AKTIVITETET NË TIRANË

Çfarë të bësh në Tiranë në korrik 2021?

Nëse këtë muaj keni bërë në plan që të vizitoni, të qëndroni apo të merrni pjesë në jetën social-kulturore të kryeqytetit të Shqipërisë atëherë më poshtë gjeni një prezantim të aktiviteteve që do të zhvillohen këtë korrik në Tiranë.

Tiranës i kishin munguar koncertet, të rinjtë që i japin gjallëri kryeqytetit. Tani më në fund marrim frymë më lirshëm, masat kundër Covid-19 janë lehtësuar, vaksinimi ka filluar dhe tek personat mbi 18-vjeç.


Grupe të shumta turistësh zbarkojnë çdo ditë në Tiranë, sheshet e kryeqytetit i sheh çdo ditë më bloggera udhëtimesh që fotografojnë Tiranën dhe e rekomandojnë në rrjetet e tyre sociale.


Tashmë në Tiranë është rikthyer gjallëria e munguar prej pandemisë dhe për të festuar këtë me një super koncert nga Ermal Meta në 26 Korrik në Air Albania Stadium.

Mbrëmjet janë plot emocione dhe gjallëri në sheshin “Skënderbej”, ku është vendosur Tirana Fanzone për të parë ndeshjet e Kampionatit Europian, i cili përfundon në 11 Korrik.

Gjatë muajit Korrik në Amfiteatrin e Tiranës organizohen çdo mbrëmje evente të ndryshme, duke filluar nga koncertet, shfaqje për fëmijë e të rritur etj.

Fëmijët mund të argëtohen fundjavave paradite te Amfiteatri i Liqenit me Art & Crafts. Për prindërit që nuk kanë ku t’i çojnë fëmijët gjatë verës, në Parkun e Madh të Liqenit do të jetë i hapur Kampi Veror gjatë muajve Korrik dhe Gusht.

Aktivitete të shumta priten të organizohen dhe te Reja, në hapësirën alternative për të gjithë artistët vendas e të huaj.

Për t’i shpëtuar vapës së Korrikut, mund të arratiseni në pishinat e Tiranës, ose të freskoheni në Kanionet e Erzenit, Syrin e Ciklopit apo liqenet e Tiranës.

Tirana po të pret! Ejani të shijoni kryeqytetin Shqiptar!


©Portali Shkollor Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

2,097 Lexime
2 vjet më parë