shtëpia botuese “Albas” është kaq e dashur për fëmijët dhe cilat janë disa nga sugjerimet verore për lexuesit e vegjël? Këtë na e tregoi sot gjatë një interviste për emisionin “Parfume”, të TV “Scan”, redaktorja Sevi Lami Agolli.  Për më shumë dhe për të zgjedhur një libër të këndshëm gjatë verës, ndiqni intervistën më poshtë.


Cili është sekreti që shtëpia botuese “Albas” është kaq e suksesshme dhe e pëlqyer nga fëmijët? 


Fëmijët dhe bota e tyre janë motivi kryesor, motori lëvizës i shtëpisë botuese “Albas”. “Albasi” sheh gjithmonë përpara, tek e ardhmja, ndaj u përkushtohet kaq shumë fëmijëve, që ata të kenë një formim të plotë edukativ dhe kulturor. Fëmijët janë pika jonë e dobët dhe e fortë, ndaj vëmendja maksimale ka shkuar për ta, por pa lënë mënjanë edhe letërsinë për të rritur. “Albasi” di të jetë në duart e fëmijëve qoftë me tekste shkollore mjaft cilësore dhe didaktike, por edhe me libra artistikë mjaft cilësorë.  Sekreti është se ne nuk përqendrohemi vetëm te një grupmoshë e caktuar, por u kushtojmë vëmendjen e duhur të gjitha grupmoshave dhe të gjitha shijeve artistike të lexuesit të vogël.  Ne mendojmë që për fëmijët 0-6 muajsh me serinë “Bota e bebes” e deri te të rinjtë 15-16-vjeçarë, me libra interesantë mbi problematikat e kësaj moshe. Dëshirojmë të jemi në dorën e çdo lexuesi të vogël, qoftë atij që i pëlqejnë aventurat, për të cilët kemi sjellë klasikët e famshëm dhe të pavdekshëm; qoftë atij që i pëlqejnë enciklopeditë, me enciklopedi për grupmosha të ndryshme, si “Enciklopedia ime”, “Bota rreth nesh”, “Rreth botës për të vegjël” etj. Dëshirojmë të jemi në duart edhe të atyre lexuesve që u pëlqejnë përrallat, me përmbledhjen nga origjinali të “Përrallave të Vëllezërve Grim”, të Andersenit; apo të atyre fëmijëve që pëlqejnë libra me tematikë nga jeta aktuale, si seria “Shoqja ime Koni, “Shoku im Maksi”, “Familja e paparë”, apo edhe për atë fëmijë që duan libra nga autorë të mëdhenj për fëmijë. Kështu Albasi është kujdesur të sjellë në shqip letërsinë më të bukur për fëmijë nga autorë të mëdhenj botërorë dhe novelistë të famshëm, si Le Clézio, Roberto Piumini, Daniel Pennac etj. Por nuk kemi lënë mënjanë edhe librat për fëmijë nga autorë shqiptarë,  si seria “Më quajnë”, që tregon për jetën e shumë personaliteteve të vendit tonë; “Trëndafili i bardhë”, libra të frymëzuar nga vetë bëmat e fëmijëve, si “Gënjeshtra të bardha” etj.  

Fëmijë dhe prindër, kemi  menduar dhe mendojmë gjithmonë për ju. Ju jeni frymëzimi dhe motori ynë, ndaj në librarinë tonë do të gjeni gjithmonë tituj të bukur për të lexuar në çdo kohë dhe për ta pasuruar bibliotekën tuaj. 


Cila është lista e 10 librave më të lexuar ndër vite të shtëpisë botuese Albas?


Albasi ka 20 vite jetë dhe gjatë këtyre 20 viteve ka sjellë tituj mbajt të bukur.  Shija e leximit është individuale dhe fëmijët ndikojnë shumë në këtë drejtim te njëri-tjetri. Kur njërit i pëlqen një libër dhe ia tregon shoku apo shoqes së ngushtë, patjetër dhe ky i fundit do e lexojë atë që ka lexuar shoku apo shoqja. Por gjithsesi, një listë e hapur e librave më të lexuar nga shtëpia botuese “Albas” është:

1.  Klasikët nga origjinali kryesojnë listën. Titujt klasikë: Nils Holersoni, Zemër, Poliana, Princi i vogël, Princi i lumtur, Piter Pani, Hajdi, Ana Flokëkuqja etj., bëjnë pjesë edhe në lista të librave që duhen lexuar me patjetër në jetë. 

2. Seria “Më quajnë” renditet e dyta, për vlerat e veçanta edukative dhe artistike që ka. Kjo seri e pasuruar viti pas viti me tituj të rinj, tregon për jetën e shumë personaliteteve të botës, por edhe shqiptare, si: Nënë Tereza, Bethoven,  Marko Polo, Skënderbeu, Ismail Qemali, Ajnshtajni, Pikaso, Mbretëresha Teuta etj. Këta libra bibliografikë vijnë me një gjuhë dhe stil mjaft të këndshëm për fëmijët, për të njohur më mirë këto figura të shquara historike. 

3. Në vend të tretë radhitet seria Shoqja ime Koni dhe Shoku im Maksi. E veçanta e këtyre librave është se trajtojnë ngjarje dhe problematika aktuale nga jeta e fëmijëve. Koni dhe Maksi në këtë seri rriten bashkë me fëmijët. Nga 3 vjeç duke mësuar biçikletën dhe notin, ata bëhen 15-16-vjeçarë me problematikat e tyre.

4. Vendi i katërt shkon për letërsinë italiane për fëmijë, një letërsi mjaft e bukur dhe me mesazhe të mëdha.  Ndaj “Albasi” nga kjo letërsi ka sjellë vepra, si: Matia dhe gjyshi, Gjyshi im ishte një pemë qershie, Dhelprat e shkretëtirës, Stralisku, Historia e jashtëzakonshme e Lavinjës etj.

5. Vendi i pestë shkon për letërsinë franceze për fëmijë, me shkrimtarë të shquar dhe nobelsitë, si Le Clézio, Daniel Pennac etj. Tituj të këtyre autorëve të sjellë nga shtëpia botuese Albas: janë Jeta e një qeni, Syri i ujkut, Udhëtim në botën pemëve etj. 

6. Vendi i gjashtë shkon për veprat e Olimpit grek të mbuluar ende me mjegull, pra, për veprat e Homerit, Iliada dhe Odiseja, të përshtatura dhe të sjella kaq bukur në shqip për fëmijë. Bëmat e Akilit, Hektorit, Odisesë apo edhe të Eneas romak kanë frymëzuar qindra mijëra breza para nesh dhe assesi nuk duhet të mungojnë në bibliotekën tuaj, duke qenë se ju duhen për analizë letrare edhe në shkollë. 

7. Vendi i shtatë shkon për mitet, të cilat janë bërë burim frymëzimi për shumë shkrimtarë botërorë. “Albasi”sjell dy tituj mjaft interesantë: Mitologjia botërore dhe Mitologjia shqiptare.  Këtu mund të gjeni informacionin e plotë mbi mitet, perënditë e Olimpit, të vendit tonë dhe jo vetëm. 

8. Në vend të tetë radhiten legjendat dhe baladat shqiptare. Pra, për të pasionuarit për legjendat për vendet dhe heronjtë tanë, libri “Legjenda dhe vende” dhe “Legjenda dhe balada” janë dy tituj që duhet t’i lexoni dhe mësoni prej tyre.

9. Vendi i nëntë shkon për përrallën e bukur të mbretëreshës shqiptare, Geraldinës. Ky libër ju tregon historinë e bukur të mbretëreshës Geraldinë, e quajtur ndryshe "Trëndafili i bardhë". 

10. Kurse vendi i dhjetë i listës së librave më të lexuar të shtëpisë botuese shkon letërsinë për të rinj, me libra “Unë them jo”, “Çfarë po ndodh me mua – 1001 pyetje dhe përgjigje”, “Çfarë muzike” etj.  


Çfarë sugjeroni për fëmijët si lexime jashtëshkollore gjatë kësaj vere? 


 Vera është koha më e përshtatshme për të lexuar, sepse ke më shumë kohë të lirë dhe madje me pushime mund të lexosh më shumë seç ke lexuar gjatë gjithë vitit. Vera është cilësuar edhe si sezoni më i shëndetshëm  për trurin. Ka shumë njerëz a fëmijë që bashkë me mjetet e plazhit, në valixhe futin gjithmonë 1 ose 2 libra. Zakonisht këta libra që njerëzit marrim me vete me pushime janë libra “të lehtë”, argëtues, me histori të lumtura dhe suksesi. 

Nisur edhe nga lista e librave më të pëlqyer ose më të shitur pranë librarive tona, unë ju them fëmijëve mos lini pa lexuar Iliadën, Odisenë, Eneidën, Nils Holgersonin, Zemër, Princi i vogël, Poliana, Vëllezërit Grim, Koni dhe shoqëria, Legjendat dhe baladat shqiptare, Unë them jo etj. Ne bëjmë një përzgjedhje mjaft të kujdesshme të librave për fëmijë që botojmë, duke iu përmbajtur dhe programit shkollor të tyre. Dhe këta libra duhen lexuar jo vetëm për shijen artistike, por gjatë vitit shkollor ata duhen gjatë analizës letrare që bëjnë në orën e gjuhës dhe letërsisë. Pra, fëmijë, një rrugë e dy punë! 


Po tituj të rinj, ekskluzivë për këtë verë, a ka sjellë shtëpia botuese “Albas”? Nëse po, cilët janë ata? 


Sigurish që “Albasi” vjen me tituj të rinj, ekskluzivë për verë 2020. Nisur edhe nga përvoja dhe diktuar nga shija e lexuesit deri tani, lista e librave verë 2020 për fëmijë është: 

1. Aventurat e Tom Sojerit – Mark Tuein

2. Përrallat e Andersenit – Anderseni 

3. Syri i ujkut – Daniel Pennac

4. Vera ime pa të dashur - Dagmar Hoshfeld

5. Jeta, dashuria dhe gjithçka tjetër - Dagmar Hoshfeld

 Mirëpo ne mendojmë edhe për prindërit, duke qenë se fëmijët imitojnë veprimet e të rriturve. Duke lexuar prindërit, edhe fëmijët kultivojnë shijen e leximit. Ndaj këtë verë, duke parë edhe pëlqimin e madh ndaj librave psikologjikë sidomos ndaj shkrimtarit bestseller, Skot Pek, kemi sjellë libra psikologjikë për ngritje shpirtërore dhe një jetë më të ndritur nga Robin Sharma dhe jo vetëm, si:  

1. Murgu që shiti Ferrarin – Robin Sharma 

2. Kush do qajë kur të vdesësh – Robin Sharma 

3. Më fal - Ida Hegazi Høyer

4. Kafsha e zemrës - Hertha Muller

5. Shtërgjet – e nobelistes polake Olga Tokarczuk  


Fëmijë, unë ju ftoj të mos niseni me pushime pa njërin ose dy prej këtyre titujve. Do të jenë miqtë tuaj më të mirë gjatë kësaj vere! Shtëpia botuese “Albas” dhe unë personalisht ju urojmë pushime të mbara dhe kujtime sa më të bukura nga kjo verë! 


Intervistoi Jona Shuaipi


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.


2,406 Lexime
3 vjet më parë