Xhoina Salaj: Pse duhet lexuar Günter Grass, ndërgjegjja e trazuar e Gjermanisë së pasluftës
Günter Grass, një nga zërat më të fuqishëm të letërsisë gjermane, përballet me kujtesën, fajin dhe traumën e pasluftës. Nga “Daullja prej llamarine” te “Macja dhe miu”, zbuloni pse veprat e tij mbeten një lexim i fortë, i guximshëm dhe i paharrueshëm.
Nga Xhoina Salaj
Kush është Günter Grass?
Günter Grass, lindur më 16 tetor 1927 në Danzig (sot Gdansk, Poloni), ishte shkrimtar, poet, skulptor dhe grafikan gjerman, fitues i çmimit Nobel për Letërsi në vitin 1999. Ai mbetet një nga zërat më të fuqishëm dhe më të diskutuar të letërsisë gjermane të shekullit XX, jo vetëm për talentin e tij prozaik, por edhe për guximin me të cilin trajtoi të kaluarën naziste të vendit të tij, përfshirë edhe historinë e vet. Në vitin 2006, pas dekadash të tëra në heshtje, Grass rrëfeu publikisht se në moshë të re kishte shërbyer shkurtimisht në Waffen-SS, një zbulim që tronditi opinionin publik dhe hodhi dritë mbi temat e fajit e të përgjegjësisë që përshkojnë gjithë veprën e tij.
Stili i Grass-it s’ka llogaritje të kursyer: proza është e dendur, groteske, e ushqyer nga një imagjinatë që përzien realizmin e ashpër historik me alegorinë, satirën dhe përrallën e zezë. Grass shkruan me një energji pothuajse fizike, ku trupi, seksualiteti dhe absurditeti bëhen mjete për të zbërthyer traumat kolektive të Gjermanisë - nazizmin, luftën, ndarjen dhe fajin që mbeti pezull mbi breza të tërë. Pas kësaj buje stilistike fshihet gjithnjë një skepticizëm i thellë moral dhe një refuzim kokëfortë për ta lënë të shkuarën të harrohet.
Dy sugjerime për të hyrë në universin e errët të Grass-it:
1. “Daullja prej llamarine”, kryevepra që i solli çmimin Nobel
Porositeni këtu: https://albas.al/botime/daullja-prej-llamarine/
Botuar në vitin 1959, ky është romani i parë dhe më i njohuri i Grass-it, libri i parë i Trilogjisë së Danzigut. Në qendër të veprës është Oskar Macerati, i cili në moshën trevjeçare vendos të mos rritet më, duke mbetur përgjithmonë me trupin e një fëmije. Duke mbajtur gjithmonë me vete një daulle prej llamarine dhe duke e parë botën nga poshtë, Oskari bëhet dëshmitar dhe kronikan grotesk i pamëshirshëm i Gjermanisë mes dy luftërave botërore e më pas. Personazhi i tij - njëherazi xhuxh keqdashës, qenie e pambrojtur dhe artist i talentuar - e tregon historinë e vet nga një klinikë psikiatrike, ku është i mbyllur dhe njëkohësisht nën hetim për vrasje.
Pse duhet lexuar? Sepse është një nga romanet më ambicioze të letërsisë gjermane të shekullit XX, ku groteskja dhe komikja bëhen mjete për të treguar një nga tragjeditë më të mëdha të historisë njerëzore, pa asnjë lloj patosi apo moralizimi të lehtë.
Sjellë në shqip nga Anna Kove, përkthim që u nderua me çmimin “Përkthimi më i mirë i Panairit të Librit 2023”.
2. “Macja dhe miu”, portreti i një rinie të vulosur nga lufta
Porositeni këtu: https://albas.al/botime/macja-dhe-miu/
Botuar në vitin 1961, dy vjet pas “Daullja prej llamarine”, romani i dytë i trilogjisë është më i shkurtër, por jo më pak i mprehtë. Protagonist është Joakim Malke, një adoleshent i Danzigut, i shquar për mollën e Adamit jashtëzakonisht të dukshme, që bëhet sebep talljesh të pareshtura mes bashkëmoshatarëve. Për ta kompensuar këtë defekt, Malke bën çmos që të bëhet atlet dhe zhytës i jashtëzakonshëm, duke fituar respektin e shokëve si Malkja i Madh. Rrëfimi, nga këndvështrimi i një prej shokëve të tij, ndjek Malken drejt frontit të luftës dhe drejt një fundi tragjik, ndërsa shoqëria përreth - e mishëruar te macja e titullit - e ndjek dhe e gllabëron pa mëshirë miun e brishtë që ai përfaqëson.
Pse duhet lexuar? Është një metaforë e ftohtë dhe klinike për mekanizmat e nazizmit dhe të rinisë hitleriane, si dhe një reflektim indirekt i vetë Grass-it për rininë e tij të hershme, të njollosur nga ideologjia e kohës.
Sjellë në shqip nga Anna Kove.
Pavarësisht nga zgjedhja që bëni, qoftë epika groteske e “Daullja prej llamarine” apo drama e ngjeshur e “Macja dhe miu”, po hyni në një botë ku historia, trupi dhe ndërgjegjja bashkëjetojnë në një prozë që as fal, e as harron.
Shënim: Ky artikull është pjesë e rubrikës “Portrete letrare”, që ka në vëmendje njohjen e shkrimtarëve, stilin dhe veprat e tyre më të rëndësishme. Klikoni linqet më poshtë, për të lexuar edhe të tjerët:
- Pse duhet lexuar John Banville, mjeshtri i melankolisë dhe i prozës së përsosur: https://www.portalishkollor.al/news/xhoina-salaj-pse-duhet-lexuar-john-banville-mjeshtri-i-melankolise-dhe-i-prozes-se-persosur
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Albas në Panairin e Librit në Shkup: Tituj të rinj dhe zbritje speciale nga data 8 deri 14 maj
ALBAS prezanton katalogun e botimeve shkollore për Shqipërinë për vitin 2026-2027
Ministrat shqiptarë eliminojnë shqiptarët!