
“AfterWords”, kur fjala, kokteji dhe muzika takohen këtë verë në Librarinë ALBAS
Libraria Albas sjell një eksperiencë kulturore verore për të gjithë dashamirësit e librit dhe të relaksit pas pune. AfterWords hapet këtë të enjte, më 10 korrik, ora 19:00, te Libraria Albas! Nisim me temën "Antigona dje dhe sot: mes Ligjit dhe Traditës" me Sokol Çungën & Edon Qesarin.
Në një qytet që nuk ndalet as në verë, Libraria Albas sjell një ide të re kulturore për të enjtet e korrikut: AfterWords, një seri mbrëmjesh që kombinojnë fjalën, koktejin dhe muzikën në një atmosferë të qetë, reflektuese dhe ndryshe nga rutina e zakonshme e pasdites pas pune.
Koncepti është i thjeshtë, por frymëzues: pas orarit të punës, në vend që të largohesh drejt një kafeje apo lokali të zakonshëm, vjen në librari. Merr një libër, përfiton një koktejl falas, i frymëzuar nga forca e fjalës, dhe ulesh në një nga divanet e butë të librarisë për të dëgjuar tingujt e një muzike të zgjedhur me kujdes. Është një ftesë për të ndalur, për të reflektuar dhe për të jetuar ndryshe orët e mbrëmjes.
"AfterWords" është një format që luan me idenë e "afterwork", por i jep një ngjyrim kulturor e letrar, duke e kthyer librarinë në një vend takimi për mendimin, ndjesinë dhe shijen.
Çdo të enjte të korrikut, nga ora 19:00 deri në 21:00, Libraria Albas në Tiranë do të jetë mikpritëse e kësaj eksperience të re kulturore, që synon të lidhë komunitetin me librin në një mënyrë të re. Hyrja është e lirë, me kushtin e vetëm që të blesh një libër, një ftesë elegante për të mbështetur leximin e njëkohësisht për të marrë një përvojë të plotë ndjesore.
Çelja e sezonit me një temë klasike që flet edhe sot
Më 10 korrik, AfterWords hap sezonin me një diskutim frymëzues: “Antigona dje dhe sot: mes Ligjit dhe Traditës”, me pjesëmarrjen e Sokol Çungës dhe Edon Qesarit. Një bisedë që eksploron aktualitetin e një tragjedie klasike, të Sofokliut, përmes një lenteje moderne që vë në fokus tensionet mes të drejtës, zakoneve dhe humanizmit. Një mënyrë për të treguar se fjala klasike nuk ka humbur asgjë nga forca e saj.
Korriku i pasur i AfterWords
Me datat 17, 24 dhe 31 korrik 2025 të shënuara në kalendar, çdo e enjte premton një përvojë të ndryshme, ku leximi dhe socializimi takohen në mënyrë organike. Ambienti i librarisë, muzika, gota e koktejlit dhe fjala e shkruar ndërthuren për të krijuar një atmosferë që çliron mendjen nga zhurmat e përditshmërisë dhe nxit reflektimin, bisedën dhe qetësinë.
AfterWords nuk është thjesht një aktivitet, është një filozofi mbrëmjeje, një mënyrë për të kthyer librin në qendër të jetës kulturore urbane, por pa pompozitet, pa ceremoni. Me thjeshtësi, elegancë dhe përkushtim ndaj fjalës së bukur.
Në një kohë kur rutina na merr me vete, AfterWords është një rikthim tek ajo që ka rëndësi: fjala, qetësia dhe lidhja me veten, me një libër në dorë dhe një gotë në dorën tjetër.
Pas pune, kudo ka afterwork, por vetëm te ne ka AfterWords.
Vetëm të enjteve, vetëm te Libraria Albas.
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Myzejen Mullaj, sopranoja dhe pedagogia që eci me modesti në rrugën e vështirë të artit shqiptar
"Prind nuk është ai që të lind, por ai që të rrit"
Cila punë është më produktive, ajo në grup apo ajo individuale?