Evans Drishti: Moza Ahmeti, fenomeni i gjithhershëm që i dha peshë e vlerë edhe një Reality

Profesori Evans Drishti sjell një analizë për Mimoza Ahmetin, poeten, shkrimtaren dhe intelektualen që prej dekadash mbetet një zë i veçantë i kulturës shqiptare. Me një pjesë të krijimtarisë së saj të botuar edhe nga Albas, Ahmeti, sipas autorit, rikonfirmoi në çdo skenë vlerat e saj të spikatura.

Një mendje intelektuale e kthjelluar i jep peshë dhe vlerë një Reality 


Nga Evans Drishti 


Moza Ahmeti nuk u bë një “Fenomen” sot, se fitoi një Reality-show, përkundrazi ajo ka qenë prej vitesh e tillë, me mençurinë e saj si poeteshë, si pedagoge, si piktore, si intelektuale e opinionit të gjerë publik. 


Ajo posedon një mendje të një niveli të lartë intelektual dhe akademik, aq sa shumëkush e ka të vështirë ta perceptojë dhe ta kuptojë, për vetë faktin se universi i saj leksikor fjalëformues ka ngjitur prej vitesh shkallët e një gradaçele shtatlarte, e për rrjedhojë njerëzit, që nuk kanë arritur një nivel kulturor të caktuar e kanë tejet të vështirë t’i afrohen dhe të arsyetojnë të tilla koncepte. 


Sepse Shqipëria për Moza Ahmetin vjen shumë e vogël. 


Vërtetë që në një Reality-Show bëhen pjesë personazhe të njohur të ekranit shqiptar, duke mbartur mbi supe nofkën “VIP”, por padyshim që jo çdo personazh i njohur arrin një nivel të lartë kulturor, si në rastin konkret, e si të tillë bisedat e tyre paraqiten “jotërheqëse”. 


Që me hyrjen e saj në një format të këtillë ajo bëri dallimin e menjëhershëm nëpërmjet mendimeve të mirëpeshuara që padyshim mbartnin peshën proverbiale duke goditur arsyetimin njerëzor në suaza të paparashikueshme. Një dukuri e tillë sigurisht as që ishte parë në të tilla formate duke sjellur një metamorfozë të fuqishme të intuitës së një publiku “të lodhur” nga thashethemnaja mbytëse, thumbuese, gërryese, zhurmuese, agravuese, tronditëse që me kalimin e kohës kishte arritur të çorodiste qasjet e masës. 


E kuptueshme që çdo frazë e mirëartikulueshme prej një intelektualeje e një stadi të lartë s’mund të ishin mendime si të përvetësuara mekanikisht për hir të një “formati” apo “produksioni”, përkundrazi vinin reflektuese mirëfilltazi buruar natyrshëm dhe rrjedhshëm, jo vetëm si pasojë e një përvojë të gjatë në fushën e mendimit unik, por edhe për pasojë e një kapaciteti dhe aftësive aspak të zakonta të një mendjeje që kapërcente kufijtë e normales duke sfiduar shumë filozofi klasike.




© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

151 Lexime
5 orë më parë