Al–Hvarizmi

Al-Hvarizmi solli numrat arabë në Europë

Ajo që bëri Al-Hvarizmi ishte se i solli numrat arabë në Europë, dhe për këtë arsye ende nëpër tekste shkollore ngulmohet që zbulimi ishte i tij.

Al–Hvarizmi

~780 – 850


Kronologji

Lindi rreth vitit 786 në Hvarizëm (Kiviu i sotëm në Uzbekistan).

• Në vitin 813 filloi qeverisja e kalifit Al-Mamun, mbrojtësit të Al-Hvarizmit.

• Rreth vitit 820 Al-Mamuni themeloi në Bagdad “Shtëpinë e zgjuarsisë”.

• Në vitin 833 vdiq kalifi Al-Mamun.


Një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e shkencës është futja e numrave arabë në matematikë. Ky zbulim shpesh i njihet Al-Hvarizmit, matematikanit, gjeografit dhe astronomit arab. Por, thënë me rigorozitet, nuk i ka shpikur as Al-Hvarizmi dhe as që vijnë nga Lindja e Mesme.


SHËNIMI I NUMRAVE

Ajo që bëri Al-Hvarizmi ishte se i solli numrat arabë në Europë, dhe për këtë arsye ende nëpër tekste shkollore ngulmohet që zbulimi ishte i tij. Sistemi numerik, bashkë me shenjat, i ka rrënjët në Indi që prej viteve 500 dhe sot njihet me emërtimin sistemi indoarab. Kjo metodë e shënimit të shenjave dhe numrave nga 0 deri në 9, të cilave u shtohet vlera në varësi të vendit ku gjenden (për shembull, shenja “1” në numrin 100 ndryshon me të njëjtën shenjë në numrin 10), si dhe futja e simbolit të zeros për herë të parë e revolucionarizuan plotësisht matematikën. Pa këtë sistem, shumë prej zbulimeve të mëvonshme dhe shumë prej gjërave që tashmë janë kthyer në normë në ditët e sotme, do të kishin qenë të pamundura. Trajtimin dhe shpjegimin e funksionimit të këtij sistemi Al-Hvarizmi e ka bërë në veprën Llogaritje me numrat indianë. Kjo vepër në fillim u pranua në Perëndim, më vonë u përkthye në latinisht dhe më pas u përhap në të gjithë botën. Madje mund të thuhet se sot sistemi numerik është e vetmja “gjuhë” në botë.


Nga emri “Al-Hvarizëm” në Perëndim u krijua algoritmi, që do të thotë rregull llogaritjeje.


“SHTËPIA E ZGJUARSISË”

Al-Hvarizmi ka merita të veçanta si autor i librit të parë të algjebrës. Ishte ai që e futi këtë fjalë në fjalorin tonë. Për shkrimin e teksteve të tilla ai gëzonte mbështetjen dhe mbrojtjen e kalifit Al-Mamun, i cili qeveriste një mbretëri të madhe myslimane, që shtrihej nga Gadishulli Indian deri në Mesdhe. Babai i Al-Mamunit, kalifi Harun Al-Rashid, e nxiste përparimin e disiplinave akademike në mbretërinë e vet dhe këtë e vazhdoi edhe i biri, duke themeluar “Shtëpinë e zgjuarsisë”. Ajo ishte një akademi, e cila kishte bibliotekën e vet, ku u ruajtën edhe shumë përkthime të veprave të rëndësishme greke, si dhe kishte të vendosur observatorët astronomikë. Kjo i dha frytet e veta në veprën e Al-Hvarizmit, Llogaritje me metodën e plotësimit dhe të baraspeshimit.


HYRJE PRAKTIKE NË ARITMETIKË

Në këtë vepër, Al-Hvarizmi pati si qëllim të jepte rregulla praktike të zgjidhjeve aritmetike, duke kryer veprime, të cilat më vonë u quajtën algjebër. Ai futi ekuacionin e katrorit, edhe pse atë e zgjidhte me fjalë dhe jo me simbole algjebrike (si p.sh., x2 + x = 10), siç e përdorim sot. Dy koncepte kyç në studimet e tij kanë qenë idetë “e plotësimit” dhe “të baraspeshimit” të ekuacioneve. Me fjalën “plotësim” është menduar kalimi i kufizave negative të ekuacionit në anën tjetër të tij (p.sh., 4x2 = 54x – 2x2 bëhet 4x2 + 2x2 = 54x). Baraspeshimi bazohet në vendosjen e kufizave pozitive në të dyja anët e ekuacionit në formën e tyre më të thjeshtë (p.sh., x2 +3x + 22 = 7x + 12 bëhet x2 + 10 = 4x).


“BABAI I ALGJEBRËS”

Nuk është e sigurt nëse Al-Hvarizmi i ka njohur veprat e Euklidit, përkundër faktit se njëri nga anëtarët e “Shtëpisë së zgjuarsisë” ka përkthyer Elementet në arabisht. Edhe pse është e qartë se Al-Hvarizmi i ka plotësuar veprat e paraardhësve të vet, si për shembull Diofantit dhe Brahmaguptës, shpjegimi i tij për themelet e algjebrës është shumë afër shpjegimit bashkëkohor, prandaj dhe shpesh quhet “babai i algjebrës”. Dihet se nga titulli i veprës së tij, Llogaritja me metodën e plotësimit dhe baraspeshimit, që në arabisht është Hisan al-habr valmukabala, pikërisht nga fjala al-habr ka dalë fjala “algjebër”.


Arritje të tjera

Gjatë përdorimit të emrit “Al-Hvarizëm”, shpesh nga pakujdesia në shqiptim, në Perëndim fillimisht ka tingëlluar si “algorizmi”, pastaj “algorizëm”, duke u formuar në fund fjala “algoritëm”, e cila sot ka kuptimin “llogaritje e drejtë”.


Al-Hvarizmi është marrë edhe me degët e tjera të matematikës: ka krijuar tabelat për funksionet sinus dhe tangjent. Ai ka kryer edhe një numër të konsiderueshëm vrojtimesh astronomike, si dhe ka qenë kërkues aktiv edhe në fushën e gjeografisë. Metodën e Ptolemeut me gjerësitë dhe gjatësitë gjeografike e zgjeroi me caktimin e pozicioneve të vendeve të ndryshme të botës, si dhe përpiloi një sërë hartash gjeografike, të cilat ishin më të sakta se ato të paraardhësit të tij.


Materiali është shkëputur nga libri "100 shkencëtarët që ndryshuan botën", i përkthyer nga Latif Ajrullai


(Portali Shkollor)

3,664 Lexime
5 vjet më parë