Intervistë me Ilir Paja për librin “Fletë nga ditari i stacionit F.”
Në romanin e ri "Fletë nga ditari i stacionit F.", botim i Albas, Ilir Paja na kthen në vitet 1989-1991, mes lajmeve, propagandës dhe kërkimit të së vërtetës. Në këtë intervistë, shkrimtari rrëfen si lindi libri dhe çfarë ka mbetur ende për t’u kuptuar nga ajo kohë.
Me botimin e romanit "Fletë nga ditari i stacionit F.", shkrimtari Ilir Paja sjell para lexuesit një rrëfim që i referohet viteve 1989-1991, një prej periudhave më të rëndësishme të historisë sonë të afërt. Romani, botim i ri i Shtëpisë Botuese Albas, e vendos ngjarjen në një stacion transmetimi, ku përmes jetës së personazheve dhe lajmeve që vijnë nga bota përtej kufijve, autori ndërton një tablo të kohës, të izolimit, të ndryshimeve që po afroheshin dhe të dëshirës njerëzore për liri.
Stacioni F. bëhet kështu më shumë se një vend ku përcillen lajmet. Ai kthehet në një hapësirë ku takohen e vërteta dhe propaganda, bindjet dhe dyshimet, kujtesa dhe përjetimet personale. Përmes Anës, Gëzimit, Vilit dhe Orhanit, Ilir Paja sjell personazhe që, secili në mënyrën e vet, përfaqësojnë një pjesë të realitetit të asaj kohe.
Në këtë intervistë për Portalin Shkollor, autori ndalet te historia e lindjes së romanit, personazhet që e shoqëruan për shumë vite përpara se të merrnin formë në letër, raporti mes letërsisë dhe kujtesës, si dhe nevoja për t'iu rikthyer një të shkuare që ende ka shumë për të treguar.
Intervistoi: Nanila Allkja Biçaku
Zoti Paja, gjatë leximit të romanit, stacioni F. nis të duket si një botë më vete, pothuajse e shkëputur nga pjesa tjetër e vendit, megjithëse aty mbërrijnë vazhdimisht lajmet nga jashtë. Si lindi ideja për ta vendosur pikërisht aty historinë tuaj?
Së pari, përshëndetje! Duke e nisur këtë intervistë, do të bëj një parantezë përpara se t'u përgjigjem pyetjeve. Faleminderit Albasit dhe, në veçanti, botueses, znj. Rita Petro, dhe stafit tuaj për mundësimin e botimit të romanit tim të ri.
Së dyti, dhe tani drejt përgjigjeve thellësisht të sinqerta, të shprehemi mbi atë që lexuesi do të ndiejë me praninë e leximit të këtij romani.
Në vitin 1989, kur nis rrugëtimi rrëfimtar i këtij romani, unë sapo kisha mbushur 18 vjeç. Isha maturant dhe kisha nisur të hidhja në letër krijimet e para. Madje, në gazetën lokale të qytetit tim, Durrësit, “Adriatiku”, kisha publikuar vjershat (poezitë) e para. Ndërsa në një konkurs në prozë, si krijues i ri, mora edhe një çmim.
Përjetimi si krijues në ato momente mbetet edhe sot një lumturi më vete, siç është për të gjithë njerëzit në çaste të tilla, në gëzim të plotë. Isha një i ri që ndiqja me shumë kureshtje gjithçka që ndodhte. Por po kuptoja se kjo botë e letërsisë po lindte tek unë edhe një botë të dytë. Unë i përjetoja ngjarjet ndryshe. Si? Vëmendja ime tërhiqej dhe hulumtonte detajin. Atë që për shumë njerëz ishte e padukshme. Ose, e thënë ndryshe, e pakapshme.
Shëtisja, takoja miq, por kam pasur gjithmonë dëshirën të kisha shokë më të rritur, më të formuar dhe që ishin mjaft të kulturuar në lexime. Ky afrimitet me shfaqjen time si krijues i ri e bëri këtë miqësi më të fortë. Unë, pranë tyre, dëgjoja biseda që, para se të nisnin, secili prej tyre, kur fliste, do ta lëvizte kokën sa andej-këndej në fillim, që të mos e dëgjonin të tjerë, kalimtarë të shumtë. Sepse bisedat më së shumti ndodhnin në trotuare, ku grupe të rinjsh rrinin me orë aty.
Ishte koha kur mbi çdo çati shtëpie, tarracë pallatesh, ngriheshin antenat e televizorëve, të cilat i kalonin mbi katër-pesë metra dhe shiheshin nga të gjithë si vlera dhe mundësi të rralla. Frynte erë, prishej koha deri në zhurmërime qielli dhe të gjithë shihnin me ankth se mos u ndodhte gjë atyre. Me ato elemente alumini, ku na duhej t'i lëviznim shpesh, duke ndjekur anën e duhur ku valët të vinin, sikur ishin si ai njeriu që, nga malli, i hapim krahët dhe e mirëpresim pa e pyetur si erdhe dhe çfarë ke sjellë...
Kjo është dashuria për lajmin. Mos të harrojmë se ishim ende nën izolim. Ishte edhe një “lajm” tjetër që na ndiqte kudo: “Kujdes kur flet. Me kë flet. Çfarë i the? Mos e ngri zërin. Kujdes me kë rri dhe çfarë dëgjon...!” Këto ishin porosi prindërish që të ndiqnin kudo pas vetes.
Unë i dëgjoja dhe shihja antenat. Ndieja se porosi të tilla s'mund të mbërrinin deri aty. Ndoshta këtu do të ketë nisur ngacmimi i parë për të krijuar këtë roman, edhe pse nisja e tij reale, në të qenët si gjallesë letrare, daton në vitin 1991-1992, kur nis rrugëtimin si student.
Nuk e di, por jam një njeri që ngjarjet e mëdha i përjetoj shumë. Ose, e thënë më ndryshe, jetoj me ngjarjet e mëdha. Është një përjetim më shumë letrar sesa pjesëmarrje. Kuptova që herët se realiteti jeton ndryshe te ne, ndien se jeton ndryshe. Ndoshta letërsia plotëson atë mungesë të së jashtëzakonshmes që njerëzve u shfaqet në formë vegimi në çaste të rralla, por nuk arrijnë ta shohin çfarë forme, çfarë përmbajtjeje ka ai çast. Këtë e krijon letërsia.
Titulli “Fletë nga ditari i stacionit F.” të krijon përshtypjen e një dëshmie të mbajtur ndër vite. Pse zgjodhët këtë formë rrëfimi dhe çfarë ju dha ajo si shkrimtar?
Siç e përmenda më lart, romani daton si krijesë e plotë letrare brenda meje në vitet 1991-1992. Isha student, ku, si shumë e shumë të tjerë, udhëtonim çdo ditë me trenin Durrës-Tiranë, siç e quanim të gjithë, treni abone.
Kur ke kaluar Durrësin disa minuta, në anën e djathtë, mes rrugës me shina dhe rrugës automobilistike, ishte një stacion transmetimi. Me tri antena të larta. Por nuk ishte i vetmi. Kishte edhe të tjerë në të gjithë vendin.
Unë e shihja shpesh. Pamja e tij, ai vend i vogël, me një godinë sa një shtëpi përdhese, me atë heshtje dhe madhështi drejt qiellit që ngriheshin antenat, krijoi tek unë një realitet që vendosa se duhej treguar pasi ta zbuloja përmes letërsisë.
Shihja miqtë e mi. Pothuajse të gjithëve nuk u interesonte ekzistenca e tij, kur treni gëlonte nga bisedat e ngjarjeve në rrugë, bulevarde, sheshe, institucione, kazerma, reparte, shkolla. Treni kalonte dhe unë e shihja ngultas. Fillova ta shihja dhe vlerësoja si simbol, ku metafora e sinjalit, e atij stacioni, më bindi se mbi të mund të ngrihet një rrëfim i tillë.
Në nisjen e subjektit më ka ndihmuar edhe prania e një shoku tim. Madje, personazhi i Vilit është pothuajse real. Ai ishte student. Më i madh se ne dhe shkollën e lartë atëherë e fitoi me statusin e ish-të përndjekurve. Kishte punuar në një stacion tjetër të njëjtë me të. Unë kisha filluar ta pyesja shpesh, por pa i treguar qëllimin.
Kjo më bëri të kem kureshtje, dëshirë dhe të zbuloja ndoshta atë që ishte më e padukshme në raport me sheshet, ministritë, mitingjet, ndryshimet. Aty ishte një mikrokozmos realiteti, kur ishte, në fakt, mbi realiteti i gjithçkaje. Sepse, nëse nuk do të punonte ai stacion dhe të tjerë si ai, lajmi do të binte si ai shpendi i vrarë në ajër nga një gjahtar i “pasionuar”...
Fabula e stacionit u mbyll brenda meje për shumë vite. Ajo ngrihej, më fliste më shumë në heshtje dhe vetëm vitin që shkoi unë u ula dhe e hodha gjithçka në dorëshkrim. Pasi e shkrova të gjithin në një bllok më vete, në vjeshtë nisa shtypjen e tij në kompjuter.
Por gjatë kohës së dorëshkrimit më duhej të lexoja ish-shtypin e kohës së atyre viteve, gazetat e asaj kohe, ku, në veçanti, “Zërin e Popullit”. Kam shfletuar edhe libra nga politologë mbi ngjarjet e asaj kohe. Por, përpos të gjithave, vlerësoj te vetja kujtesën. Unë ia dedikoj gjithçka asaj. Është një mrekulli që, siç thotë Balzaku: “Kush ka kujtesë të mirë përjeton një rini pa fund.”
Tani që e shoh romanin të realizuar, përjetoj shumë ndjesi. Njëra prej tyre është raporti ynë me kohën. Unë, ne, e jetuam atë. Në këtë kontekst, koncepti i kohës si një perceptim filozofik ndalon me njeriun dhe mbetet aty.
Ngjarjet nisin më 26 dhjetor 1989 dhe na çojnë deri në fundin e vitit 1991. Pse zgjodhët pikërisht këto vite për të ndërtuar romanin?
Pak më lart theksova se unë jetoj me ngjarjet e mëdha. I ndiej në një mënyrë ku, tani pas kaq vitesh, bindem se ngjarjet dhurojnë histori. Historitë ngrihen në përjetësi kohe. Ngjarje të tilla dhurojnë madhështi, sepse zbulojnë te njeriu energji të cilat ai i vë në shërbim të një kauze.
Unë edhe sot ndiqem nga një moto tolstojane: “Sa ndryshon kuptimi i jetës kur jeton jo për vete, por për të tjerët. Jeta pushon së qeni qëllim dhe shndërrohet në mjet.”
Të kuptojmë edhe diçka. Në dy vite, shoqëria jonë dhe ajo e mbarë Lindjes nuk flinte. Ajo edhe në gjumë ishte në sheshe, protestonte, ëndërronte, besonte. Janë çaste kur njeriu përjeton një idealizëm ku e shenjtëron ndjenjën dhe e sheh botën shpirtërore të bekuar nga të gjitha dashuritë që njeriu ia lejon vetes, kur i kërkohet të japë dhe të gjejë atë që ka më dëshirë: lirinë.
Çdo kapitull i romanit nis me një datë historike të asaj kohe, pra brenda atyre dy viteve. Por çdo datë, edhe pse gjithçka ndodh brenda atij stacioni, përkon me vetë ngjarjet e mëdha të Shqipërisë sonë në ato dy vite. Pra, ndodhitë në stacion janë simbolika e vetë asaj madhështie të asaj kohe.
Zgjedhja? Unë kuptoj se ne duhet t'i rikthehemi jo pak herë të shkuarës. Ajo shërben si një katarsis që ne ende s'ia kemi mundësuar vetes me atë periudhë. Nëse e mbulojmë me një harresë thjesht politike dhe jo historike, sociologjike deri filozofike, dhe jo pak letrare, s'do të dimë edhe sot se çfarë kërkojmë.
Historia e madhe ishte aty dhe ne rudhemi gjithnjë e më shumë duke i mëshuar termit procese demokratike, kur brenda shoqërisë ato dy vite përjetoheshin si revolucion. Duket sikur krijojmë një ngurtësim të çdo mundësie, ku e ngremë më pas në një përmendore folklorike. I thurim këngë e valle, përulemi para saj si para një miti, kur ne mund të ishim miti real i një mundësie të tillë në plot fuqi.
Një nga detajet që më mbeti nga libri është mënyra si personazhet dëgjojnë lajmet nga disa stacione, krahasojnë informacionet dhe përpiqen të kuptojnë çfarë po ndodh. Në një moment, Gëzimi thotë: “Nëse heqim propagandën, çfarë mbetet?”, dhe përgjigjja është: “E vërteta”. Sa e vështirë është të dallosh të vërtetën kur je brenda një sistemi që kontrollon informacionin?
Ka një shprehje të cilën po e citoj: “E vërteta s'ka nevojë të jetë e madhe. Ajo mund dhe ndodh shpesh të jetë shumë e vogël. Por bën ndryshimin e madh deri në të jashtëzakonshmen.
”Çfarë kuptojmë nga kjo? Gëzimi është inxhinier. Ana një përkthyese dhe Vili një teknik, por më shumë poet që shkruan vetëm pasi përkthen poezi...
Mendoj se kultura, formimi, të jetuarit me hapësirë, me vizion, duke respektuar të drejtat që i mundëson liria, janë nga njerëzit që jetojnë me të vërtetën dhe si të vërtetë. Realisht, sistemet si ai i dikurshmi te ne kishin ngritur një fasadë deri në dogmë, ku, me idenë e sigurisë dhe mbrojtjes së vendit, gjithçka ishte e lejuar si sakrificë, e cila mbërriti në fund në grahma mjerimi. Ata ishin të lirë brenda një mbijetese, ku unë jam përpjekur të jem i “butë” në gjithçka u ndodh, duke shmangur vrazhdësinë e asaj arrogance që heshtte, sepse ishte e dhunshme në ligje dhe veprime. E kam bërë me qëllim. Unë, në krijim dhe lexim, i dua shumë miqtë e mi si personazhe. Kjo është një mënyrë për t'iu kundërvënë me njerëzoren një sistemi të tërë.
Zgjedhja ime si i dashuruar me këtë rrëfim trillues... Ata janë e vërteta e vetme në atë stacion jo thjesht valësh. I gjithë vendi zhurmonte nga një stacion gjigant, siç ishte propaganda. Gëzimi, Ana dhe Vili janë në një shkollë, në një spital, në ministri, institute, laboratorë, universitete, ndërmarrje, kudo në atë kohë. Nëse bën atë që është njerëzore, ia ke dalë të jetosh atë të vërtetë të vetme, që kemi nevojë të gjithë: lirinë.
Më bëri përshtypje edhe një tjetër moment, kur personazhet kuptojnë se dëgjimi i kaq shumë lajmeve nuk do të thotë domosdoshmërisht se e njohin realitetin. Çfarë ju interesoi të eksploronit përmes këtij raporti mes informacionit dhe asaj që ndodh vërtet në jetën e njerëzve?
Të jetosh gjatë, shumë gjatë brenda një sistemi të caktuar, kupton se edhe ajo që është diku jashtë, deri në magjepsje, mirëqenie, luks, mundësi, shihet si ëndërr dhe jo realitet që mund ta kesh një ditë. Ishte krijuar ideja se ne si vend do të mbeteshim në “përjetësi” në atë sistem. E dimë të gjithë se pak njerëz dilnin jashtë vendit. Më së shumti ishin marinarët dhe shoferët e mauneve. Edhe ata, në kthim, tregonin pak ose më shumë fshehtas. Mundësia e vetme ishte televizori, radioja. Por televizori dominonte mbi çdo tendencë pengimi. Atëherë, çfarë ndodhte? Sistemi jepte programe dhe filma të vendeve perëndimore ose të viteve pas Luftës së Dytë Botërore, ose me vrasje, me subjekte nga mafia, korrupsioni, prostitucioni dhe degradimi i asaj shoqërie. Kjo i bënte ithtarët e sistemit të shtonin edhe më shumë të drejtën e jetesës pa fund të sistemit. Ndaj të tre personazhet kanë edhe ata dilemat e tyre në subjekt. Mos të harrojmë edhe diçka. Në momente të tilla lind edhe një dashuri ndryshe për vendin tënd. Ajo e frikës se mos e humb edhe atë që ishte. Prandaj të tre personazhet qëndrojnë deri në fund të rënies së sistemit.
Ana është një nga personazhet më të veçanta të romanit. Ajo përkthen lajmet, njeh gjuhët e huaja, ka një botë të pasur të brendshme, por mban edhe një histori personale që e rëndon. Si u formua ky personazh në mendjen tuaj?
Anën e “dua” shumë. Mendoj se e kam skalitur jo thjesht si karakter. E shoh më shumë si një femër që nuk shteron, as nga pamja dhe as nga energjia për të dhuruar dashuri. Ajo është intelektuale. Këtu nuk po fsheh një të vërtetë. Kam dhe ndiej ende shumë adhurim për portrete të tilla si Ana. Ajo, besoj, plotëson çdonjërin prej nesh që të ketë pranë deri njeriun e dëshirave që nisin me rininë dikur. Po. Ka një histori që e rëndon. Por, nga ana tjetër, të njëjtë me të nuk ka si aty, as gjetkë. Dhe Ana do të jetë simbol i gruas që më shumë do ta duam sesa do t'ia kujtojmë plagët, dhimbjet, të shkuarën. Sepse imazhi i saj krijon gjithçka nga e para. Do të ishte ngacmuese nëse do të shprehesha mbi një frymë timen autobiografike në të tre personazhet... duke pranuar deri tani ish-miqësinë me Vilin.
Mes Anës, Gëzimit dhe Vilit krijohet një marrëdhënie miqësie, afërsie dhe dashurie, që zhvillohet brenda një hapësire ku privatësia është pothuajse e pamundur. Sa ndikoi kjo jetë e mbyllur në marrëdhëniet e tyre?
Të tre personazhet, siç u shpreha edhe më lart, nuk janë vetëm aty. Nëse do të dalim jashtë mikrokozmosit të jetës së asaj kohe nga ai stacion, kudo pothuajse ishte i njëjti realitet. Por nevoja për jetën, për ndjenjën dhe, mbi gjithçka, dashurinë, e krijon jetën në një mundësi hapësire gati surreale. Kjo jetë e mbyllur i bëri ata të guxojnë, duke pasur edhe një mundësi të padukshme: informacionin. Ato antena zbrisnin deri poshtë në aparate të gjithë botën. Të gjithë e kuptojmë si ndihemi kur dikush, duke na folur, na thotë se do të na tregojë edhe diçka. Kujtoj një shprehje antike, në bashkëkohësi me poemat “Iliada” dhe “Odisea”: “Gjithçka ka lindur dhe është krijuar për t'u treguar.” Vetë lajmi është një fabul. Është si një gur i çmuar që e bën njeriun të krijojë me të një “pasuri” të madhe. Kjo e bën njeriun të ndihet dikush.
Orhani, roja i stacionit, është ndoshta personazhi që e ka më të vështirë të shkëputet nga e kaluara. Ai vazhdon ta shohë detyrën si një mision, edhe kur gjithçka rreth tij po ndryshon. Çfarë historie njerëzore deshët të tregoni përmes tij?
Është një personazh kryekëput i indoktrinuar. Besnik deri në flijim të detyrës. Por që kupton se, për ta përmbushur atë heroikisht, ka pritur prej vitesh. Kjo pritje e ka fyer. E ka bërë të kuptojë se rrethimi, stacioni, lajmi, gjithçka ka qenë një iluzion që po shpërfaq dramën e një hipokrizie në një ironi absurde.
Tani i mbetet të japë jetën për një atdhe që po shpërbëhet ideologjikisht dhe politikisht. Po ashtu, ai urren treshen e tyre. S'mund të durojë bukurinë e Anës, intelektualin Gëzim dhe poetin Vilson.
Nuk është i trashë. Është njeri i thjeshtë që jeton falë detyrës, duke u shkëputur pak nga një prapambetje që s'mund ta shmangë nga karakteri i tij në formim.
Gjithsesi, duhet parë edhe më shumë se një vetëvrasje. Një vrasje e padukshme, siç fatkeqësisht në historinë tonë si vend, ngjarje të tilla kanë mbetur pa autorë dhe procese të drejta.
Heqja e gardhit që rrethonte stacionin duket në fillim si një gjest çlirimi. Por, me kalimin e kohës, personazhet përballen me një realitet të jashtëm që nuk është aspak ai që kishin përfytyruar. Çfarë simbolizon për ju ky gardh dhe heqja e tij?
Gardhi është simbol i atij rrethimi të madh që krijonte mijëra rrethime të vegjël. Në vite, rrethimi si koncept kishte krijuar edhe një lloj sigurie brenda shoqërisë. Pjesa më ithtare e njerëzve e shihnin si mburojë, që vlera e saj dhuronte një jetë të paqtë, deri të drejtë.
Por kur ata e shembin, kuptojnë se sa pak ajër thithnin, sa pak shihnin, sa në errësirë, si në qeli, kishin ndenjur. Heqja e tij u jep tani mundësinë të mbushin hapësirën pa anë. Kjo sjell ndryshimin e jetës, duke u ndarë nga e shkuara.
Në libër ka një moment domethënës kur personazhet flasin për regjistrimin e zërave të tyre, me mendimin se një ditë, kur stacioni të mos jetë më, zëri do të mund të rindërtojë kujtesën. Sa e rëndësishme është për ju ruajtja e kujtesës përmes rrëfimit?
Unë do ta quaja roman të kujtesës dhe për kujtesën. Në përvojën e shumë autorëve të njohur, pothuajse të gjithë, vepra e tyre letrare konsiston në një rimarrje të një ngjizjeje, ku fabula lind nga një fetus autobiografik në “dashuri” me të shkuarën, për t'u bërë ai njeriu që del në jetë si një subjekt i mirëfilltë letrar.
Kujtesa është riardhje, rizgjim, rilindje. Ajo nuk e prek kurrë mplakjen drejt vdekjes.
Në një bisedë në roman, Gëzimi shprehet: “Fabula është reale dhe subjekti trillim”. Sa afër përvojave dhe realitetit të asaj kohe qëndron historia e romanit?
Fabula është ekzistenca e atij stacioni. Ngjarjet janë historike, duke mbartur data të sakta. Por simbolika e vendosjes së tyre në atë stacion është trillim i mirëfilltë letrar.
Kjo i dhuron lexuesit jo një lexim dokumentar dhe as një roman ditari. Trillimi artistik dhuron një letërsi në metaforë të gjerë dhe të thellë në përjetim.
Romani mbyllet me një ngjarje të fortë, vetëvrasjen e Orhanit, në një kohë kur stacioni po përballet me fundin e vet. Pse vendosët ta mbyllnit pikërisht në këtë mënyrë rrugëtimin e tij?
Është sa vetëvrasje dhe, jo pak, ndoshta edhe vrasje. Këtu kam hyrë në një perceptim historik, ku në ngjarje të tilla ne edhe sot nuk kemi një shpjegim të drejtë mbi tragjedi të tilla...
Është një mbyllje duke përcjellë një mesazh. Sa herë na ndodhin ndryshime të mëdha, ne na kaplon një mungesë urtësie, gjykimi, drejtësie për të ndërtuar, pas një shembjeje, diçka të denjë.
Pas gjithë kësaj historie, çfarë mendoni se na ka mbetur ende pa kuptuar nga vitet e tranzicionit? Dhe çfarë do të dëshironit të gjente lexuesi i sotëm te ky roman?
Duke falënderuar vlerësimet e shkrimtarit A. Tufa, studiuesit B. Gjoka dhe politologut A. Krasniqi, pedagoges E. Godine, të cilët shohin në roman jo thjesht një histori të letrarizuar, por një letërsi që kërkon të zbulojë ende nga historia, mendoj se lexuesi do të gjejë një mikrokozmos ku, në përjetim, do ta gjejë veten në një makrokozmos historik që krijon kujtesë të jashtëzakonshme!
© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Bisedë me Ballsor Hoxhën për librin e fundit me tregime "Zog vishnje në dimër", botuar nga ALBAS
Intervistë me fabulistin Ferit Lamaj për librin e ri “Mbreti xhuxh”, botuar nga Albas
Bisedë me Agron Tufën, për përkthimin e librit “Jevgenij Onjegin” nga Pushkini, botuar nga ALBAS