Mungesa e vëmendjes, problematikat dhe simptomat e ADHD-Së
Kur një individ nuk tregon vëmendje, kjo gjendje konsiderohet si çrregullim i vëmendjes dhe shfaqet përmes: hiperaktivitetit, impulsivitetit. Çrregullimi i vëmendjes me hiperaktivitet bashkëshoqërohet me një prej çrregullimeve të të nxënit.
Vëmendja funksionon si një filtër që vendos se ç'mund të mbahet mend. Kur një individ nuk tregon vëmendje, kjo gjendje konsiderohet si çrregullim i vëmendjes. Bën gabime të shpeshta pakujdesie, nuk i kushton vëmendje detajeve, duket sikur nuk dëgjon kur i flasin, shpërqendrohet dhe hutohet lehtësisht; këto janë vetëm disa nga simptomat e mungesës së vëmendjes. ADHD (shpjegohet më poshtë çfarë nënkupton) konsiderohet çrregullimi më i përhapur i periudhës së fëmijërisë së hershme dhe prek më shumë djemtë se vajzat.
Por, si shfaqet ky çrregullim, sa i përhapur është dhe a shoqërohet me çrregullime të të nxënit, i shpjegon psikologia Lorela Garuli në një intervistë për Portalin Shkollor.
Çfarë është çrregullimi i vëmendjes?
Çrregullimi i vëmendjes me hiperaktivitet (Attention Deficit Hyperactivity Disorder ADHD) përcaktohet si shfaqja e një grupi sjelljesh ku fëmija paraqet nivele impulsiviteti, mungesë vëmendjeje dhe hiperaktiviteti më të larta sesa fëmijët e tjerë të së njejtës moshë. Zakonisht këto vështirësi shfaqen përpara moshës 7-vjeçare. Problematikat e fëmijëve me ADHD bëhen shkak për shfaqjen e një sërë vështirësive në kontekstin familjar, shkollor, në marrëdhënie me prindërit, motrat/vëllezërit, shokët/shoqet e klasës, me mësuesit e me radhë. Simptomat dhe karakteristikat e ADHD ndahen në tre lloje dhe janë si më poshtë.
Si shfaqet çrregullimi?
ADHD ka tre fusha kryesore të cilat shfaqin problematikat dhe simptomat, përkatësisht: vëmendja, hiperaktiviteti dhe sjelljet impulsive.
Mungesa e vëmendjes:
o Bën gabime të shpeshta pakujdesie
o Nuk i kushton vëmendje detajeve
o Harron ndjekjen e rutinave dhe detyrave të përditshme
o Duket sikur nuk dëgjon kur i flasin
o Nuk e mban dot vëmendjen në kryerjen e detyrave apo gjatë lojës
o Ka vështirësi në organizimin e detyrave apo aktiviteteve
o Nuk i ndjek udhëzimet që i jepen
o Ka vështirësi në kryerjen e detyrave që kërkojnë ngarkesë të lartë mendore dhe përqendrim (siç janë rëndom detyrat e shkollës)
o Shpesh humb gjëra të cilat janë të domosdoshme për detyrat apo veprimtaritë (libra, fletore)
o Shpërqendrohet dhe hutohet lehtësisht
Hiperaktiviteti:
o Bën lëvizje përsëritëse me duar ose këmbë, në shenjë nervozizmi ose padurimi
o Nuk rri ulur në klasë apo mjedise të tjera, në të cilat qëndrimi ulur është i nevojshëm
o Vrapon, kërcen, hidhet së tepërmi në situata të papërshtatshme
o Flet shumë dhe pandërprerë
o Është gjatë gjithë kohës në lëvizje dhe duket sikur nuk lodhet kurrë
Impulsiviteti:
o Ka vështirësi në mbajtjen e radhës dhe kur i duhet të presë
o Nis të kthejë përgjigje përpara se t’i bëhet pyetja e plotë
o Ndërpret të tjerët kur flasin, futet në mes të një loje, bisede apo aktiviteti që të tjerët po kryejnë
Sa është i përhapur ky çrregullim dhe kë prek më shumë?
Çrregullimi i vëmendjes me hiperaktivitet prek më shumë djemtë sesa vajzat, në një raport 2:1. Në Shqipëri mungojnë shifrat dhe statistikat, por duke iu referuar atyre në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shpërndarja e këtij çrregullimi varion nga 4% deri 7%.
Shkaqet e çrregullimit janë gjenetike, pra është një çrregullim që trashëgohet. Gjithashtu, stresi, duhanpirja dhe sëmundje të nënës gjatë shtatzënisë konsiderohen faktorë të mundshëm. Fëmijët që vuajnë nga ky çrregullim kanë dëmtime në kujtesën e punës, në kontrollin e sjelljeve motorike, në rregullimin e emocioneve dhe procesit të motivimit.
A ka lidhje çrregullimi i vëmendjes me ato të të nxënit?
Si rrjedhojë e vështirësive në ruajtjen e vëmendjes qoftë dhe për të kryer një detyrë të thjeshtë, fëmijët që vuajnë nga ADHD kanë rendiment të ulët shkollor dhe vështirësi të shumta gjatë procesit të të nxënit dhe shkollimit, pavarësisht inteligjencës së tyre që është brenda normave. Kështu, ka një lidhje të ngushtë mes këtyre dy çrregullime.Çrregullimi i vëmendjes me hiperaktivitet bashkëshoqërohet me një prej çrregullimeve të të nxënit (disleksi, diskalkuli, disgrafi) në një masë prej 70%-80%.
(Për Portalin Shkollor- Lorela Garuli)
Pse duhet të lexosh? Këto 100 thënie për leximin janë për ty...
Shënohet 22 nëntori, dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe
Abraham Lincoln, letër mësuesit të djalit.