28 Nëntori

Festa e Flamurit në klasën e mësimdhënëses nga Prishtina Filloreta Mustafa-Dermaku

Filloreta Mustafa-Dermaku, mësimdhënëse në shkollën fillore të mesme të ulët “Ismail Qemali” në Prishtinë, së bashku me nxënësit e saj të klasës IV ka realizuar një gamë aktivitetesh në klasë për Ditën e Flamurit.

Sapo hyra në klasë, të gjithë nxënësit më mirëpritën veshur kuq e zi, me buzëqeshje të madhe në fytyrë, dhe duke mbajtur balona në duar… Sa pamje e bukur! 


Në këtë ambient të ngrohtë, ora mësimore filloi me nxënësit duke kënduar me shumë zemër “Xhamadani vija-vija” dhe “Kuq e zi”. 


Mësimdhënësja Filloreta Mustafa-Dermaku u shpjegoi nxënësve rreth festës së 28 Nëntorit dhe ata e dëgjonin me shumë kujdes. Më pas, ajo shpërndau edhe disa fleta pune me motive të Ditës së Flamurit. Aktiviteti zgjati rreth 10 minuta. 


Më pas, më shumë dëshirë e vullnet, nxënësit modeluan me fara të zeza shqiponjën. 


Për këtë aktivitet duheshin: 

  • ngjitës 
  • fara të zeza 
  • letër e printuar me shqiponjë.


Nxënësit u kënaqën nga ky aktivitet dhe pamja më e mrekullueshme ishte t'i shihje ata me sa vullnet bashkëpunonin dhe i shfrytëzonin bashkë mjetet e njëri-tjetrit.  Aktiviteti zgjati rreth 15 minuta. 


“Jam shumë e lumtur që jam mësimdhënëse e një klase të mbushur me nxënës kaq të edukuar dhe me shumë interes në mësim”, tha mësimdhënësja Filloreta Mustafa - Dermaku për Portalin Shkollor.  


Gjatë bashkëbisedimit me disa nxënës, kuptova se Festa e 28 Nëntorit festohej edhe në shtëpitë e nxënësve bashkë me familjet e tyre, duke dëgjuar muzikë dhe duke shikuar ndonjë dokumentar rreth kësaj dite të rëndësishme. 


Ora mësimore u mbyll nga nxënësit që luajtën me balona.


Më poshtë gjeni një video dhe foto të realizuara gjatë aktiviteteve. 




Përgatiti: Era Baliu, gazetare përgjegjëse e Portalit Shkollor Albas për Kosovën

 

©Portali Shkollor– Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.   

3,094 Lexime
3 vjet më parë