Situata e COVID-19

Mësuesit në misionin e shpëtimit

Sot shumë prej mësuesve janë të sëmurë me Covid-19. Ndaj, kurajo! Sot jemi me ju! Ndërkohë, fëmijët me mënyrën e tyre shpresojnë dhe luten çdo ditë që ju të jeni mirë. Ata janë engjëjt që do t’ju mbrojnë, deri sa t’ju shikojnë sërish të qeshur mes tyre.

Kur filloi viti shkollor, isha në dyshimet e mia, që më shoqëronin prej disa javësh tashmë, se do të mund të rezultonte i suksesshëm, duke mos rrezikuar fëmijët por mbi të gjitha, mësuesit. Në disa intervista, u mundova të shprehja me zemërim mendimin e kundërt rreth këmbënguljes së institucioneve përkatëse për të filluar vitin shkollor në një kohë kur NUK kishim zbritje të kurbës së pandemisë, përkundrazi, kishim ngritje të saj. Ishte pikërisht kjo periudhë e pazakontë, e mjegullt, e ngarkuar me shumë dilema dhe e brishtë për të gjithë ne, që po na sillte çuditërisht disa vendime të sigurta lidhur me fillimin e shkollës. Ndoshta i gjithë ky entuziazëm, mund të buronte nga përvoja e pandemisë. Pra, shkollat do të duhet të hapeshin. 


Por a mund të kemi një funksionim të zakonshëm të shkollave në një periudhë të pazakontë? 


E kuptojë argumentin e prindërve duke përfytyruar shqetësimet e tyre se nuk mund të luftonin edhe për shumë kohë as me stresin e një bashkëjetesë 24 orëshe familjare, dhe as me stresin e papunësisë, dhe mbi të gjitha me stresin e një fenomeni siç është pandemia, që duket se nuk po i shihet fundi. 

E gjithë kjo situatë e ndryshojë tërësisht mënyrën tonë të të jetuarit dhe tashmë këndvështrimin tonë për jetën. Dhe ka akoma për të mësuar përpos gjithë kësaj, sepse fundi do të duhet të vijë gjithsesi, pasi diçka që fillon, e ka dhe një përfundim. E deri atëherë, ata që po luftojnë për secilin prej nesh, janë pa diskutim, mjekët dhe ata që po luftojnë për çdo familje për të rimëkëmbur dinamikat familjare dhe sociale, janë mësuesit. 


Misioni i tyre ka qenë edhe do të jetë përçimi i dijes. Edhe sot ata po përçojnë dijen te fëmijët, por në kushte aspak të zakonta. Me mish e me kocka, me mëndje e me shpirt, vijnë të japin më të mirën, duke marrë mbi vete rrezikun e kësaj pandemie, në heshtjen dekurajuese se nuk kanë se ç’të bëjnë, se zgjedhja nuk është me e tyrja. 



Ata mund të zgjedhin vetëm të largohen nga “fronti” i këtij misioni, që tashmë është “misioni i shpëtimit”. Po po, mësuesit sot po shpëtojnë familjet dhe fëmijët nga stresi dhe dëshpërimi i një jete pa jetë, të një dite pa dije, dhe të një të ardhme pa shpresën se nesër do të kthehemi sikurse ishim më parë. Ata po e shpëtojnë këtë gjë. 


Sot shumë prej mësuesve janë të sëmurë me Covid-19. Më vjen keq që në këtë betejë ka edhe humbës të vendit të frontit, por jo humbës të “luftës”. Shumë shpejt ata do ta shikojnë vetën sërish në ato klasa, pranë atyre bankave dhe pranë kolegëve. Po të dashur mësues, aty do të jeni sepse nuk ka se si të ndodh ndryshe. Heronjtë kthehen fitimtarë. Ju jeni fitimtarë të kësaj “lufte”. Kërkon kurajë të përballosh këtë virozë. 


Më thoni, a ju ka munguar juve kuraja kur i mësonit fëmijët mes plumbave, kur i ngushëllonit ata të mos kishin frikë? 


Kjo betejë kërkon optimizëm, por a nuk jeni ju që i përkëdhelni mendjen dhe shpirtin e fëmijëve duke i inkurajuar se do t’ia dalin në jetë?


 Se ata mund të jenë çdo gjë që ata dëshirojnë, mjaftojnë të punojnë dhe ta duan? 


Se ata mund të bëhen dikush edhe pse zërat e jashtëm ndonjëherë janë tallës, dekurajues dhe poshtërues? 


Ky virus ndoshta do t’ju bëjë të ndjeheni keq apo të dobët fizikisht, por a nuk ishin ju që i afroheshit pranë, ëmbël dhe me dhemburi fëmijëve barkë-bosh dhe ata me probleme familjare, për t’i dhënë forcë dhe guxim për të nesërmen? 


A nuk ishit ju që i dhatë forcën e munguar?


Unë ju kam njohur të jeni edhe kështu, model frymëzimi dhe inkurajimi për breza të tërë. Ndaj edhe fëmijët e kanë të vështirë të harrojnë mësuesit e tyre. Ju keni lënë gjurmë të thella dhe të arta te ne. Ndaj, kurajo! 

Sot jemi me ju! Ndërkohë, fëmijët me mënyrën e tyre shpresojnë dhe luten çdo ditë që ju të jeni mirë. Ata janë engjëjt që do t’ju mbrojnë, deri sa t’ju shikojnë sërish të qeshur mes tyre. 



Nga Drnt. Denata Toçe

Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

4,317 Lexime
3 vjet më parë