Jam mësuese me liri të vrarë

“Frymëzim letrar nga realiteti që plagos lirinë, por nuk arrin ta vrasë ndërgjegjen” thotë mësuesja Teuta Bilçari në vargjet e mëposhtme.

Nga Teuta Bilçari 


Kjo nuk është historia ime,

Kjo është britma e shumë mësuesve që e kanë parë drejtësinë të kthehet në farsë,

mirënjohjen në zili,

dhe heshtjen në kusht për mbijetesë.

E nisa profesionin me ëndrra që digjeshin si flakë,

me dashuri për dritën,

me besimin se fjala është krah, jo pranga.

Por s’kaloi shumë,

dhe kuptova se fjala e lirë ka çmim,

se ndershmëria quhet rrezik,

dhe e vërteta dënohet me përjashtim.

Spiunë me maska miqësie,

që fshihen pas buzëqeshjes,

vijnë, të matin, të peshojnë,

dhe e marrin çdo fjalë për ta përdorur si armë.

Një koment i pafajshëm për realitetin,

u mor, u shtrembërua, u shpërnda si “provë faji” ,

nga ata që kanë humbur çdo dritë në shpirt.

Nga ata që mendojnë se duke më përbaltur,

mbrojnë karrigen e tyre prej balte.

Ata që nuk shohin më larg se hunda e tyre

nuk e kuptojnë se s’flas për veten,

flas për tjetrin që s’ka zë,

për atë që e përkulin me presion,

për mësuesen që qan në heshtje pse nuk mund të thotë më “mjaft”.

Ata nuk e dinë se nuk ka dritë më të fortë

se ajo që lind nga e vërteta,

dhe s’ka errësirë më të madhe

se ajo që vishet me petkun e moralit.

Unë jam ende këtu.

Jo sepse nuk më lënduan,

por sepse ende besoj te fjala që ngre,

jo ajo që shuan.

Jam mësuese me liri të vrarë,

por me ndërgjegje që nuk pranon funeral.

Me shpirt që s’e tremb dot as shpifja,

as zilia,

as frika.

Sepse nuk jam vetëm unë. 

Jam çdo mësues që ka luftuar me heshtjen.

Jam çdo zë që e kanë bërë pluhur,

por që prapë ngrihet dhe flet.

E vërteta nuk është krim.

Fjala e lirë nuk është rrezik.

Guximi për të folur nuk është turp ,

është detyrim.

Le të më gjykojnë,

le të më përflasin,

le të më shpërndajnë fjalët si armë ,

sepse për sa kohë dikush përpiqet të më mbyllë gojën,

do të thotë se fjala ime prek.

Dhe derisa të ketë dritë në mua,

asnjë errësirë nuk do të fitojë.

-Për çdo mësues që ende e beson njeriun.

Për çdo zë që nuk pranon të shuhet.

Për çdo shpirt që mban mbi supe barrën e së vërtetës ,

kjo është për ju.

Sepse mësuesit nuk janë thjesht ata që japin dije ,

janë ata që zgjojnë ndërgjegje.

Dhe ndërgjegjja,

edhe kur plagoset,

nuk vdes.

Ajo ringjallet në çdo fëmijë që rritet me ndershmëri,

në çdo zë që thotë të vërtetën pa frikë.

Ne jemi drita që nuk shuhet ,

sepse lind çdo ditë në klasë,

në zemrën e një brezi të ri që po mëson çfarë do të thotë liri...






© Portali Shkollor Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

594 Lexime
10 orë më parë