Festat, nismat për të qenë pranë familjeve në nevojë

Në kohë festash të gjithë mendojnë si të arredojnë shtëpinë, çfarë të gatuajnë çfarë t’u dhurojnë familjarëve dhe të dashurve të tyre…

Në kohë festash të gjithë mendojnë si të arredojnë shtëpinë, çfarë të gatuajnë çfarë t’u dhurojnë familjarëve dhe të dashurve të tyre…

Ajo që bie në sy këtë vit është një sensibilizimi i të gjithë shoqërisë për të qenë pranë familjeve në nevojë, për t’u shndërruar në babagjysh dhe për të lumturuar fëmijët prindërit e të cilëve nuk kanë mundësi të blejnë dhurata, për të dërguar ushqime në ato familje ku për shkak të varfërisë nuk ka atmosferë festash. Këtu nuk e kam fjalën për institucionet shtetërorë si shtëpitë e fëmijëve jetimë, shtëpitë e të moshuarve… por për ato familje të cilat nuk kanë mundësi të festojnë.

Nismat e ndërmarra nga personalitete të ndryshme kanë dhënë efekte pozitive, kanë sjellë buzëqeshje dhe lumturi në familjet shqiptare.

“Lus njerëzit me zemër të madhe të na mbështesin”

“Çdo fundvit ne organizojmë "Maratonën" dhe ju ftojmë të sillni lodra, libra dhe rroba për fëmijët e paprivilegjuar që jetojnë pranë nesh. Le të bëjmë të mundur që edhe aty ku mundesitë janë të pakta të mos mungojnë buzëqeshjet. Në datën 24 dhe 25 dhjetor ne do të jemi në transmetim live 27 orë rresht në Club FM dhe Club TV. Ju mund të vini gjatë gjithë ditë/natës për të sjellë dhuratat tuaja. Qofshin të reja apo të përdorura, aq kohë sa janë në gjendje të mirë, këto lodra, libra dhe rroba do të kenë një shtëpi të re për vitin e ri, dhe do çojnë gëzim tek fëmijët! Lus të gjithë dëgjuesit, miqtë, kolegët, bizneset dhe njerëzit me zemër të madhe të na mbeshtesin për ta bërë edhe këtë vit një sukses "Maratonën e Klubit"”, shkruan Blendi Salaj duke prezantuar nismën. Thirrjes së tij i janë përgjigjur shumë qytetarë dhe kjo nismë përfundoi duke bërë të lumtur shumë fëmijë.

"Gatuaj një pjatë më shumë"

“Shqipëria ka nevojë për njerëz idealistë. Shqipëria ka nevojë për njerëz punëtorë. Por mbi të gjitha Shqipëria ka nevojë për njerëz idealistë që punojnë. Faleminderit! Faleminderit! Faleminderit!

Atyre qindra vullnetarëve që ju përgjigjen thirrjes tonë dhe u angazhuan sot për t'ju shërbyer një pjatë me dashuri dhe ngrohtësi familjeve në nevojë.

Atyre qindra qytetarëve të cilët sollën pjata të gatuara me merak për t’i ndarë me qytetarët e tjerë që nuk kanë mundësi.

Atyre qindra të tjerëve që sollën rroba, ushqime, lodra për fëmijë.

Atyre dhjetra bizneseve që u solidarizuan dhe dhuruan shërbimet e tyre për këtë aktivitet.

Atyre qindra familjeve në nevojë që pranuan ftesën tonë për ta kaluar këtë festë së bashku.

Atyre mijëra që u bashkuan sot në shesh për të dhënë një mesazh qytetarie dhe solidariteti. Për të na mbushur me shpresë!

Ju perulemi me mirënjohje!

Falë jush sot ishte një ditë festë edhe për qindra familje në nevojë”, shprehet kështu Jetmira Halilaj pas përfundimit me sukses të kësaj nisme.

Kjo është një histori që e ka prekur shumë Jetmirën dhe ajo ka shkruar: “Eri i vogël nuk kishte lodra. Babi është në burg ndërsa mami punon përditë për një pagë shumë të ulët e cila mezi i lejon ta ushqejë e të paguajë qiranë. Eri u gëzua shumë kur mori dhuratat në lodra dhe veshje të dhuruara nga njerëzit për njerëzit. Babagjyshi egziston!”

Deputeti më i ri i Kuvendit të Shqipërisë Eduart Ndocaj ka suprizuar mbarë opinion publik me humanizmin e tij duke u gjendur pranë familjeve në nevojë. Ai u vesh si "Babagjysh" për t’u ardhur në ndihmë fëmijëve të varfër të Torovicës. Deputeti Ndocaj është tronditur me realitetin që ka gjetur në këtë zonë të Lezhës, ku skamja dhe varfëria janë si në poemat migjeniane.

Pak kohë më parë deputeti Eduart Ndocaj mbështeti nismën e News24 për të ndihmuar Kristi Manzen. Ndocaj udhëtoi në Itali bashkë me familjen e tij dhe vizituan Kristin në spitalin ku ai ndodhet i shtruar.

Djepi i ëngjëjve

“Shkoj çdo vit në “Djepin e Engjëjve”, aty ku foshnjet që braktisten që në lindje nga nënat e tyre qëndrojnë për afro një muaj. Veç emocioneve, që të fal një bebe ndërsa e mban në krah, përjetoj njësoj edhe dashurinë që dhurojnë punonjëset e kësaj strehe në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”. Është kaq magjike jeta që dhuron jetë, ndaj takimi me Gjergjin, Nikolasin dhe të tjerë vogëlushë është urimi më i mirë që mund t’i bëjmë njëri – tjetrin për një vit të paqtë”, shkruan në Facebook ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit Eglantina Gjermeni.

Një falenderim i madh shkon për të gjithë ata që u bënë pjesë të këtyre nismave. Nëse jemi të bashkuar dhe u zgjasim dorën atyre që kanë nevojë atëherë ka shpresë se ky vend do të bëhet më i mirë për brezat që do të vijnë. Gëzuar festat!

2,342 Lexime
8 vjet më parë