piktorët më në zë

Artistët shqiptarë të periudhës së Pavarësisë

"Nëpërmjet jetës dhe veprës së artistëve shqiptarë, duhet të kuptojmë atdhedashurinë e tyre. Ata u kthyen në atdhe, për ta përjetësuar në kanavacë bukurinë e vendit, zakoneve dhe traditave tona". Artikull nga Iriana Papamihali.

Në filli të shek. XX, filloi një periudhë e re për artin, e cila njihet me emrin arti i periudhës së Pavarësisë. Ndikimi nga arti evropian, bëri që arti i Pavarësisë të ngrihej në një shkallë më të lartë artistike dhe profesionale. 


Arti i periudhës së Pavarësisë ishte art realist, i cili evidentoi më tej frymën kombëtare, dhe pasqyroi motivet dhe subjektet shqiptare. Artistët e kësaj periudhe studiuan në Akademitë e Artit nëpër Evropë, duke sjellë përvojën e mjeshtrave të mëdhenj në vendlindje dhe duke e ndarë këtë përvojë me artistët e brezit të ri. Veprat e këtyre artistëve ndodhen në Galerinë Kombëtare të Arteve Tiranë.


Nëpërmjet jetës dhe veprës së artistëve shqiptarë, duhet të kuptojmë atdhedashurinë e tyre. Ata u kthyen në atdhe, për ta përjetësuar në kanavacë bukurinë e vendit, zakoneve dhe traditave tona. Nëpërmjet analizave të veprave të tyre dua të ndaj me ju jo vetëm vlerat artistike, por edhe mesazhet që përcjellin këto vepra në ditët tona, duke sjellë një galeri personazhesh, peizazhesh dhe traditash popullore.


Vangjush Mio (1891-1957) 

Vangjush Mio lindi në qytetin e Korçës më 1891. Në vitin 1915 regjistrohet në shkollën e Arteve të Bukura të Bukureshtit. Prej andej, më 1920 shkon në Romë ku regjistrohet në Akademinë e Arteve të Bukura, dhe në 1924 përfundon studimet. Kthehet në atdhe po në atë vit dhe vendoset përgjithmonë në Korçë. 


Vangjush Mio është cilësuar si poet i peizazhit shqiptar, sepse i vuri vulën e origjinalitetit të tij peizazhit shqiptar. Portretizoi me realizëm dhe dashuri rrugicat korçare, malet mavi dhe fushat e gjelbërta, qytetet, liqenin dhe detin. Vlerat e larta artistike të tij spikatin edhe në gjininë e portretit. Në veprat e tij duken qartë tendencat impresioniste.


Ashtu si një poet thurr vargjet plot emocion, ashtu edhe piktura e Mios është një poemë pa fjalë, një poemë e shkruar mbi telajo nëpërmejt ngjyrave të 4 stinëve. Stina që pëlqente më shumë artisti ishte stina e vjeshtës, ndoshta sepse kjo stinë ka poezinë brenda saj dhe kjo poezi vjeshtore e bëri për vete autorin. Në çdo pikturë të Mios ka një copëz jetë nga jeta e tij, të cilën piktori e portretizoi me penel dhe ngjyrë.  

Në pikturat e Mios duket qartë dashuria për vendlindjen tij, Korçën. Veprat e tij ndodhen në Galerinë e Arteve në Tiranë dhe në shtëpinë e tij muze në Korçë.


Andrea Kushi (1884-1959) 

Andrea Kushi lindi në Shkodër. Dashurinë për artin ai e mori nga Kolë Idromeno. Studimet për pikturë Andrea i kreu në Beograd, më 1912-1914, të cilat i ndërpreu për shkak të luftës së I-rë Botërore. Studimet i kreu me sukses më 1920 dhe u kthye në atdhe, ku jetën e tij ja dedikoi përgatitjes së brezit të ri. Andrea punoi si mësues arti në gjimnazin e Elbasanit dhe më vonë në vitin 1931 themeloi në Tiranë shkollën e parë të vizatimit në vend. Andrea Kushi hapi ekspozitën e parë kombëtare më 1931 në Tiranë. Më pas lëvizi të jetonte në Korçë, u kthye përsëri në Elbasan dhe më vonë në Tiranë ku qëndroi deri në ditët e fundit të jetës më 1959. Vepra të Andrea Kushit janë: Plaku me shkop, Portret vajze etj. Shquhet për paraqitjen me vërtetësi dhe realizëm të portreteve, ashtu si ata janë në jetën e përditshme.


Abdurrahim Buza (1905-1986)

Abdurrahim Buza lindi në Shkup më 1905, nga një familje nga Gjakova. Pasi fitoi një bursë nga shteti, qëndroi për një vit në Akademinë e Arteve të Bukura në Torino. Më pas kreu studimet në Akademinë e Arteve të Bukura në Firence. Kthehet në atdhe më 1933. Buza u punësua si profesori i parë i Liceut artistik në Tiranë, më 1947.

Subjektet e pikturave të Abdurrahim Buzës, ishin historike, legjendare dhe kombëtare. Vepra të Abdurrahim Buzës janë: ”Shqipëria vallëzon”, “Lojërat popullore”, “Refugjatët”, “Nusja kosovare”, etj.


“Lojërat popullore”

Kjo është një pikturë me teknikën e ngjyrave të vajit dhe flet për lojrat popullore. Personazhet janë të veshur me kostume popullore, që është shenjë dalluese e pikturave të Abdurrahim Buzës.

Sfondi është më i errët në anët e tablosë dhe vjen e bëhet më me dritë në qendër të saj, duke evidentuar më së miri larminë e kostumeve dhe lojërave popullore.

Kjo tablo vjen si një thesar i rrallë në ditët tona. Kompozimi përbëhet nga shumë figura të cilat janë paraqitur në lëvizje, gjë që e bën edhe më interesante pikturën. Syri nuk ndalet në një vend në këtë tablo, ka shumë aksion brenda saj. 

Nëse vëren me vëmendje këtë pikturë duket sikur personazhet shtrihen në një plan. Figurat janë të vendosura në katër rreshta, në dukje të ndarë, por që krijojnë një harmoni kompozicionale. Sa më shumë e shoh këtë tablo aq më shumë më bindem që artisti i ka vendosur figurat si alpet shqiptare me uljet dhe ngritjet e relievit. Mbase artisti kërkon të na paraqesë bukurinë e maleve, duke e krahasuar me rininë shqiptare. Këtë e dalloj te konturi i secilit rresht.

Figurat janë paraqitur të grupuara sipas interesit që kanë për lojërat. Sipër lart në një rresht janë vajzat që luajnë. Poshtë tyre djemtë luajnë dhe kanë formuar një rreth, pra brenda një rreshti në dukje i drejtë, ka forma të përsosura. Çdo rresht duket sikur është një pikturë më vete, plot lëvizje dhe emocion dhe me figura që reflektojnë vitalitet. 

Artisti i ka të skalitura në memorien e tij traditat dhe zakonet nga vendlindja.

Buza solli një realitet tjetër në artin shqiptar dhe një stil krejtësisht origjinal dhe të spikatur.


“Shqipëria vallëzon”

Pikturë me bojëra vaji. Në këtë tablo kemi një kompozim rrethor. Valltarët janë kapur dorë për dore dhe kanë formuar një rreth. Sfondi është jeshil i errët duke evidentuar më mirë kostumet popullore. Në këtë vepër, artisti ka paraqitur personzhe me veshje popullore nga e gjithë Shqipëria. Ata janë të bashkuar dhe vallëzojnë dorë për dorë. Piktura është paraqitur thjesht dhe me realizëm. Nëse vëren me kujdes valltarët edhe pse hedhin të njëjtën valle, secili përpiqet të japë individualitetin e vet me portretin, mënyrën se si lëviz dhe si kërcen, si dhe me kostumin që mban veshur. Por të gjithë bashkë krijojnë unitetin në rreth. Ky kompozim më sjell ndër mend pikturën e Henri Matis, ku paraqet disa valltarë në formë rrethi. 


SADIK KACELI (1914-2000)

Lindi në Tiranë. Studioi në shkollën e Arteve të Bukura, Paris. Pas kthimit në Tiranë u bë mësues arti. Që prej vitit 1946 dha mësim në liceun artistik “Jordan Misja”. Atje, kontributin e shkëlqyer artistik e ndau me brezin e ri të artistëve të ardhshëm. Disa nga nxënësit e tij u bënë artistë të njohur, si Vilson Halimi, etj.

Sadik Kaceli ishte një piktor realist dhe subjektet e tij të parapëlqyera ishin portreti dhe peizazhi. Realizoi monedhën e parë shqiptare, stemën e republikës, etj. 

Në peizazhet e tij ndjehet fryma e impresionistëve te ngjyrat me dritë dhe hijet blu. Kjo duket më së miri te piktura “Hidrocentrali”. 

Pikturë tipike impresioniste, sepse nëse vini re hijet janë pasqyruar me tonalitetet e ngjyrës blu, siç bënin dhe impresionistët. Piktura nëpërmjet ngjyrave dhe kontrasteve, të jep freskinë e ajrit mes maleve deri horizontin e largët dhe lagështinë e ujit. Artisti ka përdorur perspektivën atmosferike gjë që i bën malet të ikin tutje.

Veprat e Sadik Kacelit janë të shumta si: portrete, peizazhe dhe kompozime. Portretet e tij shprehin një botë të pasur shpirtërore, portrete që flasin shumë me gjuhën e artistit, me gjuhën e ngjyrave dhe kontrasteve dhe psikologjinë e personazheve. 


ZEF KOLOMBI (1907-1949)

Lindi në Sarajevë. Me pas u rrit nga gjyshja e tij në Shkodër. Më 1929, ju dha një bursë për të studiuar në Akademinë e Arteve të bukura në Romë. Portretet e tij kanë psikologji dhe shpesh shprehin melankoli.

Në disa vepra, Zef Kolombi punon me teknikat e plen-eir. Ai i qëndron besnik vizatimit konstruktiv, të pasuruar nga nuancat e shumta të ngjyrave. Për artistin elementi artistik më shprehës është drita dhe ngjyra. Artisti kërkon me forcë të verë në dukje intensitetin e ngjyrave, pastërtinë dhe larminë e tyre. 

Madje do ta quaja artisti i ngjyrave. Veprat e tij pasqyrojnë më së miri gjuhën shprehëse të artistit. Modelon bukur formën nëpërmjet përdorimit të ngjyrave plot dritë që kontrastojnë me njëra-tjetën. Mënyra e kompozimit të subjekteve është mjaft interesante duke sjellë forma dinamike që kontrastojnë.

Veprat e tij janë: “Rrush dhe pjeshkë”, “Të korrat”, por ka shumë portrete, peizazhe, natyra të qeta. 


Odhise Paskali (1903-1985)

Odhise Paskali lindi në Përmet, më 1903. Më 1927 u diplomua për Historinë e artit. në Torino të Italisë. Skulpturën e mësoi në studion e mjeshtrit të madh italian, Rubino. 

Skulptori i Popullit, Odhise Paskali mund të cilësohet si themeluesi dhe babai i skulpturës shqiptare. Skulpturat e tij paraqiten me një realizëm të thellë. Veprat e tij janë të shumta në numër, rreth 600 vepra. 

Vepra e parë e tij është “I urituri”, 1924, Torino. Një vepër që duket e skalitur nga emocione të forta. Më vjen ndër mend skulptori francez Roden, kur shoh këtë skulpturë. Ka një shprehje psikologjike që të trondit kur e sheh. Uria e ka mposhtur këtë burrë i cili është në grahmat e fundit të jetës, duke ëndërruar për një vakt të ngrohtë, duke vajtuar jetën që nuk e jetoi dot ndoshta. 

Odhise Paskali ka skalitur me qindra portrete të njerëzve të shquar të vendit tonë dhe figura historike. Veprat e tij janë: “Monumenti i Skënderbeut në Tiranë” (bashkëautor me Janaq Paçon dhe Andrea Manon), “Partizani çlirimtar”,“Shokët”, “I urituri”, “Luftëtari kombëtar”, “Jeronim de Rada”, “Malësori”, etj.


“- Unë nuk jam skulptor në kuptimin profesional të fjalës; as jam poet në kuptimin tradicional; dhe as filozof në kuptimin shkencor të fjalës. Jam njeri. Çdo gjë njerëzore më ka tërhequr". 

Kjo thënie e artistit më tërhoqi, sepse përmbledh eksperiencën e tij të gjerë njerëzore dhe artistike. Përkulem me respektin më të madh përpara veprës së këtyre artistëve që jo vetëm lanë gjurmë në historinë e artit shqiptar, por edhe atij botëror.



Iriana Papamihali

Artiste, mësimdhënëse, autore teksteve shkollore


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,413 Lexime
1 vit më parë