Opinion

Bamirësia, trend apo nevojë?

Nxënësja Rudina Haxhiu nëpërmjet krijimit ju bën thirrje të gjithëve që të kontribuojnë për një shoqëri më të mirë. Sipas saj mjafton një buzëqeshje, një përqafim, një shikim plot dashuri, një dorë e ngrohtë dhe misioni yt bamirës është përmbushur.

Jetojmë në një shoqëri ku jo të gjithë kanë mirëqenie ekonomike. Disa më shumë vështirësi sigurojnë të ardhura për të mbijetuar, ndërsa disa të tjerë arrijnë të jetojnë shumë herë më mirë, nuk u mungon asgjë. Përkundrejt këtij ekstremi ndodhet ajo pjesë e popullsisë që ka mundur të krijojë një botë të qëndrueshme rreth vetes. Ka arritur të bashkojë copëzat e nevojshme për të pasur një stil jete më të zhvilluar, pra e mesmja e artë. 


Pikërisht kjo pjesë e popullsisë solidarizohet dhe i shtrijnë dorën shtresës më të varfër të popullsisë. Por, a e ndiejnë këtë veprim?


Ndoshta përgjigjja e kësaj pyetjeje nuk mund të mbarojë asnjëherë me pikë, megjithëse synimi i saj arrin të pasqyrohet në shoqëri. Po të vështrojmë do të shohim që ndjenja e të qënit bamirës është rritur. Kjo ka ardhur si pasojë e një sërë faktorësh.

I gjithë komuniteti arrin të ndjejë atë ç’ka përjeton një masë e madhe individësh dhe bëhet për ta një fanar shprese që ndriçon rrugën e të pamundurve. Megjithatë ende bamirësia është në një nivel të ulët. 


Ky indiferentizëm vjen sepse një pjesë e mirë e njerëzve nuk e kanë kuptuar mënyrën se si mund të bëhesh pjesë e dhuruesve. Nuk e kanë kuptuar që mjafton diçka sado e vogël qe edhe pse ndoshta mund ta ketë humbur kuptimin, tek dikush tjetër mund të fillojë të frymojë sërish. Nuk e kanë kuptuar që veprimi i dhurimit të gjithsecilit prej nesh është fondacioni me stoik që mund të ketë bota.


Mjafton një buzëqeshje, një përqafim, një shikim plot dashuri, një dorë e ngrohtë dhe misioni yt bamirës është përmbushur. Bamirësia nuk mund të përcillet gjithmonë vetëm me vlera monetare apo materiale, por edhe me veprime që mbartin vetëm mirësi. 


Nëse ne përfshihemi në dimensionin e dhurimit dhe të ndihmës dalëngadalë tek ne fillon e kultivohet ndjenja e të qenit human. Fillojmë të përdorim zërin për kauza të cilat ndërtohen në të mirë të njerëzimit, veshët për të dëgjuar shqetësimet që has pjesa më e madhe e popullsisë, dorën për ta bashkuar me atë të dikujt tjetër e nëpërmjet saj për të ndjerë lumturinë, mendjen për të krijuar ide te reja që do të shërbejnë si një shtyllë mbështetëse për çdo person e zemrën për të përjetuar frekuencën e emocionit që merr nga kënaqësia e të bërit mirë. 


Ndjesia e të qenit human lidhet me kuptimin e bamirësisë. Në të vërtetë edhe pse përbëhet nga akti i dhurimit ajo nuk të varfëron, ajo nuk lë hapësira boshe, përkundrazi i mbush ato. I mbush me virtytet abstrakte dhe të paperceptueshme për mënyrën sesi krijohen. Janë pikërisht këto virtyte që e bëjnë njeriun të quhet njeri.


Bamirësia është në shërbim të një shoqërie të shëndetshme dhe të një shoqërie të mbizotëruar nga një harmoni e plotë. Nuk është e thënë që gjithmonë të bëjmë gjëra të mëdha për të qenë bamirës, por edhe të bërit gjëra të vogla me bujari gjatë rrjedhës së përditshmërisë sonë përbën një akt të tillë.  


(Rudina Haxhiu, klasa: XI-B, shkolla: “Sandër Prosi”)

5,545 Lexime
7 vjet më parë