ALBAS prezanton librin digjital në Maqedoni

Shtëpia botuese ALBAS promovoi në hapësirat e kolegjit Wilson Portalin Shkollor nëpërmjet të cilit mund të shkarkohet e-libri ALBAS

Stafi i Portalit Shkollor udhëtoi në Tetovë për të prezantuar librat digjital tek mësuesit, nxënësit dhe prindërit në Maqedoni. Interesi nga arsimtarët në Tetovë ishte i lartë dhe media të shumta përcollën lajmin në televizione. Ne kemi shkëputur lajmin e transmetuar në Koha Televizion.

Projekti sot është promovuar para arsimtarëve të Maqedonisë me ç’rast iu është dhënë si mundësi që, librat që janë të njëjtë me ata të Shqipërisë, të mund të përdoren përmes formës elektronike edhe tek ne edhe atë pa asnjë kompensim.

“Digjitalizimi i teksteve shkollore nuk e ka për qëllim zëvendësimin e librit si tekst, por thjesht jep mundësinë që me disa mjete ndihmëse didaktike si audio dhe video, këta libra nuk janë vetëm të digjitalizuara por janë libra multimediale. Ne në Albas mendojmë se kjo është ajo që i duhet një mësuesi gjatë shpjegimit të një ore mësimi”, tha Latif Ajrullai, Drejtor i Shtëpisë Botuese Albas.

Ky është një portal i ri që ofron e-librin ALBAS, si pjesë e botimeve të kësaj kompanie, si dhe materiale të shumta shkollore, të cilat me përparësitë dhe risitë pedagogjike të transmetuara përmes teknologjisë, shërbejnë për modernizimin e procesit mësimor.

Për librin digjital kanë punuar me përkushtim dhe shumë dashuri autorët e teksteve dhe i gjithë stafi i ALBAS-grupit. Autorët, redaktorët dhe dizenjuesit tanë kanë krijuar për ju tekste shkollore moderne dhe bashkëkohore.

Në portal këto tekste shkollore në formë digjitale janë lehtësisht të përdorshme nga të gjithë. Ato shoqërohen me materiale multimediale që përmbajnë video, audio, foto, skema etj.

Këtu ju mund të gjeni të gjitha materialet didaktike dhe të tjera për përgatitjen e temave mësimore, duke mundësuar kështu  zgjerimin e njohurive të mësuesit, nxënësit dhe prindërit.

Portali është i pasur edhe me shërbime të shpejta, si: ndihmë praktike, kalendarë interaktivë, katalogë dhe revista dhe, së fundmi edhe lidhje online me ne.

Ne, ALBAS-grup, ju mbështesim për arsimim dhe dije. Ne ju vëmë në dorë ju, mësuesve, nxënësve, prindërve dhe cilitdo që është i interesuar, e-librin, libra elektronikë, të cilat janë hartuar sipas programeve shkollore dhe përdoren masivisht në shkollat e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë. Këta libra shkarkohen në kompjuterët a pajisje të tjera elektronike si iPad a tabletë, por mrekullia e këtij portali është se libri është i pasuruar me material multimedial, që i jep jetë dhe e bën e-librin një mjet efikas për përvetësimin e dijeve.

Ne jemi gjithmonë të gatshëm për të zbuluar të rejat e fundit dhe për të përmirësuar cilësinë e mësimdhënies. Kjo është arsyeja që ne kemi krijuar një strategji të re të të mësuarit, bazuar në kërkimin, zbulimin, krijimin dhe zgjidhjet praktike, duke hapur botën përpara nxënësve tanë dhe duke zhvilluar vlera të reja të shoqërisë sonë.

3,489 Lexime
8 vjet më parë