Nisma

“Dhuro arsim, dhuro të ardhme”, nisma e veçantë e 28 studentëve për t’i siguruar bursa studimi të rinjve jetim

Një grup studentësh shqiptar janë bërë bashkë për një nismë tepër humane. Për t’i ardhur në ndihmë sa më shumë të rinjve me statusin jetim, ata po bëjnë një fushatë për t’i siguruar atyre arsim të lartë. Nga nisma “Dhuro arsim, dhuro të ardhme” deri më tani janë mbledhur 18 bursa.

“Dhuro arsim, dhuro të ardhme” kjo është thirrja dhe njëkohësisht nisma që kanë ndërmarrë 28 të rinj të një universiteti privat në vend, të cilët i bëjnë thirrje të gjithë studentëve dhe jo vetëm të bëhen pjesë e saj për të kontribuar në ndihmë të të rinjve jetim duke ju mundësuar atyre bursa studimi, shkolla profesionale, kurse të ndryshme, në  mënyrë që shumë prej tyre të shkollohen për një të ardhme më të mirë. 


“‘Dhuro arsim! Dhuro të ardhme!’ është fushata e cila u ndërmor muaj më parë në kuadër të lëndës ‘Konceptim dhe Menaxhim Fushatash’, 28 studentë, janë duke krijuar partneritet me universitete private, organizata jo fitimprurëse dhe biznese të cilët duan të kontribuojnë në këtë sipërmarrje”, kështu është shprehur Xhoana Çollaku, anëtare e fushatës. 

Në kuadër të këtij qëllimi, të rinjtë kanë organizuar edhe mbledhje fondesh nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme, si panairet ushqimore dhe shfaqjen e një filmi. Qëllimi i këtyre aktiviteteve konsiston në sigurimin e të ardhurave për të shkuar në mbështetje të të rinjve, si shitja e produkteve ushqimore dhe shitja e sa më shumë biletave për shfaqjen e filmit. Aktivitetet janë zhvilluar në sheshin e kryeqytetit, dhe në ambientet e universitetit ku organizatorët e kësaj nisme aktualisht studiojnë. 

Deri më tani janë mbledhur 18 bursa, të cilat sigurisht do t’ju vijnë në ndihmë 18 të rinjve me status jetim, ndërkohë nismëtarët kanë marrë lista nga qeverisja vendore në shumë rrethe të vendit me synim të ndihmohen sa më shumë të rinj që të arsimohen.




Kaltra Tafani

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

1,373 Lexime
2 vjet më parë