Mario në garë për titullin “Il più grande Pastiçere”

Mario Peqini është një ndër 30 konkurrentët e rinj të edicionit të dytë të programit të RAI 2 “Il più grande Pasticcere”, që pas gjashtë mbrëmjesh do të dekretojë pastiçierin më të mirë të Italisë.

Mario Peqini është një ndër 30 konkurrentët e rinj të edicionit të dytë të programit të RAI 2 “Il più grande Pasticcere”, që pas gjashtë mbrëmjesh do të dekretojë pastiçierin më të mirë të Italisë.

Pastiçieri Mario Peqini është 28 vjeç, por prej kohësh e konsiderojnë “artistin e pastiçerisë” me një kurrikulum të pasur që do t’ia kishte zili edhe një profesionist i fushës së tij në prag pensioni. Prej disa vjetësh është shef i repartit të ëmbëlsirave në një prej restoranteve më të vlerësuara në Itali, “Il luogo di Aimo e Nadia” në Milano.

Mario është nga Durrësi. Kur Mario ishte 13 vjeç familja e tij emigroi në Itali. Ka ndjekur një shkollë hotelerie dhe u diplomua si kuzhinier teknolog.

“Gatimi është një pasion që kam qysh kur isha fëmijë, dëshira që të gatuaj për të tjerët më vjen nga brenda”, thotë Mario.

Shkolla i ofroi shumë mundësi falë stazheve dhe kështu iu dha mundësia të njihej me Aimo Moronin ku nisi të punojë menjëherë pas studimeve.

“Në restorantin e tij pashë e mësova shumë e shumë gjëra të zanatit që më pëlqyen menjëherë. Vendosa të shkoj e të punoj si pastiçer, duke u përpjekur të ndjek teorinë e Aimos mbi shijen dhe harmoninë e ingredientëve”.

Më pas Mario nisi studimet në Institutin e Arteve Kulinare Etoilè në Chioggia ku i dhanë mundësinë për të zbuluar lojërat, nevojat, vështirësitë, ngazëllimet dhe dhimbjet.

Duke më mësuar artin e jetës mbi të gjitha, që të jem i aftë të bëhem pastiçer duke qëndruar me këmbët në tokë”, thekson ai.

Më pas ka punuar edhe krah Roberto Rinaldinit, pastiçer i njohur i AMPI-t (Açademia Maestri Pasticceri Italiani) në Rimini, dhe u bë Chef Chocolatier. Pas katër vjetësh, në moshën 24-vjeçare, u kthye sërish në Milano, te Aimo e pritën krahëhapur dhe entuziastë për gjithë ç’kishte mësuar dhe e caktuan Chef Patissier, rol që e mbulon edhe sot në restorantin prestigjioz.

Në 2013-tën vlerësohet si “Shefi pastiçer më i mirë i vitit” nga “Identità Golose”,guida përvitshme e restoranteve më të mira të Italisë, Europës dhe botës që vlerëson kuzhinën dhe pastiçerinë e nivelit më të lartë. 

Për Marion, guida jepte këtë motivim.“Ka jetuar gjysmën e jetës në Shqipëri, nga ku u largua bashkë me familjen kur ishte vetëm 13 vjeç. Me babanë magazinier dhe nënën rrobaqepëse, me pengesën e parë italishten, ka studiuar rëndshëm për t’ia dalë mbanë. Në stafin e ‘Il luogo di Aimo e Dania’, krijon ëmbëlsirat në sintoni të plotë me pjatancat e kripura të ofruara nga restoranti”.

Dhe ja tani sfida e re, mes 30 konkurruesve të programit televiziv, do të vlerësohet nga tre mjeshtra italianë të pastiçerisë Luigi Biasetto, Leonardo Di Carlo e Roberto Rinaldini, të kryesuar nga Iginio Massari, ekselenca italiane në këtë fushë.

Urojmë që Marion ta kemi në program deri në natën finale kur vetëm një prej konkurrentëve do të fitojë  titullin “Il più grande pastiçere”. Deri më sot Mario ka fituar çdo sfidë, jemi të bindur që do të dijë “të ëmbëlsojë” jurinë me krijimet e tij të mrekullueshme sa për sytë aq edhe për shijen.

(Shqiptari i Italisë)

2,557 Lexime
8 vjet më parë