Evans Drishti: Olimpiada Kombëtare e Letërsisë, mungesë transparence dhe sfida për nxënësit elitarë

Një analizë kritike e Olimpiadës Kombëtare të Letërsisë tregon mungesën e transparencës dhe përfaqësimit të drejtë të nxënësve nga të gjithë qytetet, duke nxjerrë në pah shqetësime mbi vlerësimin dhe motivimin e talenteve të rinj.

Vetëm pak ditë më parë u përpoqëm të sillnim një analizë të shkurtër rreth çështjes së olimpiadave dhe specifikisht Olimpiadën Kombëtare të Letërsisë. 


Dhe ja ku mbërritën rezultatet. 

Fotoja në fjalë flet shumë qartë në fakt, por po bëjmë një zbërthim të shkurtër dhe të shpejtë: 


Sipas rezultateve të publikuara del se: 

Janë gjithsejt 15 fitues në këtë fazë nga 520 gjimnazistë pjesëmarrës nga e gjithë Shqipëria. 


Nga këta: 

12 fitues janë nga Tirana 

2 fitues janë nga Elbasani 

1 fitues është nga Gjirokastra 


Pra 

I bie që 505 pjesëmarrësit e tjerë hidhen në kosh, pasi sipas këtij rezultati “Nuk vlejnë”!



Sërish: 

Sipas tabelës së publikuar 

  • Ka vetëm një vend të parë me 46 pikë 
  • Ka 7 (shtatë) vende të dyta nga të cilat 
  • 5 vende të dyta me nga 36 pikë 

dhe 

  • 2 vende të tjera të dyta me nga 35 pikë 
  • 7 vende të treta nga të cilat 
  • 3 vende të treta me nga 34 pikë, 
  • 3 vende të treta me nga 33 pikë 
  • 1 vend i tretë me 32 pikë 



Kujtojmë këtu se teza e kësaj olimpiade përmbante tri ese, nga të cilat 2 të parat me nga 15 pikë, ndërsa e treta me 20 pikë, në total 50 pikë. 


Nga ky lexim i shpejtë që mund t’i bëhet kësaj tabele rezultatesh shfaqen një sërë shqetësimesh tejet të natyrshme. 


1.Përse nuk shfaqet një tabelë e plotë e të gjithë pjesëmarrësve, pra të 520 pjesëmarrësve gjimnazistë, ku secili/la të shohë se në ç’nivel ka mbërritur, pasi padyshim është e drejta më minimale e çdo gjimnazisti që të shohë se ku ndodhet në rënditje dhe me sa pikë?


2.Përse nuk u jepet “e drejta” më bazike dhe themeltare çdo gjimnazisti, që të njihet me punimin e tij dhe të shohë nga afër, se ku dhe si ka gabuar në punimet që ka realizuar? 


Kujtojmë këtu:

Janë katër kritere kryesore të vlerësimit të një eseje:

a- Shtjellimi i idesë 

b- Organizimi dhe struktura 

c- Stili dhe origjinaliteti 

d- Saktësia gjuhësore (sintaksa dhe drejtshkrimi) 


3.Në cilat nga këto kritere 505 nxënësit gjimnazistë kanë çaluar kaq keqazi, sa nuk kanë arritur të marrin as pikët minimaliste që do i shpallnin fitues? 


4.Ç’probleme kemi vallë në një rast të tillë me adoleshentët elitarë të gjimnazeve? 


5.Vallë kanë probleme kaq serioze me shtjellimin e idesë së dhënë, sa nuk paskan arritur as t’i kuptojnë temat e ofruara të eseve? 


6.Vallë kanë probleme me organizimin dhe strukturimin e një eseje, aq sa nuk arrijnë dot të bëjnë një  ndarje të thjeshtë “Hyrje - Zhvillim - Përfundim”? 


7.Vallë kanë probleme tejet serioze me stilin e të shkruarit, duke mos ditur të përcaktojnë qartë një fjali të thjeshtë dhe një të përbërë, duke treguar mangësi të shumta në përdorimet e fjalëve kyçe dhe shprehjeve të ndryshme? 


8.Vallë kanë probleme kaq serioze me plotësimin e rregullt të një fjalie në gjuhën shqipe dhe mbi të gjitha me përdorimet e pikës, presjes, pikëpyetjes, pikëçuditëses, shkronjës së madhe etj? 



Nga tabela vihet re dukshëm se vetëm tri qytete konfigurojnë në hartën e madhe të Shqipërisë, ku mbizotëruese është Tirana, duke pasuar me Elbasanin dhe duke i lënë një vend Gjirokastrës. 


9.Ku ngelen qytetet e tjera?


10.Përse nuk ka asnjë gjimnazist fitues nga zonat e veriut të Shqipërisë? 


11.Përse asnjë nga Shkodra, teksa flasim në mënyrë të vazhdueshme për talentet dhe të rinjtë vizionarë? 


12.Si mundet që kemi të rinj fitues çmimesh ndërkombëtare, fitues të bursave të plota në nivele ndërkombëtare, por janë pikërisht këta të rinj që nuk “po arrijnë” të fitojnë në një olimpiadë kombëtare siç është ajo e letërsisë? 


Mos harrojmë se nuk është hera e parë që ndodh një situatë e tillë kaq poshtëruese. 


13.A mund të dihet si duhet justifikuar kjo ”humbje” e këtyre gjimnazistëve elitarë, teksa kanë kaluar me aq sukses dy fazat e para të konkurrimit, si në rang shkollor ashtu dhe në rang ZVA-je duke shpalosur aftësitë tejet të forta në përpilimin dhe përgatitjen e shkrimeve me nivel admirues? 


14.Si duhet ta pranojë një gjimnazist elitar në fushën e krijimit letraro – artistik një ”humbje” të tillë të pajustifikueshme duke u quajtur “I pavlerë”? 


15.Çfarë duhet të bëjë diçka më shumë një mësues profesionist i olimpiadave, që ka shpenzuar kaq shumë nga koha e tij e vyer në përgatitje dinjitoze dhe profesionale të nxënësve, të tij jo vetëm për t’i dërguar deri në “fazën kombëtare”, por edhe për t’i nxjerrë fitues me shumë të drejtë? 


16.Si mund të pretendohet të fitosh gjimnazistë elitarë në vijim, kur këta “zhvlerësohen” dhe “demotivohen” keqazi, sikur t’u thuash: “Zhdukuni, se nuk jeni për këtë vend!”? 



E të mos harrohet, se një pjesë e këtyre gjimnazistëve kanë qenë pjesëmarrës edhe në olimpiada të lendeve të tjera duke shpalosur aftësitë dhe vlerat e tyre shumëdimensionale. 

Po, vërtet familjarët e juaj dhe profesorët që u angazhuan me ju janë dhe mbeten gjithnjë krenarë për ju! Sot do të dëgjoni shumë nga shprehjet: “Po ç’të duhet që merr pjesë?”, “Përse harxhon kohë kot?”, “Kush po të vlerëson?” etj. Por mos dëgjoni askënd, që ju demotivon, pasi kjo tregon se keni mbërritur në nivele shumë më të larta dhe u përkisni strategjive afatgjata. 



Kjo është epoka juaj! Jeni vlerë e patjetërsueshme e kësaj epoke dhe më gjerë!



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

156 Lexime
7 orë më parë