"Kanga e Lulit t’Vocërr" nga shkolla "Barbulloja e Re", një risi që sjell revistën shkollore fizike dhe online

"Shkolla që flet me ngjyra" është nisma artistike e shkollës "Barbulloja e Re" që i jep jetë revistës "Kanga e Lulit t’Vocërr", një hapësirë ku nxënësit shprehin mendimet, emocionet dhe talentin e tyre përmes fjalës dhe artit.

Në një kohë kur shkollat kërkojnë mënyra të reja për ta bërë nxënësin pjesë aktive të procesit mësimor, shkolla "Barbulloja e Re" ka zgjedhur ta nisë këtë rrugë përmes artit, fjalës dhe ngjyrës. Nisma artistike "Shkolla që flet me ngjyra", e ndërmarrë në fillim të vitit shkollor 2025-2026, ka në qendër zhvillimin e krijimtarisë, ndjeshmërisë estetike dhe shprehjes së lirë të fëmijëve.


Një nga shtyllat kryesore të kësaj nisme është revista shkollore "Kanga e Lulit t’Vocërr", një botim që shërben si hapësirë ku nxënësit mund të shprehin mendimet, emocionet dhe talentet e tyre përmes shkrimit, poezisë, tregimit, vizatimit dhe artit pamor. Revista vjen si një pasqyrë e jetës artistike dhe shpirtërore të shkollës, por edhe si një ftesë për të dëgjuar zërin e fëmijëve përtej kornizave tradicionale të mësimit.


Ideja dhe drejtimi editorial i revistës janë ndjekur nga drejtuesja e shkollës, Matilda Bilbili, në bashkëpunim me stafin pedagogjik, duke e ndërtuar këtë projekt si një proces të vazhdueshëm krijues, ku mësuesit dhe nxënësit bashkëpunojnë për të sjellë në jetë rubrika, punime dhe përmbajtje që reflektojnë identitetin e shkollës.


Revista është e aksesueshme falas edhe online këtu, ndërsa një numër kopjesh fizike gjenden në bibliotekën e shkollës. 


Në këtë video mund të shihni hap pas hapi si të futeni online në revistë dhe të eksploroni përmbajtjen e saj. 

Krahas saj, nisma “Shkolla që flet me ngjyra” shtrihet edhe përmes ekspozitave, punimeve krijuese dhe rikrijimeve të veprave të artit botëror, duke e kthyer artin në pjesë të përditshme të përvojës shkollore.


Në thelb të këtij projekti qëndron një filozofi e qartë edukative: se përsosja e shpirtit është po aq e rëndësishme sa zhvillimi i dijes, dhe se çdo fëmijë ka një zë, një ndjenjë dhe një botë të brendshme që meriton të dëgjohet dhe të shprehet.



Urimi i Drejtoreshës, Matilda Bilbili



Të dashur nxënës, prindër dhe mësues,

Në këtë numër të dytë të revistës “Kanga e Lulit të vocërr”, dëshiroj të shpreh mirënjohjen time të sinqertë për mësueset Bardhe Gjikolaj dhe Marjela Lala, të cilat janë mbështetëset e para të kësaj nisme, duke besuar që në hapat e saj të parë se kjo “kangë e vogël” do të vazhdojë të rritet dhe të gjejë jehonë në zemrat e nxënësve tanë.

Një falënderim i përzemërt shkon për të gjithë ata mësues që përfshihen me përkushtim në ndërtimin e çdo rubrike, apo që kontribuojnë me shkrimet e tyre, duke e parë këtë revistë jo si një detyrë shtesë, por si një projekt të bukur e frymëzues, ku secili jep diçka nga vetja dhe merr në këmbim dije, mbresa të paharrueshme dhe shumë dashuri.

Një falënderim i veçantë u shkon nxënësve tanë, që janë dhe do të mbeten fryma e kësaj reviste, zëri i së cilës do të vazhdojë të pasurohet me mendimet, krijimtarinë dhe ëndrrat e tyre.

Në prag të festave të fundvitit, ju uroj të gjithëve Krishtlindje të mbushura me paqe, dashuri dhe ngrohtësi familjare, si dhe një Vit të Ri plot shpresë, shëndet, suksese dhe frymëzim të ri për të krijuar edhe më shumë “kangë” të bukura së bashku.

Gëzuar Krishtlindjet dhe një Vit të Ri të mbarë për të gjithë!

Me respekt dhe dashuri,

Drejtoresha e Shkollës,

Matilda Bilbili




© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

96 Lexime
1 orë më parë