Dita Botërore Kundër Punës së Fëmijëve

Me rastin e 12 Qershorit, ditës botërore kundër punës së fëmijëve

Me rastin e 12 Qershorit, ditës botërore  kundër punës së fëmijëve, Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe me mbështetjen e OSBE, Organizatës Botërore të Punës (ILO), World Vision, Terre des Hommes dhe USAID po organizojnë një fushatë sensibilizimi për mbrojtjen e fëmijëve nga puna e paligjshme dhe shfrytëzimi dhe aksesi për të gjithë fëmijët në shkollimit cilësor.

Fushata përçon mesazhin, "Jo  punës dhe shfrytëzimit të fëmijëve, Po arsimit cilësor", të njëjtin mesazh që përcjell edhe fushata  botërore e ILO për vitin 2015.

Duke filluar nga 19 – 30 maj, në bashkitë Tiranë, Elbasan, Durrës, Fier, Vlorë, Shkodër janë organizuar aktivitete ndërgjegjësuese me fëmijët. Në datë 12 Qershor, ora 10:00, në 6 bashkitë e përmendura më sipër, do të organizohen njëkohësisht manifestime sensibilizuese të fëmijëve

Në Tiranë, manifestimi do të fillojë të premten, 12 qershor në orën 10:00, para Kryeministrisë e do të përfundojë në sheshin  'Nënë Tereza'. Në përfundim të tij do të organizohet edhe një koncert festiv i përshëndetur nga titullarë të lartë të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe rinisë, Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ambasadori i OSBE në Shqipëri, Ambasadori Amerikan dhe Ambasadori Italian. Aktiviteti do të moderohet nga Ardit Gjebrea si një figurë publike që i është bashkuar kauzës sonë.

Aktiviteti pritet të mbarojë rreth orës 11:15.

Fushata mbështet idenë se parandalimi i punës së fëmijëve, është një nevojë e domosdoshme dhe duhet të arrihet nëpërmjet përmirësimit të cilësisë së shërbimeve për mbrojtjen e fëmijës dhe qasjes në shkollë nëpërmjet edukimit cilësor.

Puna e fëmijëve vazhdon të jetë një fenomen shqetësues për vendin tonë. Nisur nga të dhënat e një studimi të ILO dhe INSTAT është vlerësuar se në Shqipëri punojnë 54,000 fëmijë të moshës 5-17 vjeç dhe rreth  65.8 për qind e këtyre fëmijëve, punojnë në kushte pune jo të përshtatshme ose profesione të rrezikshme për moshën e tyre. Puna e tyre mund të jetë në rrugë, por shpesh mund të jetë edhe e fshehur nga sytë e publikut.

Sipas Studimit Kombëtar mbi Fëmijët në Situatë Rruge, në Shqipëri gjatë vitit 2014, janë numëruar rreth 2,500 fëmijë në situatë rruge që zakonisht jetojnë dhe/ose punojnë në rrugë.  Sipas këtij studimi, 30 për qind e tyre deklarojnë se detyrohen për të punuar nga familjet, të cilat janë në vështirësi ekonomike.

Një  sërë iniciativash janë ndërmarrë  për të rritur përpjekjet për të luftuar punën e fëmijëve, në veçanti format e saj më të këqija, dhe sigurimin e të drejtave të fëmijëve nëpërmjet një qasje gjithëpërfshirëse, që trajton shkaqet e këtij fenomeni.

Në datë 10 qershor Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Ministria e Punëve të Brendshme nënshkruan një marrëveshje të përbashkët për identifikimin dhe mbrojtjen e fëmijëve në situatë rruge.

Aktualisht po zbatojmë një plan veprimi për të ndihmuar dhe rehabilituar fëmijët në situatë rruge, të cilët janë të përfshirë në lypje apo punë të papërshtatshme. Deri tani janë ndihmuar të largohen nga rruga 152 fëmijë nga rreth 300 të identifikuar në Tiranë, Elbasan dhe Durrës.

Është  miratuar Udhëzimi për Mbrojtjen e Fëmijëve, i cili vendos përgjegjësi të qarta të institucioneve në nivel vendore si: bashkitë, institucionet arsimore, shëndetësore, policia, shërbimet sociale, si dhe përcakton ndërhyrje multidisiplinare për të siguruar mbrojtjen e fëmijëve.

2,716 Lexime
8 vjet më parë