Ese: U bëra ajo mësuesja që dëshiroja ta kisha pranë vetes kur isha e vogël…

Ese nga Eralda Cuko mbi rrugëtimin e brendshëm të një gruaje që u bë mësuesja që dikur i mungoi fëmijës brenda saj. Një reflektim i butë për empatinë, shërimin dhe misionin e mësuesit si urë mes së shkuarës dhe së ardhmes.

Nga Eralda Cuko


U rrita duke mbajtur në zemër një dëshirë të heshtur: të kisha pranë një mësuese që do të më kuptonte pa fjalë, që do t’i shihte ëndrrat e mia edhe kur unë vetë nuk dija t’i emërtoja. Një dorë të butë që s’më gjykon, një shikim që më jep forcë, një fjalë që më mëson të mos dorëzohem.


Sot, pas viteve që më rritën me dhimbje e dritë, kuptoj se jeta më ka sjellë pikërisht aty ku zemra ime dikur puthte lutje të vogla fëmijërore. U bëra ajo mësuesja që fëmija brenda meje ëndërronte: ajo që hap derën me buzëqeshje, që flet me zemër më shumë sesa me fjalë, që sheh te çdo fëmijë një botë të vogël që meriton dritë, ngrohtësi dhe besim.


Tani, kur ulem pranë tyre, e shoh veten time të vogël në sytë e çdo nxënësi: ndrojtjen, kërshërinë, frikën për të gabuar, dëshirën për t’u parë e për t’u pranuar. Dhe çdo herë që u jap kurajo, u jap edhe vetes sime të dikurshme. Çdo herë që i fal butësi, shëroj një copëz të vogël të fëmijërisë sime.


Të bëhesh mësues është një formë e lartë filozofie: të jesh urë, dritë dhe mbështetje. Është të japësh atë që dikur të mungoi, dhe me këtë dhënie të gjesh paqen që e kërkove gjatë gjithë rrugës së rritjes. Sepse njeriu rritet më së shumti kur arrin t’i japë botës atë që vetë e kërkoi me etje.


Dhe unë sot e di: jam bërë ajo mësuese që dikur i duhej shpirtit tim të vogël, prandaj jam më e plotë, më e butë, më e vërtetë…



© Portali Shkollor Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë

283 Lexime
3 orë më parë