
“Fundjava magjike” – shfaqja për nxënësit dhe fëmijët, deri në fund të tetorit në Teatrin Eksperimental
Ku mund t’i dërgoni nxënësit dhe fëmijët tuaj këto ditë për pak kulturë e argëtim? Teatri Kombëtar Eksperimental sjell shfaqjen "Fundjava magjike", një histori plot ngjyra, humor dhe reflektim. Ajo do të jepet deri në fund të tetorit: për shkolla gjatë javës dhe me prindërit në fundjavë.
Në Teatrin Kombëtar Eksperimental "Kujtim Spahivogli" vijon të shfaqet premiera e sezonit për fëmijë, “Fundjava magjike”, me tekst dhe regji nga Kleard Gërmenji.
Kjo shfaqje, e mbushur me humor, ndjeshmëri dhe mesazhe reflektuese, sjell përpara publikut historinë e dy fëmijëve, motër e vëlla, të cilët janë humbur pas ekranit dhe klikimeve, derisa një fundjavë e pazakontë i vendos përballë Njeriut Llamarinë, që kërkon zemrën e tij.


Ky udhëtim i magjishëm, i mbushur me ngjyra dhe surpriza, i mëson të vegjlit të shohin përtej dukjes dhe të zbulojnë vlerat e vërteta që japin kuptim jetës.
Sipas regjisorit Kleard Gërmenji, shfaqja do të jetë në skenë deri në fund të muajit tetor. Gjatë javës ajo do të jetë e hapur për nxënësit e shkollave të cilët mund ta ndjekin së bashku me mësuesit e tyre, ndërsa në fundjavë pritet që fëmijët të vijnë së bashku me prindërit, duke e kthyer vizitën në teatër në një përjetim kulturor të veçantë për gjithë familjen.
Në role interpretojnë aktorët Adriana Tolka, Klodian Çelmeta, Fabiana Proi dhe Shandi Ismailaj, ndërsa skenografia është realizuar nga Beqo Nanaj, koreografia nga Semela Skënderasi dhe kostumografia nga Sofi Kara.
“Fundjava magjike” është një ftesë për të gjitha familjet dhe shkollat që gjatë këtyre ditëve të ofrojnë për fëmijët një mundësi për të përjetuar emocionet e teatrit, për të reflektuar mbi botën përtej ekranit dhe për të kaluar kohë me kuptim në një atmosferë plot me ngjyra, buzëqeshje dhe emocion.
Shfaqja po jepet në sallën e “ArTurbinës” në Tiranë dhe mbetet një zgjedhje e shkëlqyer për t’i sjellë fëmijët dhe nxënësit më afër kulturës teatrore.
Nesër / Ora 10:30. Si dhe çdo fundjavë.
Salla 150, arTurbina, Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”
Për rezervime në: 0695717746
© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Pse duhet të lexosh? Këto 100 thënie për leximin janë për ty...
Gjuha shqipe përtej teksteve shkollore: Kur udhëtimi imagjinar bëhet mjet mësimor
"Fleta e parë e një libri të ri"