Ekspozitë pikturash

Ekspozita "Mjeshtri dhe e bija", një binom artistik i veçantë midis dy artistëve Vilson Halimi dhe Iriana (Halimi) Papamihali

Njëzet vjet pas ndarjes së artistit Vilson Halimi, e bija Iriana (Halimi) Papamihali sjell për publikun ekspozitën me piktura të përzgjedhura të artistit ndër vite. Në këtë ekspozitë dhe vetë artistja, njëkohësisht dhe mësuese, prezantohet me një koleksion të veçantë i quajtur “Tout L’univers”.

Ekspozita “Mjeshtri dhe e bija” vjen për publikun si një nga ekspozitat më të veçanta të kalendarit artistik të Galerisë së Artit Tiranë. Vilson Halimi punoi si skenograf dhe kostumograf pranë Estradës së shtetit. Krijimtaria e tij artistike ka një larmi zhanresh. Ka marrë pjesë në shumë ekspozita dhe aktivitete të ndryshme artistike. Njëzet vjet pas ndarjes së tij nga jeta, e bija Iriana (Halimi) Papamihali sjell një ekspozitë për publikun me një përzgjedhje të punëve të artistit ndër vite, pjesë e fondit të familjes. Në këtë ekspozitë dhe vetë artistja prezantohet me një koleksion të veçantë i quajtur “Tout  L’univers”. Ekspozita është e kuruar nga Anila Zajmi Katanolli. Në sallën e kuqe dhe sallën e bardhë të GAT janë punët e mjeshtrit, ndërsa në sallën gri punët e së bijës. Një nga ekspozitat më të veçanta të kalendarit artistik 2023, për të cilën kuratorja Anila Zajmi Katanolli thotë se prezantohen punët e dy artistëve me vlerë. “Ekspozita është një binom shumë i rëndësishëm, që duhet njohur. Janë baba e bijë, dy artistë që kanë vlerë të jashtëzakonshme, sidomos Vilsoni që i ka munguar publikut. Të gjitha punët e tij janë të mrekullueshme”, shprehet ajo. 


Punimet e ekspozuara të Vilson Halimit nisin që në vitin 1956 për të vijuar deri pas viteve ’90. Janë 66 punë të Vilson Halimit dhe 11 të së bijës së tij. “Mjeshtri dhe e bija” ka një larmi punësh. Në teknikën e vizatimit, pastelit, teknika të përziera, grafika. Peizazhe të ndryshme, portrete, etj, janë pjesë e ekspozitës. Por në piktura të artistit një vend të veçantë zë e bija në momente të ndryshme, duke lexuar apo pikturuar. Për publikun janë ekspozuar dhe disa grafika shumë të bukura, që ka ilustruar poemën e Mjerimit, por dhe piktura me bojëra vaji, etj. Mbi të gjitha ai ishte skenograf dhe nuk mungojnë dhe punë me skenografi të koncerteve ndër vite.

Kurimi i ekspozitës


Kuratorja Anila Zajmi Katanolli shprehet se një emocion i veçantë ishte kurimi i ekspozitës “Mjeshtri dhe e bija” me autorë Vilson Halimi (një nga figurat më brilante të realizmit socialist) dhe Iriana Halimi Papamihali, një kolege dhe ish-studente e saj. 

Katanolli tregon se në këtë paraqitje publiku ka mundësinë të shijojë vepra të paekspozuara dhe në një këndvështrim tjetër artistik të mjeshtrit Vilson në disa teknika, gjini dhe fusha të ndryshme të artit pamor, si edhe shfaqjen e një cikli pikturash në vaj të Irianës “Tout L’univers”. “Lidhja speciale e artistëve, babë e bijë, përshkon të gjithë linjën esenciale dhe logjike të ekspozitës si nga ana emocionale, shpirtërore dhe artistike”, shprehet ajo. Ndërsa rrëfen për ekspozitën në GAT me punët e mjeshtrit Vilson Halimi, kuratorja Anila Zajmi tregon se për të kishte dëgjuar më parë dhe nga babai i saj. “Para se im atë të largohej nga kjo jetë i kisha treguar për miqësinë me Irianën dhe e pyeta se si ka qenë Vilsoni. Im atë kishte një respekt të jashtëzakonshëm. Ata kanë pasur një miqësi shumë të veçantë dhe kjo ishte një pikë referimi shumë e mirë për mua. Pasi u bë ekspozita e Irianës më parë ne vendosëm për të bërë një ekspozitë në GAT me punët e babait të saj, por dhe me punët e saj që të ishte diçka  e përbashkët”, shprehet ajo.


Punët e mjeshtrit


Kuratorja Anila Zajmi Katanolli tregon se gjatë kohës që përgatitej për ekspozitën është përpjekur që të kuptojë gjëra nga historia e tyre apo mënyra se si ka punuar piktori. “Vilsoni ka mbetur në hije për një kohë të gjatë, por ai është një piktor brilant i realizmit socialist. Me një lirizëm dhe me një estetikë. Ai është mjeshtër. Ka qenë skenograf shumë avanguard në mënyrën e konceptit, por dhe i përmbajtur, sepse sistemi ka ndikuar negativisht tek liria artistike e tij. Këtë gjë pak veta e kanë kuptuar. Unë kam pësuar një gjendje të çuditshme kur kemi hapur punët e koleksionit. Veprat e Vilsonit janë të të gjitha gjinive: skenografi, grafikë, vizatimet me laps, me karbon, peizazhe, kompozime. Por kur pashë punët kam kuptuar që ai njeri e ka vuajtur  realizmin socialist”, tregon ajo. 

Vilson Halimi ishte një artist me çmime të ndryshme dhe vepra të tij janë edhe në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve. Por mënyra se si Vilson Halimi i ka trajtuar temat e realizmit socialist, sipas kuratores është shumë njerëzore. “Ai nuk ka agresivitetin e realizmit socialist. Ka qenë fin, elegant në mënyrën e përzgjedhjes dhe trajtimit të temave, është përpjekur të bëjë një gjë shpirtërore. Ky është një element, që e dallon atë nga shumë artistë të realizmit socialist”, tregon ajo.  Pas viteve 1990, kuratorja tregon se Vilson Halimi bëri punë sipas dëshirës së tij, të cilat një pjesë janë dhe në ekspozitën në GAT. Anila Zajmi Katanolli shprehet se disa prej tyre janë brilante dhe nga ana simbolike, trajtimi artistik, teknika, sepse ai ka punuar në të gjitha llojet e teknikave. “Është shumë cilësor. Sa ekspresiv aq dhe fin dhe me detaje. I ka të gjitha mënyrat e shprehësisë artistike në veprën e tij”, thotë ajo.


Ideja mbi ekspozitën


E bija e piktorit Iriana Halimi tregon se ideja për këtë ekspozitë lindi kohë më parë. Në bisedat me Anila Zajmi Katanollin ajo thotë se i shprehu dëshirën për të hapur një ekspozitë me punët e babait, por dhe të sajat. 


“Pothuajse në këto njëzet vite që ai nuk jeton më ishte lënë si në harresë. Anila e përkrahu menjëherë mendimin tim dhe filluam bashkëpunimin. Të gjitha punët në këtë ekspozitë ekspozohen për herë të parë”, tregon ajo. Iriana tregon se fondi i familjes është shumë i rëndësishëm, por sipas saj kishte ardhur koha që ti ndante dhe me publikun e gjerë punët e babait të saj. “GAT hapi dyert për ekspozitën. Punët e ekspozuara datojnë që nga viti 1956 që është puna më e hershme dhe deri në vitet pas ‘90 të babait tim. Im atë ka qenë mësuesi im, udhërrëfyesi im në rrugën e artit”, tregon ajo. Sipas saj, puna që bëri Anila si kuratore ishte që të paraqiste një gamë të gjerë të punimeve të babait të saj në ekspozitë, duke qenë se ai kishte shumë vepra në gjini të ndryshme. “Kjo ekspozitë shpalos vlera, aftësinë dhe elegancën e tij si artist”, tregon e bija e piktorit.


Lidhja e artistes me pikturën


Lidhja e artistes me pikturën është e hershme, që në fëmijërinë e saj. Babai i saj Vilson Halimi ka qenë mësuesi dhe udhërrëfyesi i saj në rrugën e artit, mjeshtri që i ka mësuar si të ecë në gjurmët e tij. Në këtë ekspozitë Iriana Halimi merr pjesë me një koleksion të veçantë të quajtur “Tout L’univers” dhe tregon se është me piktura të frymëzuara nga imazhet satelitore të Tokës.  Këto piktura paraqesin imazhe nga vende të ndryshme të globit, ndërthurur me teknikat artistike dhe stilin e artistes. Ky koleksion sipas saj është rezultat i një pune dy vjeçare. “E kam quajtur  ‘Tout L’univers’, që do të thotë ‘Gjithë universi’. Të gjitha këto piktura mbështeten nga fotografitë satelitore të Tokës nga lart. Është Toka e parë nga lart dhe secila pikturë i përkon një vendi të caktuar. Kemi Rumaninë e parë nga lart, Brazili, Islanda, Kenia, lumenjtë akullnajorë në Islandë, etj. Unë jam bazuar te fotot, por sigurisht i kam interpretuar sipas mënyrës sime artistikisht. Këtë ekspozitë nuk e bëra për t’u krahasuar me tim atë, por unë jam vazhdimi i tij, duke qenë se ai ishte dhe mjeshtri im”, tregon ajo. Iriana Halimi është diplomuar në vitin 1993 në Institutin e Lartë të Arteve, dega skenografi. Aktualisht është mësuese e artit pranë shkollës “Protagonistët” që prej vitit 2002.  



Marrë nga sot.com 

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

660 Lexime
10 muaj më parë