Aktivitet

Romani “Shpresa më e madhe” nën interpretimin teatror të nxënësve të shkollës “Qemal Stafa”

Në një aktivitet të zhvilluar në gjimnazin Qemal Stafa në Tiranë, është festuar në nder të 100 vjetorit të lindjes së shkrimtares Ilse Aichinger. Bazuar në romanin e "Shpresa më e madhe" gjimnazistët kanë performuar një pjesë teatrale ndërsa më pas u zhvillua edhe një diskutim letrar.

“Festojmë dhe kujtojmë se bashku 100 vjetorin e shkrimtares Ilse Aichinger”, ky qe titulli i aktivitetit i realizuar në gjimnazin "Qemal Stafa", ku mbizotëroi performanca në teatër dhe diskutimi letrar.


Nxënësit e talentuar në disiplinën e teatrit si pjesë e kurrikulës shkollore në lëndën e arteve në bashkëpunim me regjisorin Kastriot Ramollari vunë në skenë  një fragment të titulluar "Vdekja e gjyshes",  i shkëputur nga kapitulli i romanit me titull "Shpresa më e madhe" e autores Ilse Aichinger i sjellë në shqip nga Shtëpia Botuese Albas. 

I shkruar nga zonjushë Kafka apo Kafka grua e letërsisë gjermane, siç është quajtur nga kritika Ilse Aichinger-i, romani Shpresa më e madhe është renditur ndër 100 librat më të bukur të shekullit XX.

Autorja shquhet për mesazhet kundër racizmit drejtuar të rinjve. Ndërsa në romanin “Shpresa më e madhe” ajo na rrëfen magjishëm se njeriu nuk duhet t’i humbasë kurrë besimin dhe ëndrrat e tij se qielli diku do të jetë vetëm i kaltër…

Pjesëmarrësit në këtë event teatror dhe letrar ishin përkthyesja e romanit dhe poetja Anna Kove, shkrimtari dhe studiuesi Arian Leka dhe regjisori Kastriot Ramollari. 


Ky aktivitet u  mbështet nga fondacioni S.Fischer Stiftung. Pas interpretimit të shfaqjes nxënësit diskutuan rreth librit që tashmë gjendet në disa kopje në bibliotekën e shkollës si dhuratë nga ky fondacion. 

Përkthyesja Anna Kove në fjalën e saj tha se: “Ilse Aichinger ka arritur që nga perspektiva e fëmijës të tregojë një ngjarje shumë të madhe siç ishin edhe ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore dhe persekucioni i Gestapos mbi popullsinë hebre. Jo pa qëllim e kemi quajtur këtë aktivitet 'Totalitarizmi s‘e vret dot dashurinë', pasi, që në fillim të librit, ne hasemi me privimin e lirisë së kësaj popullsie në Vjenën e viteve 1935-1945 por edhe në gjithë Evropën. Autorja paraqet në këtë roman skena nga jeta e saj, thuhet nga biografët” . 


Qendra Kombëtare e Librit dhuroi nga një paketë me libra për nxënësit që interpretuan në teatër.  

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.  

1,794 Lexime
2 vjet më parë