Reflektim

Pse të largohesh, kur mund të ndërtosh të ardhmen këtu? Universiteti i Vlorës, një mundësi me vlerë!

Arsimi i lartë nuk është pasaportë largimi, por ftesë për të ndërtuar të ardhmen aty ku je. Universiteti “Ismail Qemali” i Vlorës ofron dije, përfshirje dhe mundësi me standarde europiane. Zgjedhja për të qëndruar është zgjedhje e vetëdijshme. Nga Marieta Merkuri.

Nga Marieta Merkuri


Arsimi i lartë nuk është një “pasaportë largimi”,është një ftesë për kontribut, për ndërgjegjësim, për zhvillim të vetes dhe të shoqërisë. Dhe për shumë të rinj, ky rrugëtim nis pikërisht në qytetin e tyre , në Vlorë.


Kur një maturant pyetet “Ku do shkosh për studimet e larta ose ndryshe ne Universitet ?”, pyetja shpesh tingëllon si një nxitje për të ikur. Thuajse askush nuk pyet më “Çfarë dëshiron të krijosh?” apo “Pse të mos nisësh rrugëtimin këtu, aty ku je, aty ku të njohin, aty ku ka nevojë për ty?”


Në një klimë sociale ku ikja është kthyer në normë, ku Tirana perceptohet si porta e vetme për suksesin, dhe jashtë vendit shihet si shpëtimi i garantuar, është koha të rikthejmë një pyetje themelore.


Pse të largohesh, kur mund të zhvillohesh dhe të japësh më të mirën këtu?


Nëse ndjekim logjikën e largimit të vazhdueshëm, atëherë nuk do të kishim universitete të gjalla në Jug, nuk do të kishim komunitete aktive jashtë Tiranës, dhe nuk do të kishte arsye për të investuar në përparimin e vendit. Por realiteti është ndryshe.

Ka hapësirë për të ecur përpara me mendje të hapur, me vizion dhe përfshirje. Vlora  është një qytet që zgjohet çdo ditë me dritën e dijes. Vlora nuk është më vetëm qyteti i detit dhe historisë. Është qytet i dijes, i universiteteve, i laboratorëve, i kërkimit shkencor dhe i bashkëpunimit ndërkombëtar.


Në zemër të këtij qyteti është Universiteti “Ismail Qemali” i Vlorës një institucion që dëshmon se arsimi cilësor dhe bashkëkohor nuk është privilegj i një qendre të vetme, por një e drejtë dhe mundësi që ndërtohet me përkushtim, dije dhe besim në potencialin vendas.


Sot, ky universitet ofron:


  • Programe studimi në gjuhë angleze të standardeve europiane
  • Pedagogë dhe studiues që janë pjesë e projekteve ndërkombëtare
  • Bashkëpunime me universitete dhe institucione në Europë e më gjerë
  • Laboratorë praktikë në inxhinieri, mjekësi, teknologji dhe shkenca humane
  • Një laborator mediatik inovativ, ku studentët mësojnë të komunikojnë, të analizojnë dhe të krijojnë me përgjegjësi
  • Rrjete alumni dhe mentorim nga profesionistë që kanë zgjedhur të japin kontribut në vendin e tyre.
  • Dhe më e rëndësishmja, një ambient ku studentët nuk janë numra, por zëra me ndikim.


Ndaj, te largohesh nuk është gjithmonë rruga më e zgjuar.

Të largohesh nuk do të thotë gjithmonë të përparosh. Të qëndrosh nuk do të thotë të dështosh. Të përfshihesh aty ku je, të formohesh dhe të japësh ndikimin tënd kjo është një zgjedhje me vlerë. Studentët që zgjedhin të studiojnë në qytetin e tyre nuk janë më pak ambiciozë janë më të vetëdijshëm, më të lidhur me realitetin, më të përgatitur për të sjellë ndryshim. Në Vlorë, studentët janë pjesë aktive e debatit publik, e projekteve kërkimore, e garave kombëtare dhe ndërkombëtare. Nuk është rastësi që studentet e Universitetit të Vlorës fituan vendin e parë në një konkurs kombëtar ligjor mes 16 universiteteve. Nuk është rastësi që laboratorët tanë prodhojnë ide që njihen dhe vlerësohen në Europë.


Edhe Laboratori Mediatik është një risi dhe një hapësirë pune, është një hapësirë zhvillimi dhe bashkëkrijimi, ku lindin ide, ndërtohen bashkëpunime dhe forcohet vetëdija qytetare.


Të studiosh në Vlorë është një zgjedhje me zemër dhe me mendje ndaj…


Prindër  te dashur! 


Mos e shihni qëndrimin në Vlorë si kompromis. Është një investim në siguri, në cilësi dhe në formim të shëndetshëm.

Te dashur maturante! Mos u mashtroni nga shkëlqimi i largësisë. 

Nuk është gjithmonë dritë ajo që ndriçon nga larg.

Shikoni përreth, shikoni mundësitë që ofron qyteti juaj dhe pyeteni veten, 



Çfarë kuptimi ka për mua suksesi?


Nëse përgjigjja është, të rritesh, të krijosh, të japësh kontribut, të jesh i lirë dhe i përfshirë, atëherë Vlora është më afër se sa mendon.

Sepse qyteti yt është një bazë për të ndërtuar të ardhmen.

Sepse universiteti yt nuk është një zgjedhje e dytë, është një mundësi e parë me vlerë.

Sepse Vlora nuk është provincë, është një qendër që rritet me ju.

Dhe arsimi i lartë nuk është një pasaportë për t’u larguar.

Është një ftesë për përfshirje, formim, vetëdije dhe krijim.

Dhe për shumë të rinj, kjo ftesë nis pikërisht këtu, në Vlorë.




©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

481 Lexime
5 ditë më parë