
Romani "E shkuar e pakryer" i Ermal Hasimja fiton Çmimin për Prozën më të Mirë në Konkursin "At’ Gjergj Fishta"
Autori Ermal Hasimja shpallet fitues i Çmimit për Prozën më të Mirë të Vitit në konkursin mbarëkombëtar "At’ Gjergj Fishta" me romanin "E shkuar e pakryer", botuar nga Albas, një vepër që trajton me mjeshtëri kujtesën historike dhe ndërgjegjen shoqërore shqiptare.
Në ceremoninë e zhvilluar në Pallatin e Kulturës “Ded Ndue Lazri” në Lezhë, u shpallën fituesit e Konkursit Letrar Mbarëkombëtar “At’ Gjergj Fishta”, një ndër ngjarjet më të rëndësishme letrare që nderon krijimtarinë bashkëkohore shqiptare.
Ndër fituesit e këtij viti spikati autori Ermal Hasimja, i cili u vlerësua me Çmimin për Prozën më të Mirë të Vitit për romanin “E shkuar e pakryer”, botuar nga Shtëpia Botuese Albas.
Në motivacionin e jurisë, vepra e Hasimjes u vlerësua për arritje të larta artistike, tematike dhe ligjërimore, duke trajtuar me ndjeshmëri të veçantë kujtesën historike dhe plagët shoqërore të së shkuarës sonë të afërt.
“Autori arrin të bashkojë tema universale si diktatura dhe robëria, përballjen e individit me dhunën politike e varfërinë, duke dërguar mesazhe të thella mbi mënyrën se si duhet të përballemi me të kaluarën për të ndërtuar një të ardhme më të shëndoshë”, – u theksua në arsyetimin e jurisë.
Romani “E shkuar e pakryer”, botuar nga Albas, dëshmon edhe një herë angazhimin e shtëpisë botuese për të promovuar autorë bashkëkohorë që sjellin vlera të reja në letërsinë shqipe dhe nxisin reflektim mbi historinë, identitetin dhe ndërgjegjen kolektive.
Ky edicion i Çmimeve “At’ Gjergj Fishta” konfirmon rolin e rëndësishëm të letërsisë si urë bashkimi kulturor në hapësirën mbarëkombëtare shqiptare dhe vijon traditën e vlerësimit të veprave më të arrira të vitit.
Fituesit e tjerë të Çmimeve “At’ Gjergj Fishta” 2025
Çmimi për vëllimin më të mirë poetik: Lulzim Tafa për librin “Ekspozitë me ëndrra”, botuar nga “Onufri”.
“Për krijimin e një poezie që ecën në gjurmët më të mira të poezisë moderne shqipe, duke bashkuar copëzat e historisë me gjuhën koncize dhe emocionale të poezisë, identitetin vetjak me atë historik.”

Çmimi për përkthimin më të mirë: Milena Selimi për përkthimin e romanit “Kohëstrehim” të shkrimtarit bullgar Georgi Gospodinov, botuar nga “Toena”.
“Për ruajtjen e vlerave filozofike, estetike dhe stilistike në gjuhën shqipe, si kontribut në pasurimin e vlerave shpirtërore dhe trashëgimisë kulturore ndërmjet popujve.”


© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Albas në Panairin e Librit në Shkup: Tituj të rinj dhe zbritje speciale nga data 8 deri 14 maj
ALBAS në Preshevë: Mbyllet me sukses Panairi i Parë i Librit Shqip
"Fausti" Gëte - lexim i komentuar nga Rita Petro (Pjesa I)