Krijim

“Buqetë me lule maji”

Dhe sipari i këtij eventi po ngrihej. Haleluja filloi të këndohej në një gjuhë. Gjuhën e zemrës fëmijërore, thirrjes për jetë pa luftëra dhe derdhje lotësh. Buqetë me lule Maji me fjongo ngjyrë blu verdhë dhe kuq, ngjante balonës në qiellin e kaltër të Shqipërisë drejtë atij Ukrainas.

Mbi tryezën e mësueses kujdestare të klasës së nëntë shtrihej BUQETË e mbështjellë mes një letre të plastifikuar ngjyrë kafe të hapur si ajo e tokës. Ishte me lule natyrale me ngjyra që simbolizonin paqe dashuri miqësi. Aroma e tyre e këndshme na e rrëmbente vëmendjen. Për disa çaste shqisat tona vetëm shijonin dhe nuhatnin. Aty kishim dhe imazhin e kohës që po kalonim. Nuk çuditeshim pse në klasë kishte qetësi. Mbase po vonohej të vinte në këtë event "Kordelja". Kështu e thërrisnim Mirelën që me teknikën"Kanzashi", paloste shiritat formë rrigetoje me ngjyra të theksuara që afronin atmosferën e një ditëlindjeje të veçantë. Nga nuancat rrezatuese mund të kuptoje dhe origjinën e luleve. 


Kjo mirëfilli nga çfarë kishim dëgjuar por dhe nga bashkëbisedimet mes nxënësve të klasës sonë. Nga bankë e parë dëgjohej zëri i Brisit. Ajo më shumë jetonte me gjyshen, si në pushimet verore por dhe ato të sezonit dimëror. Sa herë na tregonte për rrëshqitjet me ski në Voskopojë. Qyteti i bukur i Korçës e mbante gjallë fëmijërinë e saj! Kjo prej andej kishte sjellë lule të bukura dhe i mbante në "oazin"brenda ballkonit me vetrata me dopio xham. Krah saj në bankën e dytë nga dera kishte Sardën që mbante në dorë dy karafila me ngjyrë të ndezur si diell n'perëndim. Të gjithë e dinim nga vinin ato, mbasi orë e çast na e përmendte Prizrenin ku kishte origjinën. Pa shkoqitur fjalën e fundit për përshëndetjet nga ana e gjyshes, erdhi zëri melodioz i Drilonës, imcakes me origjinë nga Pogradeci. Me tre zambakë të përzgjedhur që mbante në dorë kuptoje se nga vinin. 


Çiltërsia e tyre kishte buzëqeshjen pogradecare. Vështrimin lirik të Lasgushit të Madh. Pa u shkëputur nga ky ansambël shpirtëror adoleshent dhe aromë petalesh u dëgjuan zërat me nuanca humori në shkodranisht. Ishte Drinaldi me Barbanën e më pas ai i Kaltrinës dhe Taulantit nga Durrësi. Mes luleve shumëngjyrëshe; të kuqe, të verdha, portokall, të bardhë vëmendjen e mori Mirela, tiranasja autoktone. Ajo sikur po fluturonte nga trupi. S'e zinte vendi pa i bashkuar gjitha lulet një buqetë. Patjetër donte ta tregonte talentin e saj mbasi prej vitesh punonte pas mësimit tek një dyqan kryesisht me paketime dhuratash. Ajo ndihmonte mamin e saj deri sa i vinte orari i kursit të violinës. Sa herë e lavdëronte zysha e muzikës le më ajo e punëdores. Me raste festash shkëlqente. Ia kishte marrë dorën sidomos kordeleve dhe spiraleve të kordonëve për dhuratat. Që nga klasa e gjashtë ndihmonte mamin me ambalazhim pakosh te dyqani pranë shëtitores "Kolë Idromeno". Ishte buzëqeshja e mësueses kujdestare ajo që i bashkoi shikimet tona mbi tryezën ku qëndronte buqete me lule nga qytetet më me emër për nga lulishtet si dhe të shesheve e mjediseve familjare. Por më e rëndësishmja kishte të bënte me mesazhin që ato përcillnin. Gjithsesi zysha sikur po na fuste mes një "loje". Ajo pyeste njërin pas tjetrit pothuajse deri te nxënësi i fundit se si i kishim siguruar lulet që plotësuan BUQETËN e cila ende s'e kishte adresën. Mes pyetjeve dhe përgjigjeve kishim mbetur tek një e panjohur. "Kush ishte personazhi që do ia dhuronim këtë buqetë?!"


Jepnim e merrnim. Secili sipas mënyrës së tij, gërmonte në vitet e shkuara se në ç’muaj e ditë kishim përjetuar ditëlindje. Kjo mund të ishte për secilin retorika e momentit!. Por një trokitje tek dera rrëmbeu shikimin dhe vëmendjen e të gjithëve. 


“Hyr”- tha zysha nga tryeza e saj. Përsëri dera s'po hapej. Unë si më i paduruari për kësisoj rastesh edhe pse qëndroja në bankën e parafundit bashkë me Astrin tek rreshti pranë dritareve, isha në mëdyshje. Mendjen e kisha "nxjerrë" mes imazheve sa tek një qytet tek tjetri. Po "shfletoja" Albumin që kishim përgatitur me grup nxënësish në orët e projekteve "Atraksion turistik nëpër Shqipëri". Pamje nga qytetet me tradita kulturore dhe kulinari bashkëkohore. Me njërin gisht në Pogradec, tjetrin në Korçë. Sa prekja Belshin më shkonte gishti tek Elbasani. Pa e plotësuar mirë pëllëmbën, shkoja në Shkodër. Po ndieja sikur me gishtërinjtë e mi po bashkoheshin zemra nga nxënës të të gjitha shkollave me nga një lule tek "BUQETË Maji"!


Aty mes tyre kishte nga Përmeti deri dhe zambakët e Lurës. Zëri i ngrohtë i zyshësh seç më zgjoi. Natyrshëm "dola nga portë meditimi" dhe u bashkove me të gjithë nxënësit drejt tryezës ku aromizonin lule nga qytetet e Shqipërisë që këto ditë pranvere po e ndienin lotimin e petaleve të sfilitura rënë në trotuaret dhe çarjet e asfalteve tek rrugët e Kievit...! Se për te kush "do të rrugëtonte" kjo BUQETË po na e thoshte rrahja e zemrave tona dhe çdo njeriu paqedashës i Planetit. E ndiente dhe pranonte këtë buqetë çdo "Kartë e të Drejtave Njerëzore" për paqe e liri. Sytë e të gjithëve u bashkuan tek lotim i Oleksanës, vajzës syqeshur dhe flokëartë nga Kievi, që me sytë e saj ngjyrë qielli mbuloi gjithë hapësirën e klasës. Tashmë "Enigma" u zgjidh. Kjo buqetë me lule maji bashkuar me rrigetat ngjyrë blu verdhë dhe të bardhë kishte të ngjarë me flamurin Ukrainas. Edhe rrigeton e kuqe "Lilushja" e kishte përgatitur në formë spiraleje në mazhin e rrjedhës së gjakut. Këtë buqetë do t'ia dhuronim shoqes sonë të dashur, Oleksanës, vajzës me flokët gërshet si fille të arta. Sy kaltërosh si qiell pa mjegullnaja por me re të marrosura. Ajo bashkë me motrën më të vogël, Sashenkën kishin vite që jetonin në Tiranë. Babai i tyre Siari punonte si përkthyes duke shoqëruar grupe turistësh që vinin ndër sezone verore. Ai vite më parë në guida turistike ishte njohur me Mantian mamin e tyre nga Kievi. Një familje që shëmbëllente kulturë dhe pastërti njerëzore. Ato ishin frymëzim solidariteti në çdo aspekt shkollor dhe social. Ndaj dhe dora e zyshë Jerinës vërtet e stërvitur por me plot motivim për aktualitetin kishte dizenjuar mes një artigrafie mbishkrimin: "Gëzuar ditëlindjen nxënëse e dashur Oleksana! Për ju dhe gjithë fëmijët e Ukrainës: Paqe liri miqësi!”.


Dhe sipari i këtij eventi po ngrihej. Aleluja filloi të këndohej në një gjuhë. Gjuhën e zemrës fëmijërore, thirrjes për jetë pa luftëra dhe derdhje lotësh. Buqetë me lule Maji me fjongo ngjyrë blu verdhë dhe kuq ngjante balonës në qiellin e kaltër të Shqipërisë drejtë atij Ukrainas.  




Nga Myrto Hysaj, mësues dhe shkrimtar

Maj 2022

 

 

 ©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

1,543 Lexime
2 vjet më parë