Aktiviteti kombëtar 

Çelet Fushata e Leximit “Shqipëria Lexon”, nisma do shtrihet edhe në shkollat e vendit 

Poetja Rita Petro dhe shkrimtari Dionis Prifti, fitues i Fondit të Mbështetjes së Shkrimtarëve të Rinj pranë QKLL-së me vëllimin e tij me tregime “Bar Sahara” çelën sot siparin e Fushatës së Leximit “Shqipëria Lexon” me moton #LexoMeMua duke lexuar pjesë të krijimtarisë së tyre në poezi dhe prozë. 

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ka çelur fushatën ndoshta më të bukur e cila pritet të nxis sa më shumë  leximin e librave te çdo moshë.  


Ka qenë pikërisht Poetja Rita Petro dhe shkrimtari Dionis Prifti, fitues i Fondit të Mbështetjes së Shkrimtarëve të Rinj pranë QKLL-së me vëllimin e tij me tregime “Bar Sahara”, që nisën sot fushatën “Shqipëria Lexon” me moton #LexoMeMua duke lexuar pjesë të krijimtarisë së tyre në poezi dhe prozë. 


U ndjeva i vlerësuar që e hapa siparin e kësaj fushate bashkë me poeten e mirënjohur Rita Petro. Përveçse lexuam disa pjesë nga librat tonë, atmosfera e sotme e këtij aktiviteti  u bë edhe më interesante dhe e ngrohtë prej tematikës që u kushtua, dashurisë, duke qenë se jemi edhe në muajin shkurt, kur festohet ndërkombëtarisht edhe festa e të dashuruarve. E gjitha ishte një bashkëbisedim në sinkron. Sa i përket iniciativës për leximin e librave, mund të them se kjo është një gjë e domosdoshme dhe shumë e dobishme. Uroj që të lexojmë sa më shumë dhe të përpiqmi t’i ndjekim këto iniciativa letrare, sepse vërtetë kemi nevojë për to”, kështu është shprehur shkrimtari i ri Dionis Prifti. 


Ndërsa poetja Rita Petro dha këtë mesazh të rëndësishëm: "Libri bashkon mendjet, zemrat, shpirtrat. Libri është dashuri që s'të lë kurrë të ndihesh i vetmuar apo i varfër (kushdo do kishte një vend të ngrohtë në dimër dhe të freskët në verë, ku do lexonte mbase për herë të parë ca rreshta në prozë  apo ca vargje poezie). Investimi për librin është investim për njerëz të bukur e të përgjegjshëm, për njerëz mendjehapur, kurajozë e tolerantë. Një qeveri që investon për librin, në radhë të parë ka investuar për vetveten. Lum kush e kupton këtë!". 

Nisma "Shqipëria lexon" do të shtrihet në shkollat, bibliotekat dhe klubet letrare në të gjitha qytetet e Shqipërisë, për të nxitur rëndësinë që ka leximi në jetën tonë.


Po ju do bëheni pjesë?


Nanila Allkja Biçaku 

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

1,629 Lexime
2 vjet më parë